E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tinguj Jazz–i në Shkodër

Autori i Lajmit: red.
Eileina, këngëtarja e njohur britanike e muzikës soul dhe Diego Borotti Quartet do të jenë nga grupet dhe artistët që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm të “Shkodra Jazz Festival”, që do të zhvillohet nga data 2 deri në datën 5 korrik në Shkodër. Ky është edicioni i katërt i festivalit, i cili nisi në vitin 2005 për kujtim të muzikantit të njohur, Rrok Jakaj. Festivali do të zhvillohet në sallën e teatrit Migjeni dhe kinemasë Millenium në Shkodër dhe në rrugët e qytetit, i shoqëruar nga një projekt ndërkombëtar i artit viziv, një videoprojeksion, të ndërtuar nga italiani Mikele Robeki dhe spanjolli Raul Martinez me artistë të ndryshëm ndërkombëtarë, ku merr pjesë dhe artisti shqiptar Ardian Paci. Ai do të vazhdojë deri natën vonë, nëpër disa bare dhe restorante të njohura të qytetit, ku muzikantët do të përfshihen në “jam sessions”. Paraditeve të festivalit, muzikantët do të ofrojnë dhe leksione Masterclass që do përqendrohen në improvizimin dhe karakteristikat etnike në jazz, ndërsa artistët vizualë do të merren me “investigimin e hapësirës mes iluzionit dhe deziluzionit”. Gjithashtu, në ditët e festivalit, në trotuarin pranë Kafes së Madhe, objektit historik të qytetit, kompozitori dhe muzikologu i njohur, Zef Çoba, do të drejtojë Shkodra Sounds Corner , ku muzikantë të shquar të qytetit do të diskutojnë për muzikën e do të luajnë.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›