E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të visheni me modë nëse bëheni nuse këtë verë



Merita TOÇILA
Si në krijimet e tjera edhe te fustanet e nuseve ndeshim disa tendenca, por ajo që dominon mbi të tjerat është tendenca “retro”, rikthimi në vitet `20, te gjyshet tona me fustanet e tyre të bardhë, nga koka deri te majat e gishtave. Falë artit të fotografisë na kanë mbërritur sot fustanet e atyre brezave që nga fundshekulli XIX dhe fillimi i shekullit XX dhe vit pas viti janë të dukshme lëvizjet e dizenjimit të këtyre fustaneve. Nga i gjatë në të shkurtër, nga prerje si këmbanë në të drejtë, deri sa ka ardhur në ditët tona, por përsëri nuk mund të themi që fustani i nuseve ka pësuar një revolucion të mirëfilltë. Ai ka evoluar në detaje, dhe në përgjithësi ka mbetur i njëjti. P.sh. fustani në tërësinë e vet është i bardhë, vetëm vonë ka filluar të luhet me ngjyrat, por edhe këto me rezerva: të lehta në rozë, gri e hapur, pastel, i kuq, shume rrallë është i zi. Për një eveniment kaq të rëndësishëm nuset preferojnë të mos e kenë të zi fustanin e nusërisë. Mirë është që të mos gabohet në zgjedhjen e fustanit sipas siluetës, sepse ka modele nga më të ndryshmet për të gjitha tipet e trupave; të gjata, të dobëta, të shëndosha, të shkurtra, të imëta, etj.
Për një trup të shkurtër, për shembull do shkonte një fustan me bust të prerë në linjë të drejtë me një fund në formë trapezi, i gjithi në tafta ku pjesa e belit dekorohet me një fjongo të lidhur me delikatesë. Ruhet prerja e thjeshtë dhe linja e pastër për ta zgjatur siluetën. Ose mund të ketë dhe dekorime në linjë gjatësore për të ndihmuar gjithashtu zgjatjen e trupit.

Nuset shtatlarta

Për një trup të gjatë do shkonte një model me prerje me shkallë. Shkallët krijojnë një iluzion optik dhe zbusin siluetën duke e sjellë trupin në një gjatësi normale. Edhe materiali që përdoret është tafta i përzier me tyl, për ta shoqëruar thyerjen që kërkohet. Për siluetat e imëta zgjidhet një prerje e fryrë që krijon volum në formë këmbane me një dekolte në formë zemre e dekoruar e gjithë me tyl të qëndisur me rruaza dhe temina, me një vello të gjatë dhe e shoqëruar me taka të larta. Çdokush që e mban veshur duket shumë princeshë, pa krijuar idenë e mbytjes së siluetës së vogël. Ose me një prerje më të sofistikuar mund të dekorohet busti me pupla dhe perla për të krijuar volum.

Nuset e shëndosha

Për të shëndoshat shkon një prerje në model mbretëreshe, me një dekorim nën vijën e gjoksit, duke vënë në dukje dekoltenë dhe supet me tyl të hollë, për të humbur vështrimim nga kilogramët e tepërt, te barku dhe në vithe. Për këto silueta mund të shkojë dhe një model në ngjyrë të errët vishnje i prerë në formë kove dhe me bust ku mund të vendoset ndonjë bizhu e thjeshtë. Një model shumë provokues mund të jetë ai me bust transparent dhe me fund të prerë në stil spanjoll, ngarkuar me tyl të qëndisur, perfekt për të kërcyer tango. Volumi që krijojnë palat e tylit janë shumë efektive për ato silueta që kanë mangësi në vithe. Për nostalgjiket e viteve `20 do të shërbente një model me një bust të dekoruar me kristale dhe me fund në mëndafsh të egër mbi të cilin mund të aplikohet një lule e madhe. Mbahet me një tyl të gjatë për t`i dhënë më shumë madhështi veshjes. Por mund të zgjidhni gjithashtu, edhe model princeshe në mëndafsh dhe organca. Te ky fustan vizatimet dhe qendisjet realizohen me dorë. Imazhi përrallor që krijohet u shkon përshtat cdo nuseje në të gjithë llojet e siluetave, sepse prerja e tij lejon të fshihen të gjithë problemet trupore duke krijuar një volum të këndshëm si dhe duke zgjatur siluetën.

9 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›