Hyjnë në fuqi pagat e reja të shëndetësisë, tabelat për të gjitha kategoritë
Kanë hyrë dje në fuqi pagat e reja për sektorin e shëndetësisë. Vendimi i qeverisë me tabelat e reja të pagave sipas kategorive është botuar në Fletoren zyrtare. Tabelat e reja të pagave përfshijnë edhe shtesat për kualifikime, për vështirësi në punë dhe për vjetërsi. Kështu drejtorët e spitaleve dhe shefat e shërbimeve dhe mjekët me diplomë të shkollës së lartë paga është 13 mijë lekë në muaj e zhveshur nga vjetërsia në punë, pozicioni dhe vjetërsia. - “Paga e grupit 1” u jepet punonjësve me diplomën e shkollës së lartë të infermierisë. - “Paga e grupit 2” u jepet punonjësve me diplomë të shkollës së mesme mjekësore, diplomën e shkollës së mesme dhe dëshminë e kualifikimit të kurseve 1- dhe 2-vjeçare për degën infermier ose mami, dihmësinfermier ose ndihmësmami. Ndërsa “Paga e grupit 3” u jepet punonjësve me arsim nëntëvjeçar. Shtesa për vjetërsi në punë në çdo tabelë që boton gazeta është në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 vjet, dhe llogaritet mbi pagën e grupit. Shtesa për kualifikim, kolona 3 e lidhjeve përkatëse është 0. Gjithashtu, tabelat që shoqërojnë shkrimin kanë edhe shtesa për pozicionin, shtesa për kushte pune. Kështu sipas tabelës, punonjësve civilë me arsim të lartë në Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, u jepet një shtesë, për natyrë të veçantë pune, në masën 30 për qind mbi pagën e grupit. Për mjekët kur punojnë në rrethet: Pukë, Tropojë, Kukës, Has, Malësi e Madhe, Dibër, Bulqizë, 4 500 lekë në muaj. Kur punojnë në rrethet Mat, Mirditë, Gramsh, Librazhd, 3 800 lekë në muaj. Për punonjësit e infermieristikës kur punojnë brenda rrethit te tyre, por larg vendbanimit dhe kthehen brenda ditës, 1 000 lekë në muaj. Kur nuk kthehen në vendbanim brenda ditës, 3 000 lekë në muaj. Për punonjësit e personelit mjekësor që nuk janë efektivë me kohë të plotë në qendrat spitalore e shëndetësore të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë e të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, për shërbimin që kryejnë në këto qendra, kontraktohen me orë pune të caktuara. Vlera e pagesës së një ore pune të kontraktuar është e njëjtë me vlerën orare të pozicionit të punës, për të cilin është kontraktuar. Mjekët e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe mjekët civilë të strukturave të Forcave të Armatosura, të cilët kryejnë specializimin në qendrat spitalore universitare, gjatë kohës së specializimit, të paguhen në masën 80 për qind të pagës së mjekut të fushës në të cilën kryhet specializimi. Për kryerjen e shërbimit të rojës në qendrat spitalore universitare një mjek rojë i parë dhe mjek rojë i dytë për ditët e zakonshme merr 3 000 lekë 2 800 lekë dhe për ditët e shtuna 3 500 lekë 3 200 lekë për ditët e diela e festat 4 000 lekë 3 800 lekë. Në institucionet e tjera mjek rojë i parë dhe mjek rojë i dytë për ditët e zakonshme merr 2 800 lekë 2 600 lekë, për ditët e shtuna 3 000 lekë 2 800 lekë, për ditët e diela e festat 3 500 lekë 3 300 lekë. Për shërbimin e urgjencës së rrethit, kur thirren pasdite ose natën, nga mjeku i rojës së spitalit, për veprime diagnostikuese apo mjekuese, shpërblehen në masën 600 lekë deri në 1 000 lekë, në varësi të procedurës mjekësore që kryejnë. Këto shpërblime nuk mund të jenë më shumë se 20 për qind e pagës mujore për çdo muaj. Punonjësit e infermieristikës për punën e kryer nga ora 19:00 deri në 22:00 përfitojnë shtesë mbi pagë 120 lekë për çdo ditë, ndërsa për punën e kryer në intervalin 22:00 dhe 6:00 përfitojnë shtesë mbi pagë 500 lekë për çdo ditë. Punonjësit e infermieristikës të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët deri në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit nr.623, datë 8.7.2010, përfitonin një pagë më të lartë sesa paga e parashikuar sipas lidhjeve përkatëse të atij vendimi, do të përfitojnë një pagë në ruajtje, por jo më shumë se një vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Paga në ruajtje llogaritet si diferencë midis pagës bruto që punonjësit përfitonin para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, me pagën bruto që punonjësit do të përfitojnë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.