E Diel, 1 Nëntor 2026

Si ta stabilizosh fëmijën, kur është goditur nga dielli

Autori i Lajmit: red.
Fëmijët rrezikohen seriozisht nga temperaturat e larta të këtyre ditëve. Rritja e temperaturave, sipas specialistëve pediatër, ka shkaktuar kryesisht takikardi, ose rrahje të shpeshta të zemrës. Rreziku lidhet midis të tjerave me faktin se, një pjesë e fëmijëve qëndrojnë rrugëve në orët e vapës, jashtë kontrollit prindëror. Një pjesë tjetër e tyre ekspozohen ndaj punëve të rënda fizike, duke ngritur arka në furnizimin e dyqaneve, duke shitur bidona uji në rrugët me diell apo duke duke luajtur jashtë, në orë të papërshtatshme. Kultura e pakët shëndetësore e prindërve përbën faktor risku për shëndetin e të vegjëlve të tyre. Megjithëse u bënë vite, që mjekët flasin për bërjen e banjave të diellit me kriter dhe shmangien e tyre në ditët kur temperatura i kalon të 38 gradët, një pjesë e madhe e popullsisë vazhdon të bëjë të kundërtën, nisur nga mendësia e gabuar se në bregdet freskohesh më mirë. Gjithashtu, freskimi në çezma me ujë të ftohtë, në puse apo burime, apo larja në ujërat e ftohta të lumenjve, mund të shkaktojë atake në zemër, rënie të përnjëhershme të tensionit apo komplikacione të tjera. Mjekët rekomandojnë që freskimi të bëhet me ujë të zbutur (as të ngrohtë dhe as të ftohtë) dhe futja në det të bëhet duke u lagur gradualisht. “Ndryshimi i përnjëhershëm i temperaturave, nga të nxehtit në ujë të ftohtë dëmton enët e gjakut dhe sistemin nervor”, shpjegon doktor Polikron Çelo. Më poshtë, ai jep disa këshilla praktike, sidomos për fëmijët e vegjël, se si të shmangen pasojat e rënda në rastet e goditjeve nga dielli dhe nga zagushia në ambiente të nxehta.
Goditja nga dielli
Nga se shkaktohet?
Goditja nga dielli është rrjedhojë e qëndrimeve të gjata në diell, me kokën zbuluar, sidomos në zonat malore. Të gjitha pasojat janë të lidhura me veprimin ngrohës të rrezeve të diellit. Në raste të veçanta, krijohen gjendje të rënda me rrezik për jetën.
Si shfaqet?
Lodhje, zbehje, fillimisht djersë të shumta, marramendje, dhimbje koke, të përziera, vjellje, diarre, dhimbje barku.
Këto janë shenjat fillestare
Nëse nuk merren masast në kohë, fëmija fillon të flasë përçart, më pas humbet ndërgjegjjen, lëkura bëhet e thatë me ngjyrë të kuqe. Temperatura arrin në shifra shumë të larta, 40-41 gradë, e shoqëruar me shpeshtim të pulsit.
Ç duhet bërë?
Gjendje të tilla krijohen zakonisht jashtë shtëpie. Në rrethana të tilla ruani gjakftohtësinë dhe shfrytëzoni gjithçka që është e mundur. Ja veprimet orientuese:
-Vendoseni të sëmurin në një vend sa më të freskët dhe me pak dritë
-Shtrijeni në pozicion me shpinë
-Fërkojini trupin me ujë dhe vendosini peceta të lagura me ujë të ftohtë. Nëse u ndodhet alkool, përdorni një përzierje gjysmë ujë dhe gjysmë alkool.
-Bëjini fresk me mjetete që ju ndodhen dhe masazh të anësive
-Jepini të pijë lëngje
-Asnjëherë mos përdorni qetësues, pavarësisht se mund të jetë i shqetësuar.
Kujdes!
Mos kërkoni që temperatura e trupit t i ulet menjëherë poshtë 39 gradëve. Me këto masa, gjendja lehtësohet dhe shkon drejt përmirësimit. Nëse gjendeni pranë ndonjë qendre mjekësore, lidhuni me të.

Goditja nga të nxehtit
Nga se shkaktohet?
Ndodh gjatë qëndrimeve në mjedise të nxehta, të ngarkuara me lagështi dhe të paajrosura ose në kushtet e një klime tepër të nxehtë dhe me zagushi. Më të zakonshmet hasen nga mbajtja e fëmijëve në mjedise të mbyllura, në lokale ose udhëtime me mjete të papërtshtatshme. Në këto rrethana krijohen gjendje të veçanta, ndonjëherë të rënda.
Si shfaqet?
Shenjat lidhen me moshën. Sa më i vogël fëmija, aq më e rënduar gjendja.
-Lëkurë e ftohtë dhe e mbuluar me djersë
-Këputje, dobësi e përgjithshme, ndjenjë të fikëti
-Marramendje dhe dhimbje koke
Të gjutha këto shenja rëndohen, nëse nuk merren masa në kohë
Ç duhet bërë?
-Largojeni nga ky ambient dhe vendoseni diku, në një mjedis më të freskët.
-Shtrijeni me pozicion në shpinë
-Çlirojeni nga veshjet e tepërta dhe ato që e shtrëngojnë
-Fërkojeni me ujë të ndenjur dhe vendosini peceta të ftohta.
-Bëjini fresk me mjetet që ju ndodhen
-Jepini të pijë një tretësirë ujë me kripë *1/2 lugë kafeje kripë në një gjysmë gote me ujë të ftohtë çdo 30 minuta për rreth 2 orë (janë të mjaftueshme 3-4 herë). Në këto raste, i sëmuri ka nevojë më shumë për kripë sesa për lëngje.
Nëse kalojnë 10 minuta dhe nuk duken shenja përmirësimi, duhet ndihmë e kualifikuar në spital.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›