Si e bindëm Edi Ramën të kërcente në spektakël
E ka takuar pas 12 vitesh, tashmë e rritur dhe e famshme, dhe ka qenë dama e tij në një kërcim spontan, por që bëri mjaft përshtypje. Kështu të enjten në darkë, Alketa Vejsiu ka ftuar Edi Ramën të kërcenin bashkë, duke e falenderuar edhe për intervistën që ai i pat dhënë kur ajo ishte vetëm 14 vjeç. Alketa na rrëfen përjetimet e saj për këtë moment, që ajo pohon se do ta ruaj si një kujtim të bukur.
Ishte surprizë ardhja e zotit Rama te “Dancing with the stars”. A ishte e vështirë për ju ta bindnit”
Nuk ishte absolutisht e thjeshtë të gjeje datën e përshtatshme në axhendën e tij për këtë pjesëmarrje. Këtu, as që mund të bëhet fjalë për prova të mirëfillta kërcimi. Kjo u vërtetua nga mënyra spontane e kërcimit të zotit Rama.
Pra ju thoni që zoti Rama nuk u impenjua fare për të performuar një koreografi të mirëfilltë?
Qëllimi nuk ishte vallëzimi në vetvete, ne donim që ai të ishte një moment krejt i natyrshëm përgjatë spektaklit. Ndërsa mesazhi universal që z.Rama përcolli, na bëri ta njohim në një dimension tjetër, gjë që përbën sensacion... Me fjalët e tij, ai na bëri të reflektojmë që përtej politikës, rutinës së përditshme, halleve dhe stresit, mundet edhe të vallëzohet...sepse aty ku vallëzohet ka shumë dëshirë për të jetuar. Pikërisht për këtë arsye, nata e mbrëmshme e spektaklit pati një audiencë të jashtëzakonshme, gjë që vërteton edhe një herë që njerëzit kanë nevojë të shplodhen, të shohin gjëra të bukura, të mendojnë pozitivisht e mbi të gjitha ta largojnë për pak momente vëmendjen nga klima politike konfliktuale në vend. Do të mbetet një kujtim i bukur.
Gjatë spektaklit, ju thatë se e keni intervistuar zotin Rama kur ishit 14 vjeç. Në ç’rrethana ka ndodhur?
Ishte gëzim shumë i madh për një vajzë të re që sapo kishte përfunduar tetë vjeçaren, të niste punën në median më të fuqishme shqiptare, me një urim dhe intervistë nga z.Rama, asokohe Ministër i Kulturës. Mes shumë gazetarëve, ai më zgjodhi mua. Pranë tij qëndronte aktori holliwoodian Michael Douglas, me të cilin më mundësoi një intervistë duke më prezantuar si “Fenomenin e Radios Shqiptare”. Vlerësimi dhe motivimi i tij për njerëzit e talentuar më ka bërë gjithmonë përshtypje. Pas kaq vitesh e takova në skenë, për t’i dhënë falenderimin tim njerëzor, për t’i shprehur mirënjohjen dhe për t’i uruar fat në punën e tij.