E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti e bekoftë Aleancën e Lirisë!!!



Zoti Sekretar i Përgjithshëm,

Zonja Kancelare Merkel

Zoti President Sarkozi,

Zoti President Obama,

Shkëlqesi Krerë Shtetesh e Qeverish,

Së pari, dëshiroj të falënderoj Presidentin Sarkozi dhe Kancelaren Merkel, bashkëkryesues të kësaj konference, për mikpritjen e shkëlqyer, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm Shefer për organizimin e përsosur të saj.

Sot për ne shqiptarët është dita më e madhe dhe më e rëndësishme në tërë historinë tonë kombëtare, pas pavarësisë së vendit.

Por, unë këtë fjalë do ta nis me urimin tim më të përzemërt, për ditëlindjen e NATO-s në 60-vjetorin e themelimit të saj, si datën më të madhe, më të rëndësishme në historinë e lirisë së qytetërimit perëndimor dhe mbarë njerëzimit, pas Luftës së Dytë Botërore.

E themeluar 60 vjet më parë, me iniciativën e Presidentit Truman, në Uashington, për të shndërruar armiqtë e djeshëm në aleatë e miq, në çka qëndron dhe vizioni i saj, si edhe për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të lirisë që vendet themeluese ndanin, Aleanca e Atlantikut të Veriut u shndërrua me shpejtësi në parzmoren e sigurt të lirisë së kombeve të qytetëruara, në faktorin më përcaktues të frenimit e ekspansionit paranojak sovjetik në Evropë dhe të shembjes se Murit të Berlinit, shpëtimit të mbi 400 milionë qytetarëve të shtypur në sistemin komunist barbar dhe shndërrimin në realitet të aspiratës, ëndrrës së tyre të lirisë. Aleanca e Atlantiku të Veriut, me ndërhyrjen e saj vendimtare, ishte gjithashtu shpëtimtare në dominimin e konfliktit dhe rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në gadishullin e Ballkanit.

NATO-ja vjen në këtë 60-vjetor më e fuqishme dhe më madhështore se kurrë më parë. Pas rënies së perdes së hekurt, misioni i saj i mbrojtjes së lirisë, falë udhëheqjes së fortë të SHBA-së, nuk do të njihte lodhje, por zgjerim dhe do të fitonte dimensione të reja të panjohura më parë. Aleanca, njëlloj siç ndjek hija njeriun në rrugën e tij, ajo do të shoqëronte lirinë në udhën dhe shtigjet e reja të saj, duke shndërruar një nga një në partnerë dhe më pas në aleatë kombet dhe vendet që deri dje kishin qenë anëtare të bllokut armik të saj.

NATO-ja feston sot 60-vjetorin e saj, në një samit që bashkëkryesohet nga Kancelarja Anxhela Merkel, vetëm 20 vjet më parë, një fizikante në anën e errët të perdes së hekurt dhe ku janë ulur si përfaqësues të vendeve të saj anëtare, liderët e 12 vendeve të tjera ish-komuniste. Kjo është dëshmi dhe simboli më i shkëlqyer i vitalitetit dhe madhështisë së NATO-s, epërsisë dhe forcës se lirisë që ajo mbron.

God bless this great Aleance of freedom!!!

Sot në këtë 60-vjetor të saj, NATO-ja pranon si anëtar vendin tim, Shqipërinë, e cila vetëm 20 vite më parë përjetonte tiraninë më të egër që shqiptarët, por ndoshta edhe mbarë Evropa, kanë njohur në historinë e tyre.

Të nderuar Kryetarë Shtetesh dhe Qeverish të vendeve anëtare të NATO-s,

Kombi im është një komb me rrënjë tejet të gjata. Në udhëtimin e tij shumë të vështirë, në përpjekjet e tij shekullore për liri dhe dinjitet ka provuar luftëra, pushtime, diktatura dhe copëtime të egra e të pamerituara. Historia e tij është ajo e rrëzimeve të shpeshta dhe sërish e ngritjeve të mundimshme, por mjerisht vetëm në limitet e mbijetesës. Shqipëria erdhi në vitet ‘90 si një nga tre-katër vendet me të varfra të planetit, me vetëm 204 dollarë të ardhura për frymë. Diktatura ndërtoi tri herë më shumë bunkerë sesa apartamente banimi.

Për mua kjo është një ditë krenarie e veçantë por, para së gjithash, dita e mirënjohjes më të thellë dhe të pakufishme ndaj jush, kombeve tuaja, forcave tuaja të armatosura e taksapaguesve të vendeve tuaja, që me ndihmën e tyre të gjithanshme, politike, ekonomike, financiare e ushtarake mbështetën reformat e thella e të suksesshme në Shqipëri, që bënë të mundur këtë ditë. Asnjë komb nuk ka njohur në historinë e tij një solidaritet kaq të madh, sa ç’kemi njohur ne shqiptarët nga kombet tuaja të lira.

Një falënderim të veçante unë e dua t’i shpreh sot qeverisë së SHBA-së për krijimin e Kartës së Adriatikut 3, që u shndërrua në një proces të fuqishëm të bashkëpunimit të Shqipërisë me NATO-n dhe dy vendet mike Kroacinë dhe Maqedoninë, si dhe anëtarësimin tonë në NATO.

Zoti Sekretar i Përgjithshëm!

Unë me gjithë zemër dua t’ju falënderoj ju, stafin tuaj dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut për ndihmën e madhe dhe inkurajimin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në Aleancë.

Unë gjithashtu jam shumë mirënjohës ndaj jush, që një vit më parë, ftuat për t’u anëtarësuar në NATO vendin tim dhe në një kohë rekord ratifikuat në parlamentet dhe senatet tuaja Protokollin e Anëtarësimit në NATO, duke u dëshmuar shqiptarëve besimin më të madh që ata kanë njohur në tërë ekzistencën e tyre. Dëshiroj t’ju garantoj ju se këtë mal besimi që ju vendosët mbi ne do ta shndërrojmë në përgjegjësi të mëdha për konsolidimin e vlerave dhe parimeve që NATO-ja mbron dhe për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të Aleancës, në të gjitha misionet e saj të ruajtjes së paqes dhe luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Duke përshëndetur vendimin e Presidentit të SHBA-së, Barak Obama, për të përqendruar përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe luftën kundër terrorizmit në Afganistan, kam kënaqësinë t’ju informoj se qeveria ime do të shtojë edhe një kompani më tepër, duke e rritur në 350 numrin e forcave shqiptare të pranishëm në këtë vend. Do të kontribuojmë me një fond për ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave të ciklit të parë, si edhe me një ekip prej pesëmbëdhjetë mjekësh dhe infermierësh.

Së fundmi, unë dua të përshëndes dhe falënderoj me mirënjohje institucionet e vendit tim, administratën, Forcat tona të Armatosura në veçanti, për kontributin e tyre në reformat e suksesshme dhe të rëndësishme, që mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dua të përshëndes të gjithë shqiptarët që sot e tutje do të kenë lirinë e tyre të garantuar, do mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë, në liri dhe nuk do të ecin kurrë më të vetëm.

Do ta mbyll duke ju adresuar përshëndetjen më tradicionale dhe të vjetër shqiptare TUNGJATJETA për ju dhe kombet tuaja!

*Kryeministër i Shqipërisë. Fjala në seancën jubilare të samitit të NATO-s

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›