Fullani, njohuri ekonomike për nxënësit e gjimnazit “Partizani”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, zhvilloi dje një takim me nxënës dhe mësues në gjimnazin “Partizani” të Tiranës, rreth temës “Edukimi kushton, por nuk ka çmim!”. Ky aktivitet është pjesë e programit të edukimit “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, i cili po zhvillohet nga Banka e Shqipërisë që prej 3 vjetësh. Ashtu si në aktivitete të tjera të këtij lloji, takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi të lirë, mbi përgjegjësitë dhe objektivat kryesore të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, biseda me nxënësit u përqendrua në rëndësinë e edukimit ekonomik e financiar për brezin e ri dhe rëndësinë që ai ka për funksionimin e një ekonomie të shëndoshë, ku njohuritë financiare kanë një rol konkret në jetën e gjithsecilit. Ky takim ishte i veçantë në llojin e tij, pasi nxënësit e gjimnazit “Partizani” biseduan me guvernatorin jo vetëm lidhur me rolin e bankës qendrore, por edhe mbi çështje të përgjithshme që lidhen me situatën aktuale ekonomiko-financiare, brenda dhe jashtë vendit. Duke sjellë si shembull fjalët e ekonomistit të madh anglez, Alfred Marshall, mbi “studimin e sjelljes financiare të njerëzve në jetën e përditshme”, zoti Fullani u shpreh se mënyra më e mirë për të pasur sukses është të ndihmojmë njerëzit që të kuptojnë lidhjen mes ekonomisë dhe jetës së përditshme.