E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e ruajtëm arkivin e Kadaresë, kur iku në Francë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
”Kur iku Ismalil Kadareja në Francë në 90-n, mbi arkivin e tij që e kishte në familje, vunë dorë organet gjyqësore. Në fillim i mbajtën aty, por siç duket, nuk gjetën gjë nga ato që kërkonin. Kur ndryshoi sistemi, Kadare erdhi dhe e kërkoi.-Kështu tregon ish-drejtori i Arkivit të Shtetit, prof. Gazmend Shpuza. -Mirëpo ndërkohë, këtë arkiv dorëshkrimesh na e kishin sjellë deng në Arkivin e Shtetit nga Prokuroria. E panë që ishte një patate e ngrohtë! Sapo më njoftuan, thërras nëpunësit dhe rojen dhe i pyes se kush i pruri dhe kush i pranoi. ”Materialet e Kadaresë i pruri Prokuroria”, më thanë. Nëpunësi ishte treguar korrekt, i kishte thënë, ”Lëri në korridor se unë nuk i marr në dorëzim”. Më merr prokurori, njeri mjaft fin dhe më thotë: ”Pse nuk i pranoni?” I them: ”Më falni, por këto punë nuk bëhen kështu. Më parë do t i biesh me një shkresë dhe do të thuash se çfarë ke prurë. Në radhë të dytë, duhet t i marrim në dorëzim, jo si deng. Ku e di unë se çfarë ka brenda dhe kush ka ndërhyrë? Ti mund të mos kesh ndërhyrë, por mund t i kenë hyrë brejtësit. Dhe nesër m i kërkon mua”. Nejse, ramë dakord që t i mbajmë mbyllur. I çova fjalë Kadaresë me anë të të vëllait, që arkivi i tij ka mbërritur tek ne. I thashë që kam dashur të komunikoj me Kadarenë, por nuk kam pasur as adresë, as numër telefoni. Çfarë të bënim me dokumentet e Kadaresë? Unë kisha mendimin, që t i hapim se mund të kenë hyrë brejtës dhe me një komison t i inventarizonim dhe sistemonim sipas kritereve arkivore. Nëse ai ishte dakord gjithnjë. Por Kadare kishte thënë: ”Siç janë, mbajini, sepse unë do të vij vetë”. Ishte arkivi i krijimtarisë së shkrimtarit dhe e drejta për ta mbajtur ose dorëzuar i takonte vetëm atij. ”Në arkivin e shtetit ruhen edhe fondet e shkrimtarëve, dorëshkrimet e tyre, por kjo varet nga ata, nëse duan ose jo t i dorëzojnë kur janë gjallë,- thotë prof. Shpuza.- Më pas, pyeten personat të cilëve u janë lënë në dorëzim. Kur një ditë, më merr në telefon Remzi Lani dhe më thotë që ka ardhur Kadare do të vijnë të marrin arkivin..” Në fakt, dorëshkrimet e Kadaresë nuk u futën asnjëherë në fondin e Arkivit të Shtetit. Ato qëndruan në ruajtje atje, përndryshe, nuk mund të dilnin më. Sidoqoftë, Prof. Shpuza e kishte refuzuar tërheqjen e arkivit pa disa procedura. “U thashë se duhej të vinte përfaqësuesi i Prokurorisë, përfaqësuesi i Arkivit , do të hapeshini vulat, do të hapeshin drynat dhe, pasi të shihet që është në rregull si sigurim, do të shihen fizikisht materialet. Kadareja kishte marrë me vete edhe një kineast francez për të xhiruar. Ishte bashkë me të shoqen kur u hap arkivi. Kadare bëri sikur po fuste dorën dhe tha: “Nuk ka nevojë të kontrollohet „. I thashë: “A i ke në rregull?„ “Në rregull duhet të jenë tha“. “A janë apo nuk janë në rregull?“ e pyeta përsëri. “Po po,- tha.- Hajdeni merrini”. “Në atë kohë, kur ne morëm arkivin e Kadaresë, kishte zëra, madje edhe botime, se “u sekuestruan dorëshkrimet e Kadaresë, pse i morën etj”. Por, në bazë të ligjit të arkivave, arkivi ka përgjegjësi, nëse një thesar i tillë humbet. Prokuroria tha: “Tek unë nuk janë të sigurta, unë do t i dorëzoj në arkiv.” Edhe ne i morëm në ato kushte që i morëm. Bëmë një punë shumë të mirë, sepse nesër do të na thuhej që u dogjën u vodhën, sepse ju nuk i ruajtët”, përfundon prof. Shpuza.
Ky lajm është publikuar: 23/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›