E Diel, 1 Nëntor 2026

Unë në shtrat me Fatos Selën në rol prostitute



Gjithçka ka ndodhur në një shtrat mëkatesh. Histori sa dramatike po aq dhe perverse, ku një mesoburrë dhe një vajzë e re kërkojnë të bëjnë teatër me atë ç’ka ndodhur mes tyre. Ai luhet nga Fatos Sela ndërsa ajo nga Eftiola Laçka. Në skenarin e Luigi Pirandelos janë dy personazhet kryesorë të “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, që po shfaqet ne Teatrin Kombëtar. Aktorja rrëfen emocionet e rikthimit në skenë pas aksidentit në prova disa muaj më parë, dhe si e ka shijuar lojën me Fatos Selën, në këtë shfaqje ku kujtimet e këqija dhe imagjinata e ekzagjeruar bëhen një.
Hera e parë në rol protagonist, si do ta përshkruanit veten si një nga “Gjashtë personazhet që kërkojnë autor” të Pirandelos?
Kjo është një nga dramat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit XX-të. Ajo që më tërhoqi më shumë në këtë pjesë është se përveç anës njerëzore, gjashtë personazhet janë të vendosur dhe në një dimension tjetër, atë të të qenurit personazhe. Drama ka në qendër një familje të shkatërruar, një histori tepër tronditëse dhe personazhi i Thjeshtrës është personazh kyç, që këmbëngul të shfaqet në skenë jeta e tyre. Pikërisht në tempullin ku të vërtetat ulen këmbëkryq.
Në rolin e Thjeshtrës apo prostitutës fatkeqe, një personazh i tillë si jeton në imagjinatën tuaj?
Personazhi i Thjeshtrës është shumë i ndërlikuar. Ajo që më tërhoqi me shumë te ky personazh është se si arrin ajo t’ia dalë mbanë, arrin të tërheqë vëmendjen mbi veten, dhe pas kësaj beson se është gjithmonë njeriu që e bën zërin të dëgjohet. Te Thjeshtra sheh se sa urrejtje akumulon qënia njerëzore që në fëmijërinë e vet, i dhunojnë moshën, ndjenjat, ëndrrat, kur nuk i kushtojnë vëmendje, dhe se si ata që “munden” abuzojnë mbi ata që “s’munden”, kështu ka jetuar për shumë kohë ky personazh në imagjinatën time.
Shfaqeni në skenë pasionante, energjike, shpërthyese dhe e pacipë. Ka lidhje me natyrën tuaj të vërtetë?
Nuk kam arritur ta përkufizoj ende veten time, pasi kam kohë (qesh). Do doja ta vija në provë veten për gjithçka dhe pastaj ta përkufizoja. Po ajo që është lehtësisht e dukshme, tip i qetë, ëndërrimtar, me ca shpërthime të frikshme tek–tuk.
Momenti në shtrat me aktorin Fatos Sela e çonte larg imagjinatën deri në perversitet. Ishte problem për ju ta pranonit si rol, duke pasur parasysh dhe diferencën e moshës me aktorin?
Personazhet nuk janë “ne”, dhe nuk mund t’i përgjithësojmë si thuhet te Pirandelo. Personazhet jemi ne dhe kështu do të mbesim në jetë të jetëve’’. Ne i japim jetë fantazisë së autorit. Ky është teatri dhe nëse ndokush nga ne do ta kishte problem, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë me teatër, aq më tepër kombëtar. është parë nga të dy si pjesë e procesit të personazheve.
Kjo nuk është hera e parë që luani në shfaqje të regjisorit Xhelili. çfarë pëlqen ai te loja juaj?
Ky është bashkëpunimi im i dytë me Prof. Met Xhelilin. Ai përveç se është një regjisor i njohur është dhe pedagog në Akademinë e Arteve. Kështu që e kam pasur pedagog në shkollë dhe ka vënë në skenë me kursin tonë “Martesa” e Gogolit ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer ndërmjet kursit tim dhe Prof. Metit. Unë kam shumë simpati për mënyrën se si punon. Nuk e di çfarë pëlqen tek loja ime, në momentin që më dha teksin, para se të fillonim provat me tha: “Ky rol do përkushtim të madh, do shumë punë.”
Keni eksperiencë edhe në kinema te “Sekretet” dhe “Njerëz dhe fate”. Cili është tipi i femrës që ju u ofrohet nga regjisorët, po ju cilin tip preferoni?
çdo tip femre është i ndryshëm nga tjetra edhe pse në përshkrimin e parë mund të kenë të përbashkëta. Unë nuk kam eksperiencë të mjaftueshme në film. Do më pëlqente çdo tip i femrës që do t’më ngacmonte, që do të thotë të ishte e vërtetë dhe të më bënte kurioze ta njihja...çdo personazh që nuk është më interesant se ç’duhet të jetë.
Aktoret femra gjithmonë e kanë një aktor të preferuar që do dëshironin ta kishin partner, po ju?
Do të dëshiroja të kisha partner aktorët, të cilët të ndjehen shumë mirë me veten e tyre. Partnerë që vijnë era shpirt në atë ç’ka ofrojnë në teatër. Shumë do të doja të kisha partnerë edhe në bashkëpunime të tjera aktorin, Ndriçim Xhepa dhe Fatos Sela. I vlerësoj se janë artistë dhe njerëz të jashtëzakonshëm. I falenderoj për ndihmën dhe kurajon që më kanë dhënë në bashkëpunimet që kam pasur fatin t’i kem me ta.
Kujtoni momente nga fillimet tuaja ne teatër, kur dhe si kanë qenë?
Fillimet e mia në teatër kanë qenë si figurante te “Stinë e mërzitshme në Olimp”, kur merrte pjesë gjithë kursi, pasi kishim një etyd plastik kur fillonte shfaqja. Të gjithë kërkonim dhe shijonim hapësirën tonë. çdo dalje në skenë të ndihmon të bësh gjëra më të vlefshme më vonë. Kam marrë pjesë dhe te kori i tragjedive “Medea” dhe’ “Trojanët” ku mësova shumë nga puna në grup.
Artistët dihet që janë në kërkim të suksesit dhe lumturisë. Ju i keni gjetur?
Do të më pëlqente më shumë “aktorë në kërkim të realizimit të tyre”. S’jam e sigurt për këtë. Jeta në vetvete është një “kërkim” i madh. Në kërkim të ëndrrave tona për ta planifikuar jetën tonë me realizime e lumturi. Por sa më shumë e planifikojmë jetën, aq më shumë kuptojmë se vetëm e improvizojmë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›