Gërdeci, Prokuroria kërkon filmimet e Patrik Henrit
Habjon Hasani
Tiranë - Ndërsa prokurorët shqiptarë presin këtë javë mbërritjen e letër-porosive nga Shtetet e Bashkuara, mes provave duket se gjendet dhe një CD me filmimet që ka bërë Patrik Henri (bashkëpronar me Delijorgjin në Gërdec) në punishten e Gërdecit, jo më larg se tri ditë para shpërthimit. Arsyet e këtij filmimi gjenden në dëshminë e Henrit, por duket se ai ka bërë një filmim integral të zonës dhe ka mundur të përjetësojë në celuloid terrenet kryesore të kësaj punishteje. Deri tani është mësuar se me sigurimin e këtyre filmimeve në cilësinë e provës mund të faktohet se në Fabrikën e Gërdecit janë gjendur armatime dhe municione të cilat nuk janë të listuara në kontingjentin e municioneve që duhet të shkonin për demontim. Por këto filmime do të sigurojnë edhe të dhëna të tjera lidhur me sasitë apo me llojin e municioneve dhe të lëndëve ushtarake, që janë depozituar në këtë bazë. Sakaq, së bashku me filmimet duket se do të mbërrijë dhe dëshmia e shumëpritur e Henrit, i cili mendohet se paraprakisht ka mohuar nënshkrimin e një kontrate të dytë me shtetin shqiptar në dhjetor të vitit të kaluar.
Kontrata
Do të ketë një rëndësi thelbësore për hetimet dëshmia e Henrit në lidhje me kontratat që ka lidhur me kompaninë “MEICO”. Paraprakisht një pistë e hetimeve është se nuk ka pasur një kontratë të dytë mes tij dhe MEICO-s, sikundër ka pretenduar publikisht Ministria shqiptare e Mbrojtjes, ndërsa fill pas ngjarjes Henri ka deklaruar se marrëdhëniet e tij me palën shqiptare kanë përfunduar që në dhjetor të vitit 2007. Por menjëherë Ministria e Mbrojtjes nxori një kontratë me anë të së cilës pretendonte se në dhjetor kishte rifreskuar kontratën me Henrin dhe se në kontratë, përveç demontimit të fishekëve me kalibër të vogël, ishin shtuar dhe predhat e municione të tjera më të rënda. Por prokurorët, krahas këtij pretendimi të Ministrisë, kanë mundur të sigurojnë dëshminë e një punonjëseje të protokollit të Ministrisë, e cila ka deklaruar se ”Ylli Pinari erdhi ta protokollonte kontratën, që sipas tij ishte nënshkruar në dhjetor, vetëm dy ditë pas shpërthimit të Gërdecit”, pra më 17 mars 2008. Kësisoj duket se zbardhja e këtyre momenteve përbën një rëndësi të madhe në kushtet kur vetë Henri, vetëm pak orë para shpërthimit, mësohet të ketë kryer filmime në punishte.
Hetimi
Një tjetër personazh që është pyetur për llogari të autoriteteve shqiptare është dhe Efraim Diveroli. Ai ka dëshmuar edhe në lidhje me “llojin e bisedës” që ka zhvilluar në takimin sekret me Pinarin, Delijorgjin dhe me një person rreth të tridhjetave, në një apartament sekret në Tiranë. Prokurorët kanë bindjen se në këtë takim Diverolit iu premtua ulja e çmimit zyrtar të fishekëve (22 dollarë për 1 mijë copë), me kusht që në lojë të hynte firma “Evdin ltd”, e cila do të ishte dhe gllabëruesja e gjithë diferencës së çmimit që pësoi ulje nga pala zyrtare shqiptare. Përveç këtyre çështjeve, dëshmia e Diverolit do të hedhë dritë edhe në lidhje me paketuesin e ri të fishekëve të tij, pasi Kosta Trebicka “doli nga loja”.
Punishtja, dyshime mbi kontratën e dytë me “SAC”-in
Porsa përfaqësuesit e firmës “Southern Ammunition” deklaruan se nuk kishte një kontratë të dytë me palën shqiptare, përfaqësuesit e Ministrisë e kundërshtuan. Sipas palës shqiptare, municioni luftarak në repartin e Gërdecit nuk ka qenë i destinuar të shkatërrohej totalisht. Një pjesë e tij ka qenë i përcaktuar të shitej në tregjet e huaja. Ky ishte dhe një kusht i përcaktuar në kontratën e nënshkruar mes shoqërisë amerikane, “Southern Ammunition Company Inc” dhe asaj shqiptare, “Albademil”. Referuar kësaj marrëveshjeje të firmosur mes presidentëve të të dyja kompanive në datën 31 dhjetor 2007, respektivisht mes Patrik Henrit dhe Mihail Delijorgjit, citohet: “Albademil sh.p.k., veç veprimtarisë me objekt çmontim dhe demilitarizim, ka pasur të drejtën dhe të tregtimit të këtij municioni”. Referuar kontratës së nënshkruar më 28 dhjetor 2007 mes ndërmarrjes shtetërore të eksport-importit të armëve, MEICO dhe kompanisë amerikane, “Southern Ammunition Company Inc”, kjo e fundit ka pasur të drejtën vetëm të çmontojë dhe demilitarizojë municionin luftarak të blerë. Nga ana tjetër, shoqëria amerikane, të gjithë këtë arsenal ushtarak që i ka blerë shtetit shqiptar, ia ka shitur tri ditë më pas kompanisë shqiptare “Albademil”, e cila, veç dy veprimtarive në fjalë, ka pasur pra të drejtë që edhe të shesë një pjesë të këtij municioni.
10 Shtator 2008