E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: ”Vetëm Meta e shpëton Berishën”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Një grupim i cilitdoqoftë dhe sadoqoftë nuk mund të përcaktojë fatet historike dhe as rrugën e historisë së një vendi apo rrugën e politikës së re që është politika e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit dhe jo për një grusht zanatçinjsh që quhen rëndom politikanë, po që rëndom i kanë krijuar Shqipërisë probleme dhe plagë”

Partia Socialiste rinis negociatat me aleatët e saj për të diskutuar mbi Kodin Zgjedhor, por veçanërisht mbi mënyrën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetari i selisë rozë, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me socialdemokratin Skënder Gjinushi dhe kreun e Demokracisë Sociale, Paskal Milo. Në përfundim të takimit, Rama tha se ishte një takim i bashkimit që do të çojë në fitoren e zgjedhjeve të 2009-ës. Kjo, sipas tij, nuk do të jetë një fitore e kryetarëve të partive, por e qytetarëve shqiptarë. Duke shprehur bindjen se e majta shqiptare do të ketë një rezultat shumë pozitiv në zgjedhjet e vitit 2009, Rama u shpreh dje se në funksion të kësaj fitoreje, PS nuk do të tolerojë që ajo të rrezikohet për shkak të disa grupimeve të ndryshme politike. Për sa i përket qëndrimit ndaj LSI-së dhe kreut të saj, lideri i socialistëve u shpreh se Ilir Meta vazhdon të mbetet një mik i tij, por që me veprimet e bëra po bëhet, sa vjen e më dukshëm, si një njeri që i duhet Berishës. Rama theksoi më tej se koalicioni i përbërë, është një mundësi që do të sigurojë fitoren e së majtës në zgjedhjet e qershorit të vitit të ardhshëm.
Qëndrimi
“Ska asgjë të jashtëzakonshme. Ishte një takim krejt i zakonshëm, i cili do të na çojë drejt fitores së vitit 2009 dhe për të cilin ne socialistët dhe progresistët kërkojmë të shkojmë përtej kufijve të PS-së, përtej kufijve të partive ekzistuese, si një bashkim i ri, i cili do të jetë një bashkim i gjithë qytetarëve që duan ndryshimin e vërtetë, ndryshimin e shumëpritur, ndryshimin që do të nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni raskapitës i politikës së vjetër”, - pohoi Rama lidhur me takimin që zhvilloi dje me Milon dhe Gjinushin. I pyetur nëse ky koalicion është i plotë edhe pa Metën, ai theksoi se bashkimi i ri përtej kufijve të partive është një bashkim përtej kufijve të politikës së vjetër. Sipas Ramës, një grupim i cilitdoqoftë dhe sadoqoftë nuk mund të përcaktojë fatet historike dhe as rrugën e historisë së një vendi apo rrugën e politikës së re që është politika e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit dhe jo për një grusht zanatçinjsh, që quhen rëndom politikanë, po që rëndom i kanë krijuar Shqipërisë probleme dhe plagë. “E kam thënë dhe e përsëris: Ilir Meta është miku im, dhe jam i keqardhur teksa e shoh përditë e më të ngrefosur ndaj Partisë Socialiste, përditë e më thellë në batakun e politikës së vjetër, duke bërë kësisoj një punë jo të mirë për ata njerëz që e ndjekin pas dhe duke bërë që tek ai Sali Berisha të shohë shpresën e tij të fundit. Por sidoqoftë, ne do të fitojmë zgjedhjet e 2009-ës”, - tha Rama. Lidhur me këmbënguljen e socialistëve për krijimin e një koalicioni të përbërë, pika kryesore e kundërshtuar nga LSI, Rama tha se Reforma Zgjedhore nuk është një mekanizëm për të përmbushur interesa të pjeshme, por është një proces për të transformuar një sistem të kalbur politik dhe për t u dhënë mundësi qytetarëve të këtij vendi që të zgjedhin, dhe subjekteve të konkurrojnë dhe atyre që zgjidhen, që të qeverisin. Në këtë sens, sipas tij, të gjitha manovrat, paragjykimet apo gjykimet që bazohen në stereotipin e politikës së vjetër dhe të së shkuarës, nuk na bëjnë asnjë përshtypje.
Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›