E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimet strategjike, ku janë përdorur miliona euro të përfituara nga shitjet



Ervin KOÇI

Qeveria në dy vitet e fundit ka përfituar qindra miliona euro nga privatizimet e sektorëve strategjikë të ekonomisë, ku vetëm nga kompanitë më të mëdha, shuma e përfituar ka qenë në mbi 300 milionë euro brena një viti. Por sektorët ku janë investuar këto para të përfituara kanë qenë fare pak, dhe mund të thuhet se këto para janë ruajtur për tu përdorur me tepër gjatë këtij viti ku qëllim kryesor i qeverisë kanë qenë fondet për investimet elektorale. Pjesën më te madhe të këtyre fondeve, i ka përfshirë infrastruktura rrugore, si sektori parësor i qeverisë gjatë dy viteve të fundit. Në këtë sektor “fetën e luanit” e ka përlarë rruga super e kushtueshme Durrës-Kukës- Morinë, e cila ende nuk ka përfunduar. Pas kësaj rruge fonde të mëdha kanë marrë edhe disa akse nacionale dhe mjaftë rrugë dytësore dhe rurale për të cilat nuk njihet cilësia e punimeve. Përveç infrastrukturës rrugore, fonde nga paratë e privatizimeve janë përdorur për rritjen e pagave dhe pensioneve, për investime në sektorin energjetik, për shlyerjen e borxheve të shtetit, për shpenzime operative të qeverisë, si dhe një pjesë e mirë për fushatën elektorale, e cila këtë vit do të ketë një kosto tepër të lartë. Përveç fondeve të konsiderueshme të siguruara nga privatizimet strategjike, qeveria ka aplikuar ndërkohë për të përmbyllyr shpenzimet dhe projektet e saj elektorale edhe për një kredi të madhe me terma tregtar në bankat private të huaja. Shuma e kësaj kredie ka shkuar në 250 milionë euro dhe sërish një pjesë e madhe e këtij fondi u dha për rrugën Durrës-Kukës dhe kryesisht për segmentin Rrëshen-Kalimash.

Strategjikët

Vetëm gjatë 2 viteve të fundit janë realizuar privatizime strategjike me një vlerë të përgjithshme mbi 300 milion euro, pa llogaritur këtu privatizimet e tjera të sektorëve të ekonomisë, një pjesë e të cilave janë ende në proces. Vetëm nga privatizimet e sektorëve të mëdhenj, si ai i gjigantit të prodhimit të naftës në vend “ARMO” e cila u shit për 120 milionë euro një konsorciumi amerikan, janë mbledhur fonde të konsiderueshme. Më tej kemi privatizimin e një pjese të aksioneve shtetërore pranë kompanisë “AMC” për rreth 50 milionë euro, privatizimi i Bankës së Bashkuar me rreth 8 milionë euro, si dhe privatizimi i fundit i OSSH-së për 102 milionë euro nga kompania ceke “CEZ”. Një privatizim tjetër edhe pse mjaftë i përfolur ka qenë edhe ai i dhënies së operatorit të katërt të telefonisë celulare, i cili u shit për 7.5 milionë euro një konsorciumi shqiptaro-kosovar. Nga të dhënat zyrtare rezulton se investimet e huaja direkte në vitin 2008 kanë arritur në 880 milionë euro, krahasuar me 324 milionë euro që ishin në vitin 2004. Ndërsa qeveria e ka konsideruar procesin e privatizimit të sektorëve strategjik, "një kapitull i mbyllur" dhe Shqipërinë si vendi me ekonominë më të privatizuar në rajon, ka përcaktuar sektorët, që ofrojnë mundësi investimesh të huaja, si ndërtimin e impianteve të shfrytëzimit të energjisë hidro, termale dhe naftës.

Likuidimi i borxheve

Një pjesë e konsiderueshme e parave të siguruara nga privatizimi i sektorëve strategjikë të ekonomisë, qeveria i ka përdorur edhe për të likuiduar borxhet e shtetit. Borxhi i brendshëm, në vlera absolute ka pësuar rritje gjatë këtyre katër viteve në raport me GDP-në, kjo edhe për arsye të shtimit të huamarrjes nga ana e qeverisë në formë kredish tregtare. Ekspertë të financave Publike shpjegojnë se, rritja e stokut të borxhit ka ardhur nga vitit në vit në raport me rritjen ekonomike të vendit. Në vitin 2008, si rezultat i investimeve të shumta në infrastrukturë, të cilat u financuan nga kredi të huaja, stoku i borxhit pati një rritje më të shpejtë dhe raporti i tij me GDP arriti në 54.78 për qind. Gjithmonë sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, “në vlera reale, gjatë katër viteve të fundit, stoku i borxhit (të brendshëm dhe të jashtëm) është rritur nga 468 miliardë lekë në fund të vitit 2005, në 596 miliardë lekë në fund të vitit 2008, ose 27.35 për qind”. Në fund të vitit 2008, stoku i borxhit arriti në 54.78 për qind të GDP-së, i ndarë përkatësisht për stokun e borxhit të jashtëm me 17.92 për qind të GDP-së, dhe për stokun e borxhit të brendshëm, në 36.86 për qind të GDP-së. Huamarrja nga jashtë në formën e kredive koncensionare dhe tregtare, si dhe interesat e larta të këtyre kredive, kanë qenë dhe shkaku kryesor i shtimit të borxhit publik.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›