E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si të largojmë dhimbjen e kokës

31/05/2005  Keni dhimbje koke? Mos e mbani mendjen atje dhe ajo do të kalojë më shpejt. Në rastet e dhimbjes së kokës apo të cefalisë të mendosh shumë për dhimbjen e kokës nuk bën gjë tjetër veçse rrit shqetësimin dhe vetë dhimbjet. Ky është rezultati i arritur pas një studimi të realizuar nga dr. Frank Andrasik, Instituti i Njohjes Humane në Universitetin e Floridës Perëndimore në SHBA.

Dr. Andrasik duke shfrytëzuar rezonancën magnetike zbuloi se si vëmendja që i kushtohet nga pacientët dhimbjes së kokës ndikon në rritjen e saj, kjo si pasojë e funksionimit të disa qendrave cerebrale të kontrollit të mendjes të cilat ndikojnë negativisht në cefali dhe nervat.

Studimi i fundit, i titulluar "Një vështrim i përgjithshëm në aspektet psikologjike të dhimbjes së kokës – modeli biopsikologjik”, tenton të vërtetojë përmes rezonancës magnetike teorinë e modelit bio-psiko-social të dhimbjes, që duket se i përgjigjet pozitivisht, madje duke u shtuar dukshëm, vëmendjes që i kushtohet asaj.

Rezonanca magnetike tregoi paraqitjen vizuale të modelit, duke evidentuar rritjen e funksioneve të qendrave cerebrale që mendohet se kontrollojnë dhimbjen si dhe mungesën e aktivitetit të qendrave cerebrale që rregullojnë perceptimin gjatë fazës kur njeriu nuk është i vëmendshëm.

Ndërkohë, ajo që me të vërtetë ka habitur studiuesit amerikanë, është fakti se te personat që vuajnë nga dhimbja e kokës është vënë re një rritje e këtij shqetësimi edhe gjatë pranisë së familjarëve që janë shumë emotivë, shumë të kujdesshëm ndaj tyre, madje në disa raste edhe posesivë. Ndërsa kjo gjë nuk ka ndodhur te pacientët, që vuajnë nga i njëjti shqetësim, por partneri apo familjarët e tyre nuk tregojnë një kujdes të tepruar.

Te këta pacientë është vërejtur që shqetësimet apo dhimbjet e tyre, në këtë rast e kokës, shtohet kur ata janë në qendër të vëmendjes së familjarëve, ndërkohë që dhimbja reduktohet kur ata mendojnë se asnjë nuk është duke u kujdesur për ta.

Kështu nisur nga ky zbulim studiuesit amerikanë japin një këshillë për të gjithë ata që vuajnë nga dhimbja e kokës. Nëse doni të shpëtoni nga vuajtjet dhe nga dhimbja e kokës mos mendoni më për të, më mirë vëmendjen tuaj përqendrojeni në diçka tjetër.

Dhimbjet në mëngjes, shenjë e stresit

Në rast se ditën e nisni me dhimbje koke atëherë motivi kryesor i saj është ndonjë problem psikologjik apo stres, dhe në rastet më shqetësuese depresion. Pra, nuk është aspak çudi që dhimbjet e kokës të jenë shenjat e para të stresit apo një gjendjeje depresioni.

Këto janë të dhënat që ka publikuar së fundmit Universiteti i Mjekësisë në Kaliforni, që pas studimet të kryera ka arritur në përfundimin se ekziston një lidhje e fortë midis cefalisë, apo dhimbjes së kokës, sidomos kur ajo shfaqet në mëngjes, dhe këtyre shqetësimeve psikologjike. Studimi i kryer nga ky universitet përfshiu 19 mijë persona, mbi moshën 15 vjeçare nga Italia, Gjermania, Spanja, Britania e Madhe dhe Portugalia.

Sipas studimit, i publikuar në revistën “Arkiva e mjekësisë së brendshme”, një lidhje jo rastësore ekziston midis dhimbjes së kokës që shfaqet në mëngjes dhe çrregullimeve që vijnë gjatë gjumit.

Nga hetimet e 18 980 personave që përfaqësonin edhe pesë kombësi të ndryshme evropiane, i janë përgjigjur pyetjeve telefonike mbi cefalinë kronike të mëngjesit, pyetjeve mbi

praninë e shqetësimeve psikologjike apo stresit, tendencën e tyre për përdorimin e substancave qetësuese psikoaktive, shqetësimet të tjera apo edhe gjumë të çrregullt.

Sipas këtij studimi, që duket se edhe një herë po vërteton teoritë e hedhur edhe më parë nga mjekët specialistë, është se dhimbja e kokës që shfaqet gjithmonë në mëngjes, një shqetësim që prek 1 në 13 persona, është pikërisht pasojë e stresit, ankthit dhe depresionit.

Por ky studim për herë të parë sqaron se cefalitë e mëngjesit nuk janë tipike për personat që vuajnë nga çrregullimi i gjumit që vjen si pasojë e problemeve me aparatin e frymëmarrjes, ndërsa është për ata që shfaqin shqetësime psikike të tipit nervozizëm apo depresion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›