E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Evropa nuk ndalet këtu”

31/05/2005  Kryetari i Komisionit Evropian, Barroso, kërkon kohë për reflektim

Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, i cili i ka bërë thirrje Shirakut: “Eshtë një goditje e fortë, por nuk është ky fundi”. Një telefonatë solidariteti ka mbërritur edhe nga Kryeministri spanjoll, Hoze Zapatero: “Evropa do ta kalojë këtë periudhë krize, ashtu siç ka kaluar edhe të tjera në historinë e saj”

Rikonfirmimi i procesit të ratifikimit është e vetmja siguri, pas të cilës kapen liderët e institucioneve në këtë “natë të trishtë për Evropën”, siç e quajti atë Pul Nyrop, sekretar i Partisë Socialiste Evropiane

Nuk mund të shkonte më keq, por Bashkimi Evropian dhe ndërtimi i Evropës nuk ndalen këtu. Tridhjetë minuta pas fjalëve të Zhak Shirak, numri një i Komisionit, Hoze Manuel Durao Barroso dhe presidenti i radhës i BE, luksemburgasi, Jean-Claude Juncker, kanë dalë përpara telekamerave dhe gazetarëve, në Bruksel. Nga Parisi, kryetari i shtetit u ka dërguar një mesazh moderimi vendeve partnere evropiane. Dhe nga kryeqyteti evropian, njerëzit e institucionit kanë tashmë më shumë hapësirë për të konfirmuar një linjë, për të cilën kanë rënë dakord ditët e fundit me kanceleritë e vendeve të tjera anëtarë, tashmë të përqëndruar në një deklaratë të firmosure dhe nga presidenti i Parlamentit Evropian, Josep Borrell. Në të njëjtën linjë është edhe Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, i cili i ka bërë thirrje Shirakut: “Eshtë një goditje e fortë, por nuk është ky fundi”. Një telefonatë solidariteti ka mbërritur edhe nga Kryeministri spanjoll, Hoze Zapatero: “Evropa do ta kalojë këtë periudhë krize, ashtu siç ka kaluar edhe të tjera në historinë e saj”.

PERPARA ME RATIFIKIMET

Pika kyçe: “JO”-ja e francezëve nuk e bllokon procesin e ratifikimit të Kushtetutës. Për Barroson dhe Junckerin, është e domosdoshme që t’i shkohet deri në fund, të mblidhet vend pas vendi gjykimi i opinionit publik, me koston e të tjera “ndalesave” të rënda (pasnesër i takon Holandës). “Nëntë shtete e kanë aprovuar tashmë Kushtetutën, në emër të 49% të qytetarëve të Evropës”, thuhet në tekstin e lexuar nga Barroso. Veç të tjerash, menjëherë pas shpërndarjes së rezultateve nga exit polls-et, Kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen, ka dalë përpara telekamerave për të shpallur se mbetet e paprekur data e referendumit, fiksuar për më 27 shtator. Ndërkohë që mund të anulohet, apo edhe të shtyhet referendumi në Britaninë e Madhe.

PAUZE REFLEKTIVE

Por, rikonfirmimi i procesit të ratifikimit është e vetmja siguri, pas të cilës kapen liderët e institucioneve në këtë “natë të trishtë për Evropën”, siç e quajti atë Pul Nyrop, sekretar i Partisë Socialiste Evropiane.

Si Juncker, ashtu edhe Barroso, kërkojnë kohë për të reflektuar, në lidhje me domethënien e rezultatit të votimit. Numri një i Komisionit Evropian ka peshkuar në repertorin e retorikës komunitare, për të kujtuar momente të tjerë të vështirë, të kaluar nga vullneti i Bashkimit Evropian. Por, hapësira është vërtet e ngushtë, nëse, siç thotë Juncker, krerët e shteteve dhe qeverive do të vendosin vërtet që të mos e prekin në asnjë mënyrë tekstin e Kushtetutës, firmosur në Romë në tetor 2004. Mbi këtë problem, në të vërtetë, Juncker dhe Barroso munden vetëm të shprehin një opinion. Vendimet realë do të merren në Këshillin e Evropës, më 16 dhe 17 qershor, siç ka bërë të ditur Kryeministri i Luksemburgut, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë, siç është folur kohët e fundit, mundësinë e një mbledhjeje të jashtëzkaonshme.

INKONJITO ANGLEZE

Nga Stokholmi, Kryeministri socialdemokrat suedez, Goeran Persson, ka bërë të qarta gjërat: “Eshtë e rëndësishme që Zhak Shirak t’u përmbahet deklaratave që ai vetë ka bërë, sipas të cilave nuk do të kërkojë rihapje të negociatave, sepse ka edhe vende të tjerë, që janë të përfshirë në këtë proces ratifikimi”. Por, nga Londra shfaqet ministri i Jashtëm, Jack Strau, i cili nënvizon se vota kundër e Francës na “bën të gjithë ne që të na lindin shumë pyetje, në lidhje me drejtimin e ardhshëm të Evropës”. Tani, konkludon Strau, duam një periudhë refleksioni. Barroso nuk mundet veçse të bëjë thirrje për një analizë të përbashkët nga ana e të gjithëve: “Drejtues shtetesh, forca politike, shoqëri civile”. Si të thuash: në këtë moment, nuk duhen përplasje mes Brukselit dhe kryeqyteteve të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›