E Diel, 1 Nëntor 2026

Si t’ia dalim mbanë me fëmijët hiperaktiv

TIRANË-Fëmija juaj është gjithmonë në lëvizje, përqëndrohet me vështirësi, bërtet, kërcen dhe kurrë nuk lodhet. Dikur për këta fëmijë thuhej se janë të gjallë, ndërsa sot thuhet se janë hiperaktiv. Natyrisht nuk vuajnë të gjithë fëmijët nga hiperaktiviteti, prandaj edhe duhet mësuar se si të dallojmë këtë çrregullim dhe si të sillemi ndaj fëmijës.

Njihni fëmijën hiperaktiv
.Ata njihen qysh në muajt e parë të jetës, edhe pse ushqehen rregullisht dhe përkujdesjen e marrin maksimalisht, ata nuk janë të qetë.
 Fëmija juaj kalon nga një veprimtari e papërfunduar në tjetrën, në një nivel jo të përshtatshëm për moshën e tij.
• Atij i tërhiqet lehtë vëmendja nga aktivitetet e përditshme nëpër shtëpi.
• Ai ka vështirësi për t’u përqëndruar në një detyrë, punë apo bashkëbisedim.
• Ai është I paorganizuar, humbet lodra, rroba.
• Ai vonohet në shkollë, nuk kthehet në shtëpi në kohën e duhur.
• Ai nuk dëgjon me vëmendje, e humbet drejtimin, nuk I mbaron detyrat e shtëpisë.
• Ai shpesh flet tema pa lidhje apo që nuk kanë të bëjnë fare.
• Ai acarohet lehtë, reagon në mënyrë të papërshtatshme ndaj shqetësimeve të parëndësishme.
• Ai ndërpret dhe jep përgjigje pyetjeve përpara se ato të jenë përfunduar.
• Ai ka vështirësi për të dëgjuar dhe për të ndjekur udhëzime.
• Ai e ka të vështirë të dëgjojë një tregim deri në fund.
• Ai turret në një aktivitet para se të marrë të gjitha udhëzimet.
• Ai përfshihet në aktivitete të rrezikshme fizikisht pa marrë në konsideratë pasojat e mundshme.
• Ai e ka të vështirë të luajë në grup, bën liderin, është agresiv.

Bëhuni të durueshëm!

- Prindërit gjatë edukimit të fëmijëve hiperaktiv duhet të jenë të durueshëm dhe në mënyrë të qartë të shprehin kërkesat e tyre.
- Dënimi është rreptësisht i ndaluar, sepse kështu do ta shtoni agresivitetin e fëmijës.
- Ndihmojini fëmijët që energjinë e tepërt ta drejtojnë në ndonjë aktivitet sportiv apo në ndonjë aktivitet tjetër fizik.
- Fëmijës jepini vetëm një lodër, sepse aktivitetet paralele rrisin hiperaktivitetin e tij.
- Shikimi i televizorit më shumë bën dëm sesa e ndihmon. Prandaj, në mënyrë drastike zvogëloni kohën të cilën fëmija kalon pranë ekranit të televizorit.
- Lexojini tregime të shkurtra para gjumit. Kjo do ta qetësoj dhe do ta inkurajoj imagjinatën e tij dhe mbi të gjitha përqëndrimin.
- Kur vëreni se fëmija është nervoz, përqafojeni, mbajeni të përqafuar dhe tentoni që ta qetësoni.
- Ledhatojeni fëmijën sa herë që ju ofrohet mundësia.

Si t'i ndihmojmë fëmijët hiperaktivë dhe të shpërqëndruar?

-Fëmijët hiperaktivë dhe me mungesë përqendrimi, megjithëse e kanë të vështirë të ambientohen, të qëndrojnë pa lëvizur e pa folur, nëse i detyrojmë në kohën e duhur të përshtaten me ambientin; nuk humbasin asgjë, përkundrazi, shpërqendrimi nuk bëhet pjesë e karakterit të tyre dhe atyre u rritet kontrolli dhe besimi në vetvete.

- Në mënyrë që kohëzgjatja e përqendrimit të jetë më e gjatë, dhe performanca më e mirë, detyrat e klasës është e mira t’u jepen pjesë-pjesë dhe fund të çdo detyre të kritikohen, por gjithashtu nuk u duhen kursyer edhe lëvdatat.

-Kritika për çdo gabim të bërë i bën këta fëmijë të mendojnë se mësuesi ose familjarët kritikojnë vetëm ata , prandaj do të ishte më mirë të mos u vëmë në dukje çdo veprim të gabuar.

-Kur ngrihet për t’iu përgjigjur një pyetjeje që i është drejtuar, është mirë ta inkurajojmë me fjalë të bukura, në rast të kundërt, nëse përgjigja është gabim, të mundohemi të gjejmë një lidhje logjike midis përgjigjes së saktë dhe asaj të dhënë nga fëmija. Është e rëndësishme që ky fëmijë të kuptojë se është si gjithë të tjerët, ka kapacitet për të qenë i suksesshëm.

-Si pasojë e hiperaktivitetit këta fëmijë mundohen që çdo detyrë të dhënë ta mbarojnë me shpejtësi dhe bëjnë shumë gabime, vijnë si pasojë shpërqendrimit dhe jo nga mungesa e kapacitetit.

- Shpeshherë mësuesit ose prindërit u kërkojnë t’i kontrollojnë detyrat pasi t’i kenë mbaruar, por rezulton që në shumicën e rasteve, një punë që ata e konsiderojnë të mbaruar, e kanë të vështirë t’i rikthehen. Pikërisht ky është momenti që këta fëmijë duhen tërhequr të kontrollojnë detyrën së bashku me mësuesin ose prindin dhe të dalin në pah gabimet që janë bërë për efekt shpejtësie. Gjithashtu nuk duhet t’u kursejmë kritikat dhe t’u shpjegojmë që “Saktësia në jetë është më e rëndësishme se shpejtësia”.

Çdo fëmijë i lëvizshëm nuk është hiperaktiv
Çdo fëmijë mund të jetë i lëvizshëm apo i padurueshëm por nuk është hiperaktiv. Nëse problemet vazhdojnë edhe pas marrjes së masave dhe mbështetjes së nevojshme të shkollës atëherë është një gjendje që duhet kuruar. Ne e dimë që 9 nga 10 fëmijë ndalojnë kur u thuhet “mos lëviz”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›