Fatos Lubonja fiton duelin me Koço Kokëdhimën në Apel
14/01/2005 Fatos Lubonja ka fituar dje në Gjykatën e Apelit gjyqin me Koço Kokëdhimën, botues i sh.a "Spektër". Gati një vit më parë, Gjykata e Tiranës me vendim të saj detyroi publicistin dhe analistin Lubonja të paguajë një dëm moral prej 2 milionë lekësh, në adresë të Koço Kokëdhimës. Padia në Shkallën e Parë u bë nga Kokëdhima. Shkak për të dërguar Lubonjën në gjykatë dhe për t'i kërkuar një dëmshpërblim prej 100 milionë lekësh, u bë largimi i tij nga gazeta. Botuesi i gazetës "Shekulli", pretendoi në gjykatë se Fatos Lubonja ishte larguar nga gazeta pa lajmëruar, ku prej disa vitesh punonte si analist dhe paguhej jo keq. Këtë largim, Kokëdhima tha se e kishte mësuar nga gazetat e tjera, madje, edhe arsyen e kishte marrë vesh me vonesë. Para gjykatës, Lubonja është shprehur se u largua nga "Shekulli", pasi në dy raste me shkrimet analizë, "Politikanët shqiptarë dhe lufta në Irak" dhe "Drama midis shqiptarëve", është censuruar. Këtë censurë, Lubonja tha se nuk e pranonte, madje, një herë shkrimi nuk i është pranuar për t'u botuar. Midis Kokëdhimës dhe Lubonjës ka patur kontradikta të shumta pas këtyre momenteve. Deri sa çështja përfundoi në gjyq. Kokëdhima ka thënë në gjykatë se, me largimin e tij, Lubonja ndikoi në uljen e tirazhit të gazetës dhe prishjen e imazhit të saj. Lubonja nuk qe dakord me vendimin e Shkallës së Parë. Çështja shkoi në Apel. Dje, Gjykata e Apelit hodhi poshtë të gjitha pretendimet e Kokëdhimës, duke i dhënë të drejtë Fatos Lubonjës. Pala që përfaqësonte Koço Kokëdhimën në Apel mungonte.