E Hënë, 2 Nëntor 2026

S’shlyente dot kredinë, vetëhelmohet me fostoksinë

24/04/2005  I papunë, tentoi të ngrinte një biznes, u zhyt në borxhe dhe dështoi

GRAMSH - I ka dhënë fund jetës me helmin e fostoksinës një 41- vjeçar, pasi nuk kishte mundur të kthente kredinë bankare. Tomorr Salla, banues në periferi të qytetit të Gramshit, kishte mundur të privatizonte një ndër objektet turistike të pritjes së personaliteteve në kohën e komunizimit, por nuk kishte mundur të krijonte një biznes fitimprurës. Fati i keq në emigracion nuk i kishte dhënë shumë mundësi fitimi, ndërsa në qytetin e lindjes e priste një kredi e pashlyer pas ndërtimit të shtëpisë. I papunë, Salla është përpjekur të gjejë burimet e fitimit, por ka dështuar dhe rruga e vetme ka qenë vetëhelmimi. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë, kur në banesën e tij private, duke përfituar nga largimi i familjarëve, ka marrë helmin e fortë dhe ka gëlltitur dy kokrra. Edhe pse bashkëshortja e tij ka qenë e para e mbërritur pas rreth 30 minutash, ndihma e saj nuk i ka shpëtuar jetën. Menjëherë me një mjet transporti të rastit pjesëtarët e familjes e kanë dërguar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit, por, me mbërritjen në reanimacion, ai ka jetuar vetëm disa minuta. Përpjekja e mjekëve ka qenë e kotë, pasi helmi kishte depërtuar tashmë në gjak dhe kështu 41-vjeçari ka ndërruar jetë rreth orës 19.00. Ndërkohë burime nga policia bëjnë të ditur se shkaku që mund të ketë sjellë vetëhelmimin e 41-vjeçarit ka lidhje me problemet ekonomike. Për të zbardhur rrethanat e vetëhelmimit janë marrë në pyetje familjarët, të cilët kanë konfirmuar kredinë e marrë nga ai disa kohë më parë. Privatizimi me letra me vlerë i objektit i ka dhënë mundësi atij të hapte edhe një biznes, por kushtet e ekonomike të zonës nuk i kanë dhënë shumë fitime dhe kredia prej 1 milion lekësh të reja sa vinte e shtohej. Kryefamiljari e ka konsideruar të pamundur kthimin e kësaj kredie, duke zgjedhur rrugën e vetme, vetëvrasjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›