Qeveria nxit studimin e mekanizmit për peshkëzimin e ujërave të ëmbla
Si një problem serioz, kryeministri identifikoi nivelin e ulët të peshkëzimit të ujërave të ëmbla. Në këtë drejtim, Berisha kërkoi studimin e mekanizmit për pëshkëzimin e ujërave të ëmbla, liqene dhe rezervuare dhe përfshirjen e peshkëzimit në skemën e subvencionimit. “Problem shumë serioz del problemi i peshkëzimit, i cili ka ‘mbetur jetim’. Shqipëria është një vend që ka 640 rezervuara artificiale dhe po kaq liqene. Detyrimisht, zoti Ministër i Mjedisit, peshkëzimi i tyre do përfshihet në skemën e subvencionit. Së pari, duhet të inkurajojmë e të stimulojmë fermat e rasatit të peshkut të ujërave të ëmbla. Ka tre ferma, por nuk ua blen askush rasatin. Ky është një problem shumë serioz, sepse ujërat i kemi dhe peshkëzimi nuk bëhet. Ministria duhet të ketë projekt të peshkëzimit të të gjitha liqeneve e rezervuareve të vendit. Ne duhet të kompensojmë sa më shpejt kohën që kemi humbur, vakumin që kemi krijuar në peshkëzimin konstant të tyre. Në kaskadën e Drinit, një nga rezervuarët më të mëdha, secili nga liqejtë e saj duhet çdo vit, të marrë miliona rasat peshku. Por janë 640 rezervuare, nga të cilët 240 janë në administrim nga komunat. Do të bëhet skema e dhënies me koncesion të peshkëzimit dhe stimulimit të peshkëzimit të tyre. Përveç liqenit të Ohrit, diçka edhe në Prespë, ne nuk kemi një praktikë të qëndrueshme peshkëzimi në ujëra të tjera. Detyrimisht edhe në Shkodër, në Bunë dhe në të gjithë ujërat e tjera. Ne kemi një potencial shumë të madh ujërash të brendshme. Sigurisht, do të nxisim fermat e peshkut edhe në det. Duhet të bëjmë çmos, me politika nxitëse, për ushqimin dhe zhvillimin e fermave, por nuk duhet të injorojmë as edhe një rezervuar të vogël, kudo. Jo vetëm për fermat ekzistuese, por të nxiten ferma të tjera e të stimulohet rritja e kapaciteteve të tyre. Ne kemi speciet dhe varietet më të mira të peshkut të ujërave të ëmbla. Ndaj, në bashkëpunim me komunat, duhet të funksionojë një mekanizëm peshkëzimi në kohën e duhur, të të gjithë liqeneve dhe rezervuarëve të vendit”, theksoi Berisha.