E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Vidohovës,në hetim shefi i policisë

 Trazhgim SokolajShefi i sektorit të policimit në komunitet në komisariatin e policisë së Devollit dërgohet për ndjekje penale në prokurorinë e Korçës, pas masakrës së ndodhur në fshatin Vidohovë ku tre vëllezër u vranë nga shtetasi Besim Karaj. Një grup hetimi i Ministrisë së Brendshme dhe policia e Korçës, ka filluar verifikimet ndaj policisë së Devollit, menjëherë pas akuzave të bëra në media nga babai i tre vëllezërve të vrarë me armë në qendër të fshatit. “Menjëherë pas deklaratave të bëra në media nga babai i tre vëllezërve, një grup hetimi u angazhua në verifikimin e ankesës. Janë kryer disa veprime hetimore në policinë e Korçës dhe Devollit si dhe është marrë kontakt me familjarët e palës së dëmtuar. Në përfundim të këtyre procedurave, është referuar në Prokurorinë e Korçës, dosje penale me akuzën “shpërdorim detyre” ndaj shefit të sektorit të policimit në Komunitet në komisariatin e Devollit, me iniciale S.P”, thanë burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme. Sipas tyre, me hetimin e ankesës së familjarëve të tri viktimave të ngjarjes, është marrë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.Parandalimi i masakrësTre vëllezërit, Taulant, Xhilian dhe Edlevan Mulliri të cilët gjetën vdekjen pasi u qëlluan me armë nga shtetasi Besim Karaj, kanë pasur përplasje të vazhdueshme me autorin e krimit, para se të ndodhte masakra. Duke qenë se të dy palët banonin në një fshat, shpeshherë ata kanë pasur grindje dhe incidente mes tyre duke përfunduar deri në polici. Sipas hetimeve të Ministrisë së Brendshme ka rezultuar se shefi i sektorit të policimit në komunitet në komisariatin e Devollit ka qenë në dijeni të ankesave që babai i tre vëllezërve, shtetasi Xhevahir Mulliri kishte paraqitur në polici ndaj Besim Karajt. Ka qenë fjala për ankesa dhe lajmërime në polici lidhur me shkëmbimin e konflikteve verbale mes vëllezërve dhe autorit të masakrës. Sipas Ministrisë, në policinë e Devollit janë bërë disa herë ankesa të tilla ndërsa policia ka thirrur palët, konkretisht vëllezërit Mulliri dhe shtetasin Besim Karaj, duke “i pajtuar”. Mosveprimi i policisë që Devollit dyshohet se ka qenë momenti i kontrollit në banesë ose fillimit të çështjes penale ndaj Besim Karajt. Sipas ministrisë së Brendshme policia duhej të kishte ushtruar kontroll në banesën e autorit të masakrës, për të cilin ankohej babai i vëllezërve. Kjo do të kishte shmangur ndoshta ngjarjen e rëndë në rast se 35-vjeçarit i bllokohej arma e krimit. Po kështu, policia e Devollit, sipas Ministrisë së Brendshme duhej të kishte referuar çështje penale në prokurori për përplasjet dhe fërkimet mes palëve. Për këto shkaqe, dosja e këtij hetimi i ka kaluar për vlerësim Prokurorisë së Korçës e cila pritet të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Akuzat e babaitXhevahir Ulliri, babai i tre vëllezërve të vrarë me armë në Vidohovë të Devollit, ka lëshuar akuza të forta ndaj policisë menjëherë pas ngjarjes. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai është shprehur se ekzekutimi i djemve të tij “ka qenë një vrasje e paramenduar. “Prej gati dy muajsh ne jemi ndier të kërcënuar nga Besim Karaj. Ai na ka ardhur disa herë në banesë për të na kërcënuar. Të gjitha herët ishte i armatosur. Madje edhe natën dilte me armë automatike në fshat dhe kërcënonte se do të vriste djalin tim, Taulantin. Thoshte se do të na vriste dhe do të na zhdukte të gjithëve”, ka thënë babai i tre djemve. Ai ka pohuar më tej se “jemi ndier vërtet të kërcënuar nga Besimi dhe u detyruam të ankohemi në komisariatin e Devollit. Por policia nuk mori asnjëherë masa që të parandalonte këtë që ndodhi”. Policia reagoi pas akuzaveTIRANE – Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj ka deklaruar pak ditë pas masakrës së Vidohovës, pas kapjes së autorit të saj, se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm do të hetonte të gjitha pretendimet e familjarëve ndaj policisë. Po kështu Ministria e Brendshme u angazhua në verifikimin e akuzave të bëra nga familjarët e viktimave.Vëllai i tretë vdiq në spitalBesim Karaj, tashmë i arrestuar për masakrën e ndodhur në Vidohovë qëlloi me armë zjarri tre vëllezërit, Taulant, Xhilian dhe Edlevan Mulliri më 29 janar 2010. Nga breshëria e plumbave në qendër të fshatit gjetën vdekjen e menjëhershme dy vëllezërit, Taulanti dhe Xhiliani. Njëri prej tyre ishte akuzuar nga Besim Karaj për lidhje intime me gruan e tij. Nga masakra u plagos edhe vëllai i tretë Edlevan Mulliri i cili u dërgua fillimisht në spitalin e Korçës dhe më vonë në spitalin Ushtarak ku gjeti vdekjen një ditë pas ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›