E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si po shemben sarajet e Ali Pashës

Kalaja e gurtë e Tepelenës, ajo që njihet prej të gjithëve si një nga simbolet e lidhjes historike me sundimtarin e njohur Ali Pashë Tepelena, është duke u rrënuar. Vitet e fundit një pjesë e konsiderueshme e sipërfaqeve të mureve të gurta të kalasë, kullave dhe ndërtimeve të tjera prej guri po shkojnë drejt harresës dhe shkatërrimit.

Rrënimi i kalasë së gurtë

Në mjediset e brendshme të Kështjellës, e cila ka pritur me dhjetëra vizitorë të huaj, duke përfshirë edhe udhëtarin anglez, lordin Bajron, tani të zë syri vetëm rrënim. Një numër i konsiderueshëm i strukturave origjinale të ndarjes dhe hapësirave brenda kalasë janë shkatërruar plotësisht. Edhe dy portat kryesore kanë vite që nuk funksionojnë më si të tilla, pasi janë të bllokuara nga mbetje të ndryshme. Ndërsa na shoqëron mes bedenave dhe harqeve të gurta të kalasë, të cilat ruajnë ende shkëlqimin e dikurshëm, shefi i kulturës në Bashkinë e Tepelenës, Fatmir Meçe, thotë se, si shkak i harresës dhe indiferentizmit, Tepelena po humbet një prej simboleve të saj, kështjellën e gurtë. “Prej vitesh në kalanë e Tepelenës nuk janë zbatuar projekte për restaurimin dhe mirëmbajtjen e saj, çka ka bërë që kjo kala me vlera të veçanta historike dhe arkitektonike të rrënohet dhe harrohet çdo ditë e më shumë”, thotë Meçe, ndërsa një psherëtimë trishtimi duket se i del nga thellësia e shpirtit. “Në prag të nisjes së sezonit turistik Bashkia e Tepelenës ndërmori një nismë për pastrimin e kështjellës, por ajo është fare pak në krahasim me nevojat që ka kalaja për ndërhyrje dhe restaurim”, thotë Fatimiri, ndërsa na tregon gjurmët e së tashmes moderne në muret e kështjellës. Me dhjetëra plasaritje dhe çarje bien në sy përgjatë mureve të gurta, që dikur u skalitën me aq mjeshtëri nga mjeshtrit që ndërtuan kështjellën e famshme të Vezirit të Janinës. “Kalaja është simboli i qytetit tonë”, thotë Arshiu, njëri prej mësuesve në qytetin e Tepelenës. “Unë ndiej keqardhje, pasi ky ndërtim dhe historia që mbart kjo kala e bën Tepelenën pjesë të vyer të historisë sonë kombëtare”, thotë ai, ndërkohë që hedh sytë nga disa çarje dhe plasaritje në muret e gurta. “Kalaja e Tepelenës është përmendur në shkrimet e mjaft udhëtarëve të asaj kohe, duke përfshirë edhe lord Bajronin”, thotë Zeneli, banor i vjetër i Tepelenës. Për të “shteti duhet të ndërhyjë menjëherë për të frenuar rrënimin e këtij objekti me vlera të rralla”.

Problematikë për gjendjen fizike të kalasë paraqet edhe rrëshqitja e tokës në disa prej zonave të kodrës mbi të cilën është ndërtuar ajo. Muret e kalasë që bien mbi rrjedhën e lumit Vjosë kanë filluar të rrëshqasin dhe të çahen. Toka ka pësuar gërryerje nga erozioni i vazhdueshëm gjatë viteve dhe muret mbrojtëse të saj nuk mund t’i qëndrojnë shkarjeve që po pëson trualli në këtë zonë. Mungesa e pyllëzimit dhe pemëve bën që erozioni të jetë një prej “armiqve” të rinj të kalasë së Aliut, i cili kërcënon të rrënojë muret e saj po aq sa edhe gjylet e dikurshme të topave.

Shkatërrimi nga dora e njeriut

Në ndryshim nga kështjellat e tjera në jug të vendit, kalaja e Tepelenës është e banuar. Brenda mureve të saj është vendosur një lagje e tërë që njihet me emrin lagjja e “Kalasë”. Lëvizjet e popullsisë gjatë këtyre viteve kanë shtuar edhe numrin e ndërtimeve brenda mureve të kalasë së gurtë. Sipas specialistëve të monumenteve, pas viteve ‘90 brenda saj janë shtuar rreth 30 ndërtime të tjera, kryesisht shtëpi banimi, njësi tregtimi e shërbimi. Bashkimi, njeri prej banorëve që jeton në këtë lagje, pohon se “e ndien edhe vetë që kalasë po i shterojnë fuqitë. Në këto vite të gjitha ndërtimet janë bërë pa leje, në një kohë që kalaja është monument dhe nuk lejohet të ndërtohet në të”. Madje, në disa raste përpara shtëpive të banimit të kësaj lagjeje gjen edhe kopshte private, në të cilat kultivohen zarzavate apo prodhimet e frutikulturës, vreshtarisë etj. Shpesh banorët për të “kursyer” mundin dhe kohën kanë përdorur për ndërtimin e shtëpive të reja gurë të skalitur nga muret e kalasë. Në mjaft zona të saj rrënimit të kohës i shtohet edhe shkatërrimi nga dora e njeriut, si shkak i grabitjes së gurëve nga muret, harqet, bedenat, kullat e gurta etj. Gurët e hequr kanë lënë pas zgavra dhe plasaritje, të cilat shtohen çdo ditë e më shumë.

Projekti i kryebashkiakut Peçi

Megjithëse ka vetëm disa muaj që mban detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi e ka vendosur projektin për rijetëzimin e kështjellës në prioritetin e punës së tij. “Aktualisht javët e fundit ne kemi ndërhyrë në kështjellë, duke larguar mbetjet e ndryshme urbane që ishin depozituar prej vitesh”, thotë ai. Ndërkohë, në javët në vazhdim bashkia do të ndërmarrë edhe një fushatë sensibilizimi me banorët për heqjen e gardheve të ndryshme në brendësi të kështjellës. Por për kryebashkiakun Peçi mbështetjen kryesore për restaurimin dhe rijetëzimin e kështjellës duhet ta japë qeveria apo donatorë të tjerë. “Unë i bëj thirrje qeverisë shqiptare, Ministrisë së Kulturës dhe donatorëve të tjerë të interesuar të investojnë për restaurimin dhe mirëmbajtjen e kështjellës së Tepelenës, pasi kështu do të shpëtojnë nga rrënimi jo vetëm një simbol të qytetit, por edhe një dëshmi të rëndësishme për historinë e popullit tonë”, thotë ai.

Profili arkitektonik i kalasë

Tepelena, vendlindja e Ali Pashës, ishte një nga selitë më të preferuara të tij. Në librin e tij “5000 vjet fortifikime” studiuesi Gjerark Karaiskaj pohon se”ndërtimin e kalasë Aliu e filloi kur po hynte në konflikt të hapur me Portën e Lartë”. Një mbishkrim në gjuhën greke, që është murosur mbi hyrjen lindore, e daton këtë ndërtim më 1819.

Muret e kalasë ndjekin formën natyrore të terrenit. Ajo nuk ka formë të rregullt gjeometrike. Përveç tri kullave poligonale që janë vendosur në kthesat kryesore të mureve për të kontrolluar më mirë këto të fundit, janë përdorur shpesh herë edhe dalje me kënd të drejtë të kurtinave që shohin në drejtime kryesore të lëvizjes së mundshme të sulmuesve, të cilat zëvendësojnë në këto raste kullat e ndërmjetme. Terreni mbi të cilin është ndërtuar kalaja paraqet pengesa të fuqishme natyrore. Muret vijnë duke u zgjeruar në bazë, duke rënë në pjerrësi në anën e jashtme dhe kanë një trashësi që lëviz nga 2.5-5m, në pjesën e poshtme dhe 2-4 m në të sipërmen. Në brendësi ato përforcohen me braza druri dhe deri në gjysmë e lartësisë shërbenin edhe si mure mbajtëse, për shkak të mosnivelimit të terrenit të brendshme më atë të jashtëm. Kullat si edhe në ndërtimet e tjera të Ali Pashës bien me faqe shumë të pjerrëta. Ato janë veshur nga jashtë me gurë të skuadruar me kujdes dhe zbukurohen nga korniza horizontale guri. Në pjesën e sipërme muret përfundojnë me shtegun e rojeve dhe një parapet, ku janë hapur frëngji të shumta për armë zjarri, midis të cilave ka frëngji dyshe për pushkë, ndërsa në vendet më delikate janë ndërtuar mashikula për hedhje lëngjesh të nxehta. Ndërtimet e brendshme për ekonomizimin e vendit i mbështeten mureve rrethuese. Ato mbulohen me qemere cilindrike, një thembër e të cilave është pjesë përbërëse e murit rrethues. Kalaja ka tri porta, njëra prej të cilave (lindorja) mban mbishkrimin “Porta e vezirit”. Porta e parë ose e jashtme e është e tipit portë urë. E vendosur mbi një bosht rrotullimi horizontal mbi nivelin e pragut, ajo komandohej nga brenda nëpërmjet një çikriku me zinxhirë, që dilnin nga dy dritare të vogla dhe fiksoheshin në pjesën e sipërme të portës. Flegra e portës urë shërbente njëkohësisht edhe si plan i pjerrët për barazimin e nivelit të jashtëm dhe të brendshme, mosnivelim që në gjendjen aktuale arrin deri në 2m. Pasi kalon portën-urë, ndodhesh brenda një kthine katërkëndëshe, muri ballor i së cilës është i pajisur më frëngji pushke. Frëngjitë komandoheshin nga një kthinë tjetër që ishte për truprojën, Por për të shkuar në oborrin e kalasë duhet të ktheheshe nga e djathta, ku ishte një portë e dytë dykanatëshe, e cila sigurohej nga brenda me katarah. Kthina katërkëndëshe e hyrjes ka qenë mbuluar me një qemer cilindrik. Platforma që krijohej mbi këtë qemer si dhe ajo e kthinave fqinje qarkohej nga një parapet me frëngji pushke. Kalaja e Tepelenës është një nga ndërtimet e fundit mbrojtëse të Ali Pashës, sepse shumë shpejt filloi lufta midis ushtrive turke dhe Aliut, kështu që shumë pjesë që u përkisnin ndërtimeve të brendshme të kalasë, mbetën të papërfunduara.

Bledar Shehu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›