Si parandalohet një sulm terrorist?
“Mend për herë tjetër” për norvegjezët, të cilët duhet të jenë më të kujdesshëm e të ndërmarrin masa për të fortifikuar mbrojtjen e vendit të tyre e për të rritur kontrollet prej policisë. Autoritetet kanë bërë të ditur se në vijim do të jenë shumë të kujdesshëm e do të hetojnë manifestimet e ndonjë anti-myslimani ekstremist, që tenton të paraqitet si një udhëheqës “Templar” mesjetar. Sulmi i së premtes në Oslo nga Anders Behring Breivik u dha disave një “mësim” të mirë: duhet marrë parasysh se në mbarë botën ekzistojnë kulte vrasëse, disa në vende myslimane dhe disa të tjera në zemër të Evropës. Si zakonisht, disa nga sulmuesit do të shpallen të çmendur nga gjykatat, por të tjerët do të kenë një logjikë të kthjellët e diabolike, kështu që bota duhet të jetë në gatishmëri për të gjithë ata. Achenbach thotë: “Ne jemi të gjithë norvegjezë”, kurse Lane nënvizon: “e rëndësishme për momentin është drejtësia e ‘butë’ norvegjeze”. Herën tjetër ka shumë mundësi që zgjedhja e armëve të mos jetë një bombë dhe një pushkë gjysmë-automatike, si në rastin e sulmuesit të Oslos, i cili vrau 76 njerëz. Të “Çmendurit” mund të kenë një akses të lehtë tek armët bërthamore dhe të asgjësojnë mijëra njerëz. Si në shumë raste terroriste, përfshirë këtu edhe aksionet e ndërmarra nga Al-Kaida. Ekstremisti i fundit dhe “vepra” e tij nuk duhet të na surprizojë, sepse ai i kishte bërë të ditur, në internet, pikëpamjet e tij anti-emigrante. Për të kuptuar e për t’u bërë ballë rreziqeve që vijnë nga këto ekstremistë, unë rekomandoj një raport ose projekt të ri nga Richard Danzig dhe kolegët e tij për një “siguri” të re amerikane. Ky është një studim për të ndaluar këto akte terroriste, bazuar mbi rastin e vetëm të një grupi terrorist, që ka përdorur në masë e me “sukses” lëndë kimike, dhe me këtë i referohem kultit fetar japonez “Aum Shinrikyo”. Ky kult ka helmuar sistemin e metrosë në Tokio, një gaz vdekjeprurës që prek sistemin nervor, i “pagëzuar” me emrin “sarin”. Ky rast i tmerrshëm ndodhi në vitin 1995, duke shkaktuar 13 të vdekur dhe 6.252 të plagosur. Raporti i Danzig, i bazuar në intervistat e anëtarëve të burgosur të kultit gjatë tre viteve të fundit, tregon se si ekstremistët janë të drejtuar gjithnjë e më shumë drejt armëve bërthamore. Dhe kjo rezulton në pakujdesinë e policisë, deri në momentin kur ndodh edhe tmerri i vërtetë. Edhe pse policia japoneze kishte dëshmi e fakte që Aum Shinrikyo prodhonte armë kimike, ata nuk mundën t’i ndjekin penalisht ata, për shkak se nuk ka asnjë ligj në Japoni, i cili ndalon prodhimin e gazit helmues!
Raporti nënvizon gjithashtu edhe disa pika interesante. Në këto kulte terroriste ekziston një lloj vet-kufizimi, një “ligj” mbi fshehtësinë dhe hierarkinë që ndonjëherë i pengon ata nga përdorimi i materialeve, të cilat mund t’i posedojnë me lehtësi. Përpjekjet e tyre janë të vazhdueshme deri në përmbushjen e “detyrës”. Ky konstatim me siguri i përshtatet Al-Kaedës, “zotërve” të gjykimit, kjo vlen edhe për grupet e tjera, emrat e të cilëve nuk do ti dimë, derisa të shfaqen me tituj të përgjakur, si në rastin e Breivik dhe vizionit të tij Templar. Historia Aum Shinrikyo fokusohet mbi një lider mjekrosh e gati-gati të verbër, i cili i përkiste një kulti japonez dhe e quajti veten Shoko Asahara. Në fillim, grupi ishte një grup paqësor, adhurues i Yoga-s dhe i “pastrimit të shpirtit”, "Budizmit origjinal", por shumë shpejt, ai ndërmori një mision politik. Asahara e torturoi gruan e tij derisa ajo e pranoi këtë vizion. Ai nisi të eksperimentonte me toksina që në vitin 1989 dhe i përdori ato për të vrarë një anëtar të kultit të vet, të cilin e konsideronte tradhtar të këtij vizioni. Faktori i përbashkët i Asahar-ës, Breivik-ut norvegjez dhe Al-Kaedës është përqafimi i skemave për vendosjen e rendit, bazuar mbi idetë e tyre politiko-fetare. Asahara e mori frymëzimin nga eksperimentet shkencore të bazuara ose duke imagjinuar prodhimin e armëve me rreze që mund të avullonin njerëzit dhe të shkatërronin lidhjet tokë-hapësirë. Aum Shinrikyo u përpoq shumë herë për të arritur me sukses sulmin e vitit 1995, në metronë e Tokios. Prodhimi fillestar i toksinës botulizëm ishte i padobishëm e pa rrezik. Kjo u provua kur një anëtar i kultit aksidentalisht ra mbi të dhe nuk pësoi asgjë. Një përpjekje tjetër ishte ajo e testimit, për të vrarë 2 mijë minj, e cila edhe dështoi. Plani për të spërkatur me antraks dështoi gjithashtu, shkak ishte një spërkatje jo edhe aq efikase. Grupi bëri përpjekje të panumërta për të përdorur për vrasje gazin nervor “VX”, por pa sukses edhe kjo përpjekje. Përpjekjet përcillnin njëra-tjetrën dhe më në fund ia dolën mbanë, me gazin nervor “sarin”. Sulmi i parë u bë në vitin 1994, e cila ishte një përpjekje për të vrarë gjyqtarët që kundërshtonin Aum Shinrikyo në një rast komercial, por gazi nervor shpërtheu gabimisht në në një kompleks apartamentesh , duke vrarë tetë dhe plagosur 200. Një vit më pas erdhi edhe sulmi i tmerrshëm i metros së Tokios. Pavarësisht se ky sulm ishte i “reklamuar” dhe i paralajmëruar nuk arriti të parandalohej. Danzig dhe bashkë-autorët e tij paraqiten një pikë thelbësore, duke thënë se “kur ke të bësh me këto grupe okulte e ekstremiste, është si të luash ruletë ruse”. "Shumë armë e lëndë toksike kanë dalë të padëmshme, por disa të tjera kanë rezultuar fatale për jetën e shumë njerëzve". Një tjetër plumb “plasi” të premten e kaluar, dhe ne jemi mëse të sigurtë që do të përballemi me situata të njëjta në të ardhmen. Çudia më e madhe qëndron tek habia jonë kundrejt kësaj situate.