E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku, zgjaten afatet për dy vëllezërit trafikantë

14/01/2005  

Zgjaten deri në 11 mars afatet e hetimit për të pandehurit, Meritan e Stefan Sula dhe Besjan Rama. Të pandehurit akuzohen se, që nga viti 1997 e deri në fund të 2003-shit, kur janë vënë në pranga, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme para. Me këto para, ata kanë bërë të mundur blerjen e një skaneri për qytetin e Fierit. Prokurori Etjen Kapo, tha se zgjatja e afateve u bë për të pritur materialet nga shteti belg, ku mendohet se tre të pandehurit kanë ushtruar veprimtarinë kriminale. Sipas akuzës, ata kanë trafikuar në këtë shtet shumë femra, por në polici janë akuzuar nga Elizabeta Shpati. Zgjatjen e afateve të hetimit e kanë kundërshtuar të pandehurit, nëpërmjet avokatëve të tyre. Por kërkesa nuk është marrë parasysh dhe është rrëzuar nga gjykata. Elizabeta Shpati është nga fshati Drizë i Fierit. Ndërsa pritej letërporosia, vajza nga fshati Drizë i Fierit merret në pyetje nga prokurorët. Ajo arrin të implikojë në trafikim edhe shtetasin Besjan Rama, po nga ky fshat. Vajza është shprehur se, Besjani i ka nxjerrë pasaportën në vitin 1999 deri në 2003, pasaportë që e ka ndihmuar të bëjë prostitutën. Veç kësaj, vajza është shprehur se Besjan Rama, ka trafikuar në Belgjikë edhe një vajzë tjetër, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur. Me këto deklarime, Besjan Rama vihet në pranga dhe në datë 28 korrik 2004, gjyqtarja Flora Hajredinaj vendos masën e sigurimit, burg pa afat. Në 31 tetor u komunikohet masa me burg pa afat dy vëllezërve Sula. Krimet e Rënda dje kanë shtyrë të gjitha proceset gjyqësore. Shkak janë bërë mungesa e prokurorëve, dëshmitarëve dhe avokatëve mbrojtës. Kjo gjendje vazhdon pothuajse për çdo ditë në gjykatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›