E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakojanis: “Zgjidhja e emrit, parakusht për Maqedoninë në NATO”

Dy prioritetet e Maqedonisë janë anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe në NATO. Por problem për këtë është konflikti i saj me Greqinë për çështjen e emrit. Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, është shprehur për zgjidhjen e dallimeve rreth emrit me Maqedoninë dhe ka porositur se parakusht për anëtarësim në NATO është zgjidhja e çështjeve të hapura. “Parakusht është që të mos ketë çështje të hapura mes vendit kandidat dhe vendit anëtar, çështje të cilat kanë ndikime negative mbi marrëdhëniet e tyre”, - tha Bakojanis pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer. “Greqia beson se këto çështje nuk duhet të vazhdojnë. Ne besojmë se ato doemos duhet të zgjidhen në mënyrë të ndërsjellë të pranueshme, mënyrë e cila është përfundimtare dhe praktike dhe qw do të mund drejtpërdrejt të implementohet”,-tha Bakojanis, e cila e ka akuzuar Maqedoninë për politikë nacionaliste. Ndërsa komisioneri europian për Zgjerim, Oli Rehn, i ka prezantuar Maqedonisë detyrat që duhet të përmbushë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Para dy ditësh, Komisioni Europian ka bërë të ditura prioritetet që janë: vazhdimi i dialogut politik, implementimi i ligjit për policinë dhe antikorrupsionin, reforma në administratën gjyqësore dhe në atë publike si dhe masa në politikën e punësimit. Sipas përfaqësuesve të KE-së, Maqedonia duhet të përmbushë këto detyra për të demonstruar gatishmërinë për të filluar negociatat për anëtarësim. Në vjeshtë do të paraqitet raporti për përparimin, i cili do të sjellë rekomandimin për fillimin ose jo të negociatave.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›