E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Vlorës: Jo shkollës 12-orëshe!

 

PROTESTA/ Mbi dy mijë studentë të universitetit protuestuan kundër eksperimenteve dhe korrupsionit në arsim

VLORË - Studentët e “Ismail Qemalit” zaptuan dje bulevardin kryesor, që përgjatë 30 minutave ushtoi nga zërat e tyre. Mijëra studentë u bashkuan në orët e paradites në protestë duke marshuar me parulla e flamuj, e duke ngritur zërin në thirrjen “Jo eksperiment”. Me parullën “Stop korrupsionit”, studentët e “Ismail Qemali”-t këtë here preferuan ta ngrenë zërin jo vetëm në ambientet e mbyllura universitare. Protesta e djeshme, e cila ishte e paralajmëruar, pas një të tille të disa ditëve më parë, nisi nga godina kryesore në zonën e Skelës. Studentët përshkuan trotuaret e rrugës kryesore duke kërkuar njëzëri të drejtat e tyre si dhe bënë thirrje për të mos eksperimentuar me ta. Ndërsa në godinën që ndodhet në qendrën e trajtimit studentor, ku vijoi tubimi, përfaqësues të studentëve të degëve te ndryshme u shprehën të vendosur në qëndrimin që do të mbajnë. Ata thanë se nuk po e bojkotonin mësimin sepse nuk e duan atë, por pasi duan vlerat e mirëfillta të kësaj ore. Ata i bënë thirrje për reflektim rektorit, që të mos bëjë ndryshime të cilat janë tërësisht të kundërshtuara nga masa e madhe e studentëve. “Na u tha se do të aplikohet Karta e Bolonjës, e cila tani po kthehet në kartën amerikane”,- thanë studentë protestues. “Na u tha se do të ishte universiteti i standardeve, kur sot po zbatohet diktatura. Të kthehet sezoni, të mos ketë leksione të detyruara, por fakultative,të mos ketë mësim nga ora 08:00 deri në 20:00 të mbrëmjes, pasi kjo ndikon jo për produktivitet, por për mendje të lodhura”,- vazhduan studentët, duke thënë se protesta e tyre nuk kishte qëllime politike. “Duam thjesht të drejtat tona”, u shprehën protestuesit. Ata ftuan rektorin në një takim të hapur me ta, në të cilin ai t’i dëgjojë dhe të komunikojë. “Rektori të na mbushë mendjen që këto ndryshime që kanë prekur vetëm Universitetin e Vlorës, janë për të mirën tonë. Ku është më e mira të jesh në shkollë nga ora 8:00 e mëngjesit deri në 08:00 të mbrëmjes?! Ku është e mira të bësh mësim edhe të shtunave?!”. Protesta e studentëve u organizua nga Këshilli Universitar i Studentëve. Edhe pse u cilësua protestë e radhës, kjo është e para protestë e përmasave masive që zhvillohet në ambientet universitare, pjesë e së cilës ishin mbi 2 mijë studentë. Edhe dje studentët u shprehën të vendosur se do të vijojnë protestat deri në fitimin e të drejtave që po iu mohohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›