E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sadik Bejko në kryq të ekzistencës dhe erosit

24/04/2005  Shqetësimet serioze të poetit Sadik Bejko në vëllimin e ri poetik “Fytyra e panjohur”, botime “Ideart”; ekzistenca, vazhdimësia dhe dashuria, çfarë nuk mund ta ulin kokëfortësinë e moshës së poetit

Në ditët e para kur i dhanë librin në dorë gati kaloi “krizë”. Mendonte se vëllimi i tij i ri poetik, “Fytyrë e panjohur”, botime “Ideart”, nuk mund të kishte brenda shqetësimet e tij serioze, që e ngacmojnë rëndshëm në këtë moshë. Poeti Sadik Bejko, kësaj ia hodhi kur thotë se tani qartësia e tij i kapërcen kufijtë, ato gardhe ndjesore që mund ta ndalonin deri dje.

Të shkruash poezi në moshën 60-vjeçare paskësh dy arsye; ose kërkon të kapësh me thundra rininë, ose brenda teje ekziston rinia e përjetshme. Disa mund të kërcejnë e ta quajnë “të vonuar intelektualisht”. Shqetësimi erotik, a antkhi i ekzistencës ndjesore në këtë vëllim poetik (shumë përjetues), e afrojnë Bejkon në realen njerëzore, por që e stimulon për të mos pyetur për moshën e poetit.

Poezitë e ngarkuara, me mbishtresime simbolesh, sa mitologjike, biblike a popullore, i kanë dhënë dorë poetit të sofistikojë arsyen. Ndërsa, zbuluar, ai derdhet në meditime erotike, të paturpshme, kokëfortë për të mos lëshuar burrninë.

Kjo jo për të qenë thjesht modern, por poezia është rruga e vjetër e Bejkos, e njeriut gur, dru, lumë, mulli, kulumbri, kur bie drita a qielli mbushet me yje të bardhë. Një demonizim simbolesh, që vijnë në frymën e alegorisë së të tërës, ashtu siç dhe u shkrua poezia, në një moment-kohë për të qëndruar me veten. Kjo është sot “fytyra e panjohur” e poetit, i çliruar nga “shqetësimet”. Por me dilemën se nuk do të mund të shkruaj më poezi.

Sapo keni dalë me vëllimin e ri poetik “Fytyrë e panjohur”, asnjëherë i tunduar nga zhanret e tjera, si erdhën këto vargje?

Kohët e fundit kam shkruar shumë eseistikë dhe krahas kësaj kam ndjekur rrugën time të vjetër të poetit. Libri “Fytyrë e panjohur” është shkruar në gjashtë-shtatë muajt e vitit që shkoi. Duke shkruar esetë, më dukej sikur nuk do të bëja një libër me poezi, ndërkohë krijoja. Miku im, Gentian Çoçoli, më kërkoi nja dhjetë poezi, dhe kështu m’u desh të mendoja më gjatë për to. Mirëpo të gjitha ishin mbështjellë në një bllok të vogël shënimesh, që i kisha mbajtur me vete, ku kisha hedhur motive për poezi, ndonjëherë poezi të plota apo fillim poezish. Në një farë mënyrë kisha krijuar një si materie, lëndë të parë, nga të cilat mund të dilte një libër, por nuk mendoja kurrë se ishte një libër. Aq më tepër që nuk kisha unë dëshirën të kisha një libër. Pas porosisë së mikut tim u ula të krijoj poezitë, që më sollën te ky libër. Megjithëse nuk isha i sigurtë, ai ishte një libër. Një arsye tjetër, që nuk kisha ndërmend të bëja poezi, është se në përgjithësi më janë dashur disa vjet për të bërë një libër. Ashtu siç kanë qenë pengesat e botimeve. Asnjëherë nuk kam nxjerrë një libër kur kam dashur unë. Zakonisht ndodh që librat të dalin mjaft të trashë, ngaqë vonohet shumë procesi i botimit. Përgjithësisht, kjo ka ardhur nga mënyra e marrëdhënieve që kanë pasur tek ne shkrimtarët me botuesit, sigurisht me shtetin që ishte dje. Asnjëherë nuk kam botuar një libër kur më ka dashur zemra.

Një shkrimtar ka momentin e tij krijues, ose fati i tij godet në rastësi, pa përmendur moshën a kohën. Mbi ç’ditar lirik janë hedhur poezitë tuaja?

Përgjithësisht thuhet se librat nuk janë gjë tjetër veçse ditari lirik i jetës së brendshme të një shkrimtari, në një moment të caktuar kohor, ku, si njerëz, krahas detyrave të tjera, ka dhe një përrua të brendshëm të ndërgjegjes së vet. Aty grumbullon brenda tyre qoftë zi a gaz, të të gjitha llojeve të sfumaturave të ndjenjave, deri forcës dhe karakterit. Pikërisht këtë lloj përroi apo rrëkeje të brendshme shpirtërore, zakonisht një shkrimtar ka të drejtë ta grumbullojë, ndërsa ajo rrjedh, ikën çdo ditë. Ti ndal kohën në një farë mënyre, sepse fikson një emocion. Jo gjithmonë ndodh, që në rrjedhë e sipër t’i shkruash të gjitha. Por duke u grumbulluar në një ditar, ato, më pas ndihmojnë njëra-tjetrën. Ai libër gati-gati është i një fryme. Në jetën e përditshme ne bëjmë role, por nuk jemi të tillë realisht. Jemi njerëz, ndaj këtu është përfshirë pjesa njerëzore. Momenti në këtë libër sjell një njeri, në një moshë siç jam unë, që ka arritur të 60-at dhe që zakonisht quhet jo moshë e poezisë. Dhe gati-gati, kur në këtë moshë tregon se shkruan poezi, sidomos për një lloj opinioni në Shqipëri, ndoshta dhe në botë, mbase të thonë se paska mbetur i ri ose qenka pak i vonuar intelektualisht. Në fakt, kjo është mjeshtëria ime, profesioni im dhe, unë këtë mënyrë kam zgjedhur për të komunikuar akoma në këtë moment me lexuesin.

Ka një lloj paralelizmi në poezinë tuaj, kokëfortësi dhe kohë përballë moshës. Altruizëm, këmbëngulës, ç’mund të thuhet për moshën e poetit, poezisë së tij?

Nëse vitet bëjnë të tyren dhe një ditë ne duam apo nuk duam ikim nga parajsa e rinisë, parajsa e moshës së forcës. Kjo nuk do të thotë që ne jemi të përjashtuar nga të ndjerit me njomështinë, dhe ndaj gjithçkaje që është e bukur. Në një farë mënyre njeriu është i përjashtuar në një moshë nga disa lloj ndjenjash, që të tjerët i provojnë dhe kanë të drejtë t’i provojnë. Në këtë rast krijohet një largim nga parajsa, ikje nga diçka që në një moshë të caktuar të përket dhe në një tjetër jo. Ajo që të ngulësh këmbë, që të kultivosh brenda vetes tënde rininë, ndjenjat e bukura, ngandonjëherë duke u vënë në kundërshtim me moshën tënde, këtu hyn besoj në atë aventurën e shpirtit njerëzor, i cili nganjëherë duhet të jetojë dhe me rrezikun dhe të pamundurën. Por ai do të provojë për të qenë i tillë. Ne gjithmonë kemi ndeshjen shpirtërore, fizike, të materiales dhe falë tyre ne kalojmë sprova ndonjëherë të gëzueshme dhe jo shumë të tilla.

Ky vëllim poetik ka dhe natyrë mediative erotike, madje, disa herë është e paturpshme. ǒështë ky “karakter” i dytë, pse në këtë zonë të nxehtë gati në demonizëm?

Një kuptim e preka dhe pak më lart. Shoqëria i paragjykon moshat, kur je shumë i ri thonë prit se nuk të ka ardhur koha, kur je i martuar të thonë ul kokën, shiko punën tënde, kur fillon e thinjesh të thonë se tani je zbardhur, ç’të duhet. Shoqëria gjithmonë e ka paragjykuar njeriun, i ka vënë disa kufij, që deri ku ka të drejtë. Mirëpo, ja që për djall, jemi njerëz. Dhe, megjithëse luftojmë dhe mbi këtë libër është luftuar që të mos kem të drejtë, po si duket nuk e kam arritur dot.

Mos është kjo një arsye që poezia juaj përfshin simbolikë pagane siç është druri, mulliri, kulumbria etj?

Tema e drurit është një nga temat që lëvrohet në të gjithë poezinë time. Libri, në fakt, nuk është i marrë nga kujtesa. Këtu nuk kam shpjeguar memorien time, të kaluarën. Ky libër është prerë në një frymë, në një moment të caktuar. Dhe ajo pjesë, ku disa thonë se poezia është kujtesë, në fakt është një përjetim momenti. Dhe kjo patjetër ka elementë të një përvoje, të një kujtese të mëparshme, të jetës së njeriut. Nëse këtu në libër është dhe mulliri, druri, kulumbria, guri etj., janë disa nga elementët më primordialë të jetës njerëzore. Pak a shumë janë të gjitha imazhe, që udhëtojnë me mua qysh nga fëmijëria ime. Natyrisht, ato janë si një lëndë me të cilët është ndërtuar poezia. Nuk është poezi fshatare, as qytetare. Më tepër është një poezi me prerje midis poezisë meditativo-erotike, por kjo prap është në plan të dytë. Ky është një përjetim mbase diku i hidhur, a me ironi. Kjo është situata, që siç thashë dhe më parë, njeriu ndjen largimin nga disa gjëra dhe mbajtjen e të tjerave që janë të rëndësishme dhe universale - dëshira për të jetuar.

Poezia juaj është e lëshuar tërësisht në momentin meditues. Sa duhet të kujdeset një poet për raportet e konkluzionit, dhe një rast më të vështirë kur kjo është plot me simbolikë, siç është “Fytyra e panjohur”?

Këtu ka disa simbole mbi një materie që vjen nga jeta, fëmijëria ime. Një shtresë e dytë simbolesh vijnë nga letërsia biblike. Ndonjëherë ka simbole të marra nga poezia popullore shqiptare, pra mbërri në një shtresim të trefishtë. Zakonisht simbolet nuk shpjegohen, sapo të shpjegohen ato shterren. Sigurisht, ajo shpjegohet vetëm në rastet e mënyrave të leximit nga një lexues te tjetri, duke krijuar mënyra të ndryshme leximi dhe interpretimi. Por e përgjithshmja e sigurisë së simboleve është se ajo vazhdon të jetojë në poezi, ose mbetet dhe përtej shkrimtarit, nëse nuk janë simbole të ngritura mbi bazën e alegorisë. Në këtë rast, këtu është përdorur një simbolikë që të lejojë mundësinë e leximeve të tjera dhe jo të konkluzioneve të prera, pavarësisht se poezitë mbyllen në njëfarë mënyre. Dhe autori kërkon të japë një formë të rrumbullakosur të mendimit të vet. Nëse ajo mbyllet si poezi, ka diçka te materia e saj, që ndonjëherë dhe vetë autori nuk e di. Pikërisht këtu dua të bëj një sqarim; autorët më të mirë thonë se janë ata të cilët e lëshojnë veten e tyre në të shkruar, që nuk e komandojnë dhe ngandonjëherë i besojnë atij momenti të të shkruarit, duke futur pak a shumë një lëndë që është irracionale me veprat e veta. Sepse autori nuk mund të jetë njëkohësisht dhe ai që shprehet, shkruan dhe ai që komenton vetveten në të njëjtin moment. Ai duhet t’i besojë atij.

Te poezia juaj shfaqet dhe një koncept tjetër, po të marrim si shembull poezinë “Të bjerë drita”, e shumë të tjera që kanë një lloj përpjekje drejt të pamundurës, gati platonike, ashtu si ekzemplari i disa poezive shqiptare të viteve ’30. Çfarë e shtyn një poet drejt të parealizueshmes?

Gjithë qeniet njerëzore kanë dëshirë të jenë të realizuar. Por ndonjëherë jeta nuk është e bërë që ne të realizohemi. Të gjithë qeniet njerëzore duan të jenë të lumtura, por ana njerëzore, mbase është bërë që ne të mos jemi plotësisht të lumtur. Në plan të parë njeriu mund të thotë se është i lumtur, pasi ka një emër, ka një gjendje ekonomike, ka disa miq, ka një fëmijë. Dhe mendohesh që jeta shumë i paska dhënë këtij njeriu, por çfarë ka që nuk shkon?! Pra, ne jemi qenie të papërkryera dhe vetvetiu brenda vetes kërkojmë diçka më shumë. Kjo ndoshta është një nxitje te njeriu, që ai të mbërrinte deri në Hënë me aventurën e tij. Nëse synimi ynë është një hënë në horizont, - po të vemi në një majë kodre ne kujtojmë se do ta kapim atë. Por sa të arrijmë atje, Hëna ka kërcyer në horizonte a në majën e një kodre tjetër dhe, ne asnjëherë nuk do ta arrijmë. Atëherë është shumë më e lehtë që të shkojmë në shtëpi, të mbyllemi, të flemë gjumë dhe të mos kërkojmë Hënë. Por, në fakt, ne e kërkojmë atë.

Pas këtij vëllimi do të vazhdosh të shkruash poezi, pasi dukeni në dilemë?

Gjithë ky libër për mua ka qenë plotësisht i rastësishëm. Dhe në momentin që ai u bë, nuk kisha më mundësi ta fusja në thes, e të mos e botoja. Nuk kam plane të shkruaj më për poezi, natyrisht nuk di se çfarë do të bëj, sepse nga eksperienca ime, një libër me poezi është gjithmonë vështirë për t’u shkruar. Mund të planifikosh një libër të një natyre tjetër, por jo poezi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›