Si u diskriminuan shqiptarët nga sllavët në vitin ‘81
Gazeta “Bashkimi” sjell fakte të gazetave dhe revistave jugosllave. Ndëshkohen ata që demonstruan për një Kosovë të pavarur
Shovinistët serbomëdhenj vazhdojnë të marrin masa të njëpasnjëshme represive e diskriminuese ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës e viseve të tjera. Revista “Komunist”, organ i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, në një artikull të botuar në datën 14 korrik 1981, bën thirrje që përveç pjesëmarrësve në trazirat e kohëve të fundit në Kosovë, të japin llogari edhe ata që nuk ishin në demonstratë. Sipas revistës, aksioni politik në Kosovë ka arritur në atë pikë ku ai ka nevojë për një nxitje të re. Me fjalë të tjera, ajo lëshon direktivën që të shkallëzohen masat represive kundër shqiptarëve në Kosovë. Gazeta jugosllave “Borba” këto ditë shkruante se “në Suharekë u dënuan 40 të rinj me burgim, 20 të tjerë u përjashtuan nga LS e Rinisë, 18 nxënës të qendrës shkollore ’Jeta e re’ u përjashtuan nga shkolla dhe disa punëtorë të rinj u pezulluan nga puna”. Masa të tilla janë marrë edhe në Maqedoni, ku siç njofton agjencia Tanjung, në komunën e Kërçovës, deri tani nga radhët e Lidhjes së Komunistëve janë përjashtuar 9 anëtarë, 5 anëtarë të tjerë janë paralajmëruar për pushim nga puna, 4 janë ndëshkuar me vërejtje. Ndërsa në Tetovë u shpërnda kryesia e shoqërisë kulturore artistike “Xheladin Zeqiri”, si dhe u vendos të shpërndahet shoqëria sportive “Shkëndija”. Agjencia Tanjung ankohet vazhdimisht për bojkotime, indiferentizëm në procesin e diferencimit, për përhapje traktesh, madje edhe për tentativa të reja për organizim demonstratash”. Kështu, për shembull, më 2 korrik ajo theksonte: “...aksioni në Mitrovicën e Kosovës ka mbetur vetëm me fjalë”, kurse në një lajm tjetër ajo vinte në dukje se “gjatë procesit të diskutimit në shumicën e organizatave-bazë të LK në komunën e Tetovës është shfaqur një rezistencë pasive”. Dhe më poshtë agjencia shton se “në momentin e tanishëm politik të Kosovës pasiviteti i anëtarëve të LK ka arritur deri atje sa shumë prej tyre të mos marrin pjesë as në mbledhjet e organizatave-bazë”. Në shumë lajme të tjera të Tanjugu-t njoftohet për shpërndarjen e pamfleteve, të shkrimeve e të parullave, me anën e të cilave dënohen dhuna e represioni i egër i shovinistëve serbomëdhenj. Kështu, për shembull, në një lajm të Tanjung-ut të datës 9 korrik, me titull “Gjendja e politikës dhe sigurimi në Tetovë janë të ndërlikuara”, thuhet se më 8 korrik në shumë bashkësi lokale të Tetovës u gjetën trakte në të cilat shkruhej se popullsia shqiptare nuk gëzon të drejtat e veta dhe i bëhej thirrje asaj për revoltë. Të shumta janë gjithashtu edhe njoftimet për bojkotimin e mësimeve e të provimeve nga ana e studentëve. Në një lajm të Tanjug-ut, që mbante datën 9 korrik, bëhet e ditur se në katedrën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Shkupit janë shkruar parulla me kërkesën që mësimi të bëhet plotësisht në gjuhën shqipe. Këtu, gjatë provimeve të qershorit 30 studentë u larguan nga salla, duke kërkuar që provimet t’i japin në gjuhën shqipe. Pedagogët e kombësisë shqiptare në shumë shkolla të Shkupit, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, akuzohen se kanë zgjeruar programin mësimor me përmbajtje nga historia dhe kultura shqiptare. Urrejtja ndaj çdo gjëje që është shqiptare arriti deri atje sa në Këshillin e Komunave të Maqedonisë, siç njofton agjencia Tanjug, u paraqit propozimi për ndryshimin e ligjit mbi përdorimin e flamurit shqiptar nga ana e kombësisë shqiptare në Maqedoni. Arsyeja e këtij qëndrimi, sipas Tanjug-ut, në mbledhjen e Kryesisë së Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste të Punonjësve të Kosovës, të mbajtur më 17 korrik, serbi Miroslav Laziç tha: “Çështja e përdorimit të flamujve dhe e simboleve të tjera nacionale nuk është rregulluar përfundimisht”. Ai propozoi miratimin e një ligji që flamuri i kombësisë shqiptare në Kosovë të dallohet nga flamuri i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ky sulm kundër simbolit kombëtar të shqiptarëve shkaktoi një reagim të menjëhershëm që në pjesëmarrësit e mbledhjes. Kjo gjë e detyroi Kryesinë e Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste të punonjësve të Kosovës që të shpallë një njoftim ku thotë se ajo e shikon si të pabazuar çdo ngritje të çështjes së formës dhe dukjes së flamurit të kombësisë shqiptare te ne, ose çështjen e përdorimit të tij. Gjithashtu Tanjug-u, në një lajm tjetër bënte të ditur se Kryesia e komunës së Dushanovës shpërndau organizatën e LKJ-së të kësaj komune me motivacionin se nuk ishte në gjendje të çonte deri në fund procesin e diferencimit, se kishte kundërshtuar përjashtimin e 8 anëtarëve të saj dhe nuk e dënoi kërkesën e demonstruesve për shndërrimin e krahinës së Kosovës në republikë. Shpjegimi i tyre, thekson Tanjung, ishte se në këtë mënyrë, duke u bërë Kosova republikë do të forcohej uniteti i Jugosllavisë. Për përjashtimin e 8 anëtarëve votoi vetëm sekretari i organizatës-bazë. Shpërndarja e organizatave të LK-së në Kosovë tashmë është bërë një dukuri e zakonshme. Me motivacionin standard “për shkak se nuk ka qenë në gjendje të bëjë diferencimin”, u shpërnda edhe organizata-bazë e një ndërmarrjeje në kombinatin e ndërtimit “Ramiz Sadiku” dhe ajo e fshatit Kovrag. Agjencia Jugosllave e Lajmeve bën të ditur se me angazhimin e organeve të sigurimit është përcaktuar se në demonstratat në Kosovë morën pjesë 30 studentë nga Dibra, kundër të cilëve janë marrë masat përkatëse.
Shkrimi është marrë në gazetën “Bashkimi” më datë 20 korrik 1981
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
26 Shkurt 2008