Zgjedhjet, përjashtohet votimi me certifikata
Komisioni i posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor ka vendosur dje që të mos lejojë votimin me certifikata. Gjatë ditës së djeshme ky komision ka zhvilluar mbledhjen e parë gjatë këtij sesioni të ri parlamentar, ku ka diskutuar pa praninë e mediave draftin e paraqitur nga ekspertët e Partisë Demokratike dhe ekspertët e Partisë Socialiste. Në përfundim të mbledhjes bashkëkryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmali, ka bërë të ditur për mediat se anëtarët kanë miratuar që të mos lejohet votimi me certifikata por me karta identiteti.
“Komisioni miratoi formulimet e ekspertëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë më votime me certifikata. Në përgjigje të procesit të reformimit, që po ndodh në institucione të tjera, ne konsiderojmë që certifikatat e kanë mbyllur periudhën e tyre të suksesit, por edhe të dështimit, siç ishte rasti i zgjedhjeve lokale të vitit 2007”, - ka bërë të ditur dje bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Kodin Zgjedhor, Rusmali. Ai gjithashtu tha se shumë shpejt qytetarët shqiptarë do të pajisen me karta identiteti, me të cilat do të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje. “Sot shqiptarët janë futur në një fazë kur shumë shpejt parashikohet të kenë dokumente identifikimi të nivelit dhe të cilësisë më të lartë europiane. Ne kemi shumë besim dhe siguri që në të ardhmen zgjedhësit shqiptarë të mund të identifikohen në komisionet e qendrave të votimit vetëm nëpërmjet kartave të identitetit dhe pasaportave”, - është shprehur Rusmali.
Në mbledhjen e djeshme komisioni miratoi dhe një element tjetër të rëndësishëm, në kuadër të reformës zgjedhore, që lidhet me zgjedhësit që kanë vështirësi në kryerjen e procedurave të votimit, siç është kategoria e të verbërve. Bashkëpunimi mes këtyre zgjedhësve dhe administratës lokale, e cila do të ofrojë asistencën e nevojshme, do t’u mundësojë personave me aftësi të kufizuar të ushtrojnë të drejtën e votës.
Eljona Ballhysa
10 Shtator 2008