E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, strategjia për listat dhe zonat elektorale



Meta zbardh emrat dhe punon si në sistemin e vjetër

Rama, besnik i Kodit të ri Zgjedhor

PS-LSI ndajnë strategji të ndryshme në ndarjen e zonave elektorale dhe zbardhjen e listave të kandidatëve për deputetë. Kryetari i Partisë Socialiste vijon t’u qëndrojë besnik sanksionimeve më të reja në Kodin Zgjedhor, ndërsa LSI-ja në këtë pikë po zbaton sistemin e vjetër, duke zbardhur emra e duke përcaktuar zonat ku kandidatët duhet të fokusohen. Të ndara në mjaft çështje me pikëpamje të ndryshme, dy partitë e majta kanë gjetur një tjetër arsye që e dallon funksionimin e tyre.

Ndarja

Partia Socialiste po tregohet mjaft e ngurtë në zbardhjen e elementëve të fushatës zgjedhore, duke përfshirë këtu edhe emrat e kandidatëve për deputetë. PS-ja e ka mbështetur punën e saj me bazën si një grup pune ku janë përfshirë të gjithë dhe askush nuk është në dijeni se çfarë e pret për më tej. Kjo vlen më tepër për deputetët aktualë, të cilët aspirojnë që të jenë sërish në listë, por e ardhmja e tyre mbetet ende një pikëpyetje e madhe në duart e kryesocialistit Rama. Nuk ka emra, nuk ka zona, nuk ka influenca. Për momentin strukturat e partisë janë përfshirë nga ethet zgjedhore dhe duket se çështja e listës së kandidatëve është ndër problemet e fundit që Rama do t’i japë zgjidhje. Para pak ditësh, Rama lëshoi një tjetër paralajmërim që ka të bëjë me listat zgjedhore. “Mos shëtisni shumë nëpër zona se është tjetër sistem ky”, - u shpreh ai.

Ndërsa LSI-ja nga ana e saj është duke ndjekur një tjetër strategji. Në pamje të parë puna duket e bazuar si në sistemin e vjetër, ku emrat e kandidatëve bëheshin publikë shumë kohë para zgjedhjeve dhe secili prej tyre kishte një zonë të caktuar për të punuar nga ku priste të rezultonte me mandat deputeti, me disa përjashtime të vogla. LSI-ja ka zbardhur emrat e parë të listës së kandidatëve në 12 qarqet e vendit, por qarku i Beratit është rast i pastër i funksionimit të strategjisë së kësaj partie. “De facto”, qarku është i ndarë në katër pjesë dhe janë prezantuar kandidatët, secili për të marrë sa më shumë vota nga kjo zonë që i është caktuar, edhe pse sistemi e parashikon ndryshe. Strategjia e zgjedhur nga LSI-ja pëlqehet nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë ende asnjë ide se në çfarë zone do të kandidojnë dhe sipas ndarjes ku bazohet LSI-ja do të kishin idenë nëse do të jenë në listë apo jo.

Përveç Lëvizjes Socialiste për Integrim asnjë parti tjetër nuk ka publikuar emrat e listës së kandidatëve për deputetë. PS-ja pritet që t’i qëndrojë besnike sanksionimit në Kodin Zgjedhor dhe t’i shpallë ata vetëm 45 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve në 28 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›