E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti Studenti, afatet dhe procedurat e regjistrimit

Ka nisur procedura e regjistrimit në Qytetin Studenti. Prej ditës së sotshme në bujtinat e këtij institucioni do të mund të regjistrohen 6.400 banorët e ardhshëm të QS-së. Tarifa e regjistrimit do të jetë 30 mijë lekë të reja në vit, ndërkohë që aplikuesit do të mund të kenë internet 24 orë në ditë, me vetëm 300 lekë të reja në muaj. Studentët që kanë qenë edhe vitet e kaluara në Qytetin Studenti do të kenë përparësi dhe procedura më të lehta regjistrimi.

Regjistrimi

“Studentët që i përkasin TS-1 sh, viti i parë dhe studentët viti 2-6 të afishuar në listë, pasaporta të shpallura në çdo bujtinë për vitin akademik 2008-2009 për regjistrim e strehim në bujtina, do të regjistrohen pranë bujtinave”, – përcakton Drejtoria e Qytetit Studenti. Dokumentet e nevojshme për regjistrim do të jenë certifikatë me fotografi personale e 3 muajve korrik–tetor 2008, 3 fotografi, vërtetim nga fakulteti ku ndjek studimet i firmosur e i vulosur dhe raport mjekësor. Ndërkohë që për mënyrën e pagesës ajo do të kryhet në metoda të ndryshme.

Kështu, studentët që do të regjistrohen për herë të parë në Qytetin Studenti do të duhet të kryejnë pagesën me lekë në dorë pranë bujtinave përkatëse. Ndërkohë, që studentët që kanë qenë të regjistruar vitet e kaluara, pra për ata që janë në vit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë ose të gjashtë, pagesa do të bëhet në llogaritë bankare të QS, në Bankën Kombëtare Tregtare, ose në “Banca Italiana di Svilupo”.

Interneti

Këtë vit aplikuesit për në Qytetin Studenti do të jenë 400 më shumë se një vit më parë, sipas drejtorisë së këtij institucioni dhe të gjithë do të kenë mundësi interneti në dhomat e tyre. Ata që do të pranohen e që do të jenë studentë të viteve të para ose të regjistruar më parë në këtë institucion, do të mund të marrin internet në dhomat e tyre vetëm me 300 lekë në muaj.

“Për herë të parë në historinë e tij, në Qytetin e Studentit ofrohet shërbimi i internetit në çdo dhomë. Si në shumë vende perëndimore edhe studentët shqiptarë do të kenë mundësi të përdorin internetin 24 orë kundrejt një pagese prej 300 lekësh në muaj”, – njofton drejtoria e QS-së. Në Qytetin Studenti ekzistojnë edhe dy godina për familjarë, si edhe dy godina private.

Dokumentet e regjistrimit

Certifikatë me fotografi personale e 3 muajve (korrik–tetor 2008)

3 fotografi

Vërtetim nga fakulteti ku ndjek studimet i firmosur e i vulosur

Raport mjekësor

Pagesa

Për studentët e vitit të parë, pagesa bëhet pranë bujtinave

Për studentët e viteve 2-6, pagesa bëhet pranë bankave BKT ose BIS

Bankat

BKT (Banka Kombëtare Tregtare), nr llog. 403002295 të Trajtimit të studentëve nr. 1 sh.a.

BIS (Banca Italiana di Sviluppo), nr llog. 6937 të Trajtimit të studentëve nr. 1 sh.a.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›