E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ballkani-Perceptimi i rrezikut dhe progresit

24/04/2005  Raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin

Thuajse një dekadë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe pesë vjet prej përmbysjes së Millosheviqit, mund të thuhet se Ballkani Perëndimor është rajon relativisht stabil, pa konflikt ushtarak dhe pastrime etnike, ku zgjedhjet janë të lira, ndonëse nuk janë gjithmonë korrekte. Me samitin në Selanik 2003, Bashkimi Evropian u obligua që t`i integrojë vendet e rajonit në BE. Por, edhe krahas kësaj pasqyre të mirë për përparimin e Ballkanit, Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin në raportin e tij të tretë shprehet se “rajoni është më afër dështimit sesa suksesit”. Profili i tanishëm i rajonit është mizor – përzierje e shteteve të dobëta dhe protektorateve ndërkombëtare; ku Evropa ka stacionuar thuajse gjysmën e forcave të saj. Rritja ekonomike është e ngadalshme ose joekzistuese, papunësia është e lartë, korrupsioni evident, ndërsa opinioni është pesimist dhe i pabesueshëm ndaj institucioneve demokratike. Bashkësia ndërkombëtare këtu investon shuma të mëdha të parave, vullnet të mirë dhe resurse njerëzore. Në rajon janë investuar 25 herë më shumë para dhe 50 herë më shumë trupa për një kokë banori sesa në Afganistanin e paskonfliktit. Por, edhe krahas madhësisë së ndihmës në Ballkan, bashkësia ndërkombëtare nuk arriti të ofrojë perspektivë bindëse politike për shtetet e rajonit. Ardhmëria e Kosovës është e papërcaktuar, ardhmëria e Maqedonisë është e pasigurt, ndërsa ardhmëria e Serbisë e paqartë. Kjo është vetëm një pjesë e problemeve që i identifikon Komisioni në raportin e tij të tretë të shpallur më 12 prill dhe për të cilat konsideron se doemos duhet të zgjidhen gjatë dekadës së ardhshme nëse Evropa dëshiron që Ballkani të bëhet pjesë e saj, e jo të shndërrohet në vrimë të zezë në zemër të Evropës.

“Sot, thuajse një shekull prej formimit të Komisionit të parë Ndërkombëtar për Ballkanin, Komisioni i tretë e boton raportin e vet. Të ndryshëm nga dy raportet paraprake, ky raport është i pari që mund të shikojë perspektiva mbi luftën dhe paqen. Edhe krahas rezultateve, stabiliteti ende qëndron në këmbë të qelqta. Proceset reformuese frenohen me mbeturinat e së kaluarës: sfidat e pafundshme strukturore, probleme kushtetuese, çështje të hapura statutore dhe jostabilitet politik. Edhe krahas asaj që janë investuar mjete të mëdha në rindërtimin dhe zhvillimin e rajonit, nuk u arritën rezultatet e dëshiruara për shkak të jostabilitetit kronik politik dhe dyshimeve rreth së ardhmes”, shprehet Xhuliano Amato, kryetar i Komisionit, në fillim të raportit.

Komisioni pranon se nuk ekzistojnë zgjidhje të shpejta dhe të thjeshta për Ballkanin dhe se në fund gjithçka varet nga banorët e rajonit.

“Megjithatë, jemi të bindur se bashkësia ndërkombëtare, e veçmas Bashkimi Evropian, ballafaqohet me përgjegjësinë historike dhe do të luajë rol historik në ardhmërinë e rajonit”, konstatohet në raport.

Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin konsideron se ruajtja e status quo-së, ndonëse për dikë ndoshta ende është zgjidhje për ruajtjen e paqes, e tejkaloi dobishmërinë e vet. Urgjentisht nevojitet të fillojnë të zgjidhen çështjet e pazgjidhura statusore dhe kushtetuese dhe të vihet në lëvizje rajoni nga faza e protektorateve dhe shteteve të dobëta, drejt vendeve të gatshme për hyrje në Bashkimin Evropian. Kjo është mënyra e vetme për të penguar që Ballkani Perëndimor të mos bëhet vrimë e zezë në Evropë. Njëherit, siç potencon Komisioni, Evropa ka edhe fuqi edhe mekanizma për t`u ballafaquar me sfidat që me vete i bart ky rajon, veçmas gjatë tre viteve të ardhshme. Është evidente se Kosova dhe zgjidhja e statusit përfundimtar të saj do të jenë në qendër të procesit politik gjatë disa muajve të ardhshëm.

Rreziku nga status quo-ja dhe dilema e BE-së për Ballkanin

Mungesa e dhunës evidente bindi shumë veta në bashkësinë ndërkombëtare se status quo-ja ende funksionon mirë. Por, ngjarjet e marsit të vitit të kaluar në Kosovë i rrënuan iluzionet e tilla – status-quo-ja jo vetëm që nuk ishte e qëndrueshme, por mund ta sjellë rajonin në një periudhë të re të jostabilitetit të rrezikshëm. Me fillimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, hyhet në fazën delikate për ndërtimin e Ballkanit të qetë dhe prosperues dhe ekziston gjasë e mirë që bashkësia ndërkombëtare, bashkë me politikanët locale, t`i zgjidhë në mënyrë të suksesshme këto çështje statusore. Por, secili duhet të jetë i vetëdijshëm se dështimi në zgjidhjen e këtyre çështjeve do të jetë shumë i rrezikshëm.

“Nëse BE-ja nuk zhvillon strategji të guximshme për qasje të të gjitha vendeve anëtare të Ballkanit në dekadën e ardhshme, atëherë vendoset në rrezik të bëhet fuqi e thjeshtë neokolonialiste në vende siç është Kosova, Bosnja, po madje edhe Maqedonia. Anakronizmi i tillë do të ishte vështirë i qëndrueshëm dhe kundërthënës me vetë natyrën e BE-së. Zgjedhja e vërtetë me të cilën BE-ja do të ballafaqohet lidhur me Ballkanin është: zgjerim ose perandori”.

Në raport Komisioni përmend tri arsye të mëdha që bëjnë të ditur se pse ruajtja e mëtejshme e status quo­-së është pjesë e problemit, e jo e zgjidhjes.

Së pari, është ajo që qytetarët e rajonit e shikojnë ruajtjen e status quo­-së si pjesë të problemit. Hulumtimi që e ka bërë Komisioni gjatë nëntorit të vitit 2004 në rajon tregon se njerëzit kanë qëndrim negativ ndaj status quo-së, ndërsa kjo reflektohet edhe në mosbesimin e madh edhe ndaj pushtetit edhe ndaj opozitës. Opinioni e refuzon ruajtjen e status quo-së, por njëherit pret të shikojë se cila është alternativa tjetër që u ofrohet. Krahasuar me hulumtimin e kryer në vitin 2003, vërehet rritje e pesimizmit dhe pakënaqësisë me zhvillimin politik dhe ekonomik. Humbja e shpresës dhe perspektivës është realitet politik në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër status quo-ja paraqet problem, meqë e rrit jazin ndërmjet vendeve të reja candidate, siç janë Rumania dhe Bullgaria dhe pjesës së mbetur të vendeve të rajonit. Në këtë mënyrë krijohen vende fitimtare dhe humbëse, prej të cilave këto të dytat janë kryesisht vende ballkanike. Nëse kjo mbisundon, Evropa vendoset para rrezikut që të krijojë geto në zemër të kontinentit. Getoja do të përbëhet kryesisht prej njerëzve nga Ballkani të cilët do të jenë nën restriksione vizash, e me këtë vetëm sa rritet rreziku që tërë rajoni edhe më shumë të ngec prapa pjesës së mbetur të Evropës.

Dhe si arsye e tretë që e përmend Komisioni për zgjidhjen e status quo-së, veçmas te protektoratet e caktuara, është ajo që nëse nuk zgjidhet statusi i tyre, është e pamundshme të hyjnë në listën e pritjes për hyrje në BE.

Perceptimi i faktorëve destabilizues

Vendet perëndimore gënjehen me mendimin se anulimi i zgjidhjes së çështjeve për statusin është e keqja më e vogël prej dy të këqijave. Ndonëse pranojnë se status quo-ja nuk është ideale, ajo është e domosdoshme që të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon. Megjithatë, hulumtimi i Komisionit dhe bisedimet që i kanë zhvilluar me njerëz, ekspertë të rajonit bëjnë të ditur një realitet pak më të ndërlikuar.

Sipas Komisionit, ankthi i bashkësisë ndërkombëtare se pavarësia e Kosovës në mënyrë automatike do të tërheqë shkatërrimin e Bosnjës, është joreal. Kjo nuk do të thotë se pavarësia e Kosovës do të jetë proces i parëndësishëm, e veçmas se nëse nuk zbatohet siç duhet, mund të ketë domino-efekt mbi rajonin. Mirëpo, pavarësia vetvetiu nuk është çështje – por, si të arrihet deri tek ajo. (Shiko Dossier: Fati i Kosovës).

Sipas hulumtimit, ajo që më së shumti mund ta destabilizojë rajonin është shpërbërja e Maqedonisë dhe krijimi i “Shqipërisë së Madhe”.

Rezultatet nga hulumtimi bëjnë të ditur në një nivel relativisht të lartë të pranimit të idesë për “Shqipëri të Madhe” në mesin e popullatës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë. Si tërësi ata dallohen nga grupet tjera në rajon në pikëpamjet e veta se unifikimi i ardhshëm i Kosovës dhe Shqipërisë është i dëshirueshëm dhe i mundshëm. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk ofron perspektivë bindëse për rajonin, mund ta nxisë mbështetjen për idenë për “Shqipëri të Madhe” ose “Kosovë të Madhe” dhe për shkak të kësaj duhet të dërgojë mesazh të qartë se idetë e këtilla nuk janë të mundshme.

Në dallim nga kjo, kur bëhet fjalë për integritetin e Maqedonisë, hulumtimi tregon se pjesa më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni hedhin poshtë idenë për ndarje të vendit, përkatësisht 77.5 për qind e shqiptarëve dhe 85 për qind e maqedonasve e mbështesin integritetin territorial të Maqedonisë.

Edhe sipas hulumtimit edhe nga bisedimet Komisioni konstaton se shpërbërja e qetë e Serbisë e Malit të Zi s`do të ketë efekt destabilizues në rajon. Madje hulumtimi tregon se pjesa më e madhe e malazezëve nuk dëshirojnë të ndahen në shtet të posaçëm, ndërsa gjithnjë e më i madh është numri i serbëve të cilët nuk shikojnë nevojë për të mbetur në federatë jofunksionale.

Elemente kryesore të kornizës së re politike

Politika e cila përqendrohet vetëm në çështjet ekonomike dhe sociale, ndërsa i injoron problemet e pazgjidhura statusore u tregua si e dështuar. E njëjta gjë ndodhi edhe me politikën e cila merrej vetëm me statusin, ndërsa i injoronte çështjet ekonomike dhe sociale, ishte e dënuar me dështim. Ballkanit i nevojiten të dyja politikat.

Komisioni angazhohet për qasje të re rajonale. Pavarësia e shteteve të rajonit të Ballkanit është shumë më e rëndësishme se kudo në Evropë. Këto janë tregje të vogla dhe joatraktive. Qëndrueshmëria e tyre ekonomike varet nga krijimi i sferave të përbashkëta ekonomike që do të tërheqin investime të huaja. Në këtë kuptim, qasja rajonale është kusht i domosdoshëm për zhvillim. Në Ballkan, strategjia për aderim drejt Evropës duhet të jetë përzierje e politikës klasike të “ndërtimit të shtetit” me politikën e cila ka për qëllim t`i transformojë shtetet nacionale në shtete-anëtare. “Ajo që i nevojitet Ballkanit është ‘strategji e shtetit-anëtar’”, konsideron Komisioni.

U tregua se procesi i stabilizim-asociimit nuk është kornizë ose garanci mjaft e fuqishme për hyrje të vendeve në BE, e njëherit nuk e reflekton as intensitetin e duhur për involvimin evropian në rajon. Për shkak të kësaj, Komisioni propozon ndërmarrjen e tri hapave. Së pari, gjatë vjeshtës së vitit 2006 të mbahet Samiti i BE-së, qëllimi i të cilit do të ishte që vendeve të Ballkanit t`u prezantohet harta e tyre për hyrje në BE. Në samit duhet të shihen rezultatet e çdo vendi dhe përmbushja e kritereve të Kopenhagës, si dhe BE-ja të vendosë me cilat vende do t`i fillojë negociatat për anëtarësim ose do të nënshkruajë Marrëveshje evropiane për para-qasje për ato shtete që nuk i përmbushin kriteret.

Po ashtu, në samit do të duhej të ketë një prerje të asaj se sa ka investuar deri tani Evropa në rajon, por edhe të japë propozim për “Buxhetin ballkanik”, që në të ardhmen do të bëhej pjesë e Perspektivave financiare të Bashkimit.

Sipas Komisionit, është realiste të konsiderohet se vendet e rajonit mund të shpresojnë në anëtarësim në BE deri në vitin 2014-2015.

Përvoja e Evropës Qendrore dhe Lindore më së miri tregon se si institucionalizimi i perspektivës evropiane është nxitësi më i mirë për reforma politike, ekonomike dhe administrative në vendet aspirante. Kjo nuk do të thotë se ata angazhohen që të gjitha vendet ballkanike të hyjnë bashkë në Evropë, por do të paraqesë tejkalim të frikës te disa shtete se ndoshta tërësisht do të anashkalohen nga ky proces.

Krahas kësaj, Komisioni konsideron se vendet ballkanike duhet që gjatë vitit 2006 të ftohen për anëtarësim në NATO, ndërsa Serbisë e Malit të Zi dhe Bosnjës t`u ofrohet vendi në Partneritetin për paqe dhe stabilizim.

Komisioni i bën thirrje qeverisë amerikane për rol aktiv në rajon, duke llogaritur se vetëm politika e koordinuar BE-SHBA mund t`i ndihmojë rajonit për bashkangjitje sa më të shpejtë drejt pjesës së mbetur të Evropës.

Komisioni propozon, në frymën e vullnetit të mirë, vendet anëtare të BE-së deri në qershor të këtij viti të vendosin Viza program ballkanik për studentë për 150.000 studentë nga Serbia e Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Shqipëria. Komisioni në fund të raportit parasheh se ky ndoshta është raporti i fundit për Ballkanin, ndërsa rrëfimi do të përfundojë në vitin 2014 në Sarajevë, kur Bashkimi Evropian me krenari do ta shpallë ardhjen e shekullit evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›