E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtarët në rrezik, kompanitë shmangin servisin e avionëve

Një prej kompanive ka shtatë muaj që nuk bën asnjë remont. Pesë ditë më parë u rrezikua shpërthimi i avionit në Verona
Habjon Hasani
Njëra prej kompanive me numrin më të madh të pasagjerëve në Shqipëri ka të paktën shtatë muaj që nuk ka kryer remontin e asnjë prej avionëve me të cilët ajo operon. Pesë ditë më parë për pak sa nuk shpërtheu në Aeroportin e Veronës në Itali. Pas aksidentit në Verona, “Albania” ka mundur të hedhë dritë mbi shkaqet e vërteta të këtij aksidenti, i cili rezulton të ketë ndodhur për shkaqe që varen tërësisht nga kompania dhe Drejtoria e Aviacionit Civil në Shqipëri. Ndërsa kompania ka marrë të drejtën për të operuar në Shqipëri si operator i aviacionit civil (patentë që nuk i jepet kujtdo), rezulton se kompania nuk ka në pronësi të saj asnjë prej avionëve që ka regjistruar, por i ka të marrë me qira nga një kompani kroate (e cila rezulton me vështirësi financiare), e quajtur “Airadriatic”. Marrëveshja që kompania shqiptare ka lidhur me kompaninë “Airadriatic” parashikon që remontin dhe servisin e avionëve që kompania shqiptare ka marrë me qira ta kryejë kompania kroate. Nisur nga fakti se në Shqipëri nuk ka asnjë kompani të licencuar që operon në shërbimin e servisit të avionëve, kjo marrëveshje duket normale, por në fak “Albania” ka zbuluar së fundmi se prej shtatë muajsh ende kompania shqiptare nuk ka kryer asnjë servis apo kontroll pranë kompanisë “Airadriatic” për shkak se kompania shqiptare i detyrohet që prej shtatë muajve kompanisë kroate një shumë prej afro 540 mijë eurosh (të akumuluara nga marrja me qira e avionëve).
Drejtoria e Aviacionit Civil
Jo më larg se 24 orë më pare, njëri prej drejtuesve të kompanisë ajrore kroate ”Airadriatica” i konfirmoi ”Albania”-s borxhin prej të paktën 540 mijë eurosh që kompania shqiptare i ka asaj kroate. Njëkohësisht, drejtuesi konfirmoi se prej shtatë muajsh kompania shqiptare nuk ka kryer kontrolle dhe servis pranë kompanisë kroate, sikurse parashikon dhe marrëveshja mes tyre. Megjithatë, ”fati i udhëtarëve” të paktën ligjërisht nuk rezulton të jetë në dorën e ”humorit” që kanë këto dy kompani, pasi legjislacioni parashikon që Drejtoria e Aviacionit Civil të kontrollojë procedurat e kompanive të regjistruara në Shqipëri në lidhje me sigurinë në fluturim. Nisur nga fakti se njëra prej kompanive më të mëdha ajrore ka shtatë muaj që nuk kryen remont, ”Albania” shkoi pranë Drejtorisë të Aviacionit Civil për të kërkuar informacion zyrtar, megjithatë askush nuk preferoi të ofronte informacion pa ardhur më parë drejtori që të autorizonte. Gjithsesi, legjislacioni e detyron këtë institucion që të sigurojë nëpërmjet aktiviteteve të kontrollit që personat e certifikuar dhe strukturat e aviacionit janë kompetente dhe operojnë në përputhje me rregullat dhe standardet. Gjithashtu, kjo drejtori është e detyruar të analizojë informacionet e grumbulluara në lidhje me incidentet, aksidentet dhe situatat e emergjencës nga burimet ndërkombëtare dhe kombëtare (strukturat e aviacionit civil) për të rekomanduar përmirësimet e nevojshme mbi bazën e konkluzioneve të komisioneve të investigimit kombëtar apo
ndërkombëtar.
E ZEZË
Ndoshta nuk është rastësi që tre vite më parë Shqipëria rrezikoi seriozisht të klasifikohej në listën e zezë të Këshillit të Europës për ”Aviacionin Civil”. Por në ndryshim me të gjitha vendet e Bashkimit Europian, në Shqipëri Drejtoria e Aviacionit Civil është juridikisht një strukturë e varur politikisht, ndërsa dhe ekipi i saj i teknikëve dhe profesionistëve është nën varësi direkte politike dhe i paimunizuar nga rrotacionet e pushtetit. Në këto kushte, është e lehtë të kuptohet se përse bëhet kaq e vështirë puna për ekspertët e këtij institucioni që të ndërhyjnë paraprakisht për të shmangur abuzime që kushtojnë jetë njerëzish. Vetëm në precedentin e pesë ditëve më parë me avionin në Verona mund të kuptohet lehtësisht se siguria e aviacionit civil në Shqipëri është “në duart e fatit”. Avioni që u përpi nga flakët ishte i modelit MD-80 dhe i përket një serie avionësh që janë prodhuar 25 vjet më parë. Një pjesë e konsiderueshme e vendeve të BE-së kanë ndaluar përdorimin e avionëve me këtë vjetërsi, ndërsa në të kundërt cilido operator që i përdor duhet të dyfishojë kontrollet dhe serviset mbi ta. Në kushtet kur kompania shqiptare ka shtatë muaj që nuk ka kryer asnjë ndërhyrje për remont, automatikisht vërtetohet dhe neglizhenca totale e organit kompetent që është Drejtoria e Aviacionit Civil. Vetë shkaqet e zjarrit (nga tubat e vajit) implikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë subjekte konkrete, pasi ky defekt është me ligj i detyrueshëm për t’u parandaluar. Sikur në mënyrë hipotetike të mendonin që defekti të kishte ndodhur vetëm njëzet minuta më vonë (pasi avioni të ishte ngritur në qiell), atëherë bilanci i këtij ”defekti” do të ishte 109 persona të vdekur.

Zjarri në Verona, abuzimi u “shit” për incident

Rreth 109 shqiptarë kanë shpëtuar për mrekulli dje në Verona, kur avioni me të cilin udhëtonin drejt Tiranës u përfshi nga flakët pesë ditë më parë, ndërsa fillimisht u bë e ditur se bëhej fjalë vetëm për një incident. Avioni shqiptar i linjës Verona-Tiranë është përfshirë nga flakët në aeroportin italian të qytetit të Veronës, ndërsa ishte duke u ngritur nga pista për të fluturuar drejt Tiranës. Mediat vendase, që u referohen burimeve zyrtare të autoriteteve italiane të fluturimit, raportojnë se avioni me 109 pasagjerë në bord pati probleme me njërin nga motorët, në të cilin zjarri shkaktoi dëme të mëdha, por fatmirësisht pa viktima në njerëz. Mjeti fluturues shqiptar i tipit MD-80 ka dhënë alarmin menjëherë dhe forcat e zjarrfikësve kanë mundur të evitojnë tragjedinë në aeroportin "Vilafranka" të Veronës. 109 pasagjerët, të cilët ishin nisur drejt Tiranës, janë evakuuar menjëherë nga avioni së bashku me ekuipazhin. Pasagjerët kanë qëndruar në pritje të një avioni tjetër për të udhëtuar drejt kryeqytetit të Shqipërisë. Ndërkohë mësohet se Agjencia Italiane për Sigurinë e Fluturimit ka hapur një hetim në lidhje me incidentin e ndodhur, që për pak mund të shkaktonte një katastrofë në pistë. Sipas zjarrfikësve, zjarri mund të jetë shkaktuar nga një rrjedhje vaji, nëpërmjet një çarjeje në një tub hidraulik. Edhe për shkak të numrit të kufizuar të fluturimeve, avionët e linjave shqiptare nuk kanë pësuar ndonjëherë aksidente të rënda. Aksidenti më i rëndë përsa i përket aviacionit civil në Shqipëri ka qenë dalja e një avioni nga pista e Rinasit disa vite të shkuara. Në vitin 2006, një avion i "Turkish Airlines", që udhëtonte nga Tirana në Stamboll, u mor peng nga një person dhe u detyrua të ulej në Brindisi të Italisë. Ndërsa në vjeshtën e vitit 2007, një avion turk, që fluturonte edhe në linjën e Tiranës, u rrëzua gjatë një fluturimi brenda Turqisë.

Konfliktet, dyshime edhe për lejet e kompanive ajrore

Rreth 17 muaj më parë, Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Aviacionit Civil urdhëruan eliminimin nga tregu të operatorit “Albatros” . Asokohe, kjo firmë u përfshi edhe në një skandal përgjimesh ku u regjistrua ish-drejtori i Aviacionit Civil ndërsa i bënte presion kreut të kompanisë. Gjithsesi, për kompaninë u vendos menjëherë heqja e licencës në kushtet kur u mësua se kompania ishte në borxhe me të tretët. Asokohe, nga ana e pronarëve të “Albatros” u pretendua se ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, ishte duke favorizuar haptazi kompaninë e porsalinduir të quajtur “Bel Air”. Sipas presidentit të “Albatros”, kompania konkurrente “Bel Air”, në rakordim me DPAC-në, ka marrë lejet përkatëse për fluturime shtesë përpara se vetë “Albatros” të njoftohej për pezullimin e saj. “Kompania konkurrente “Bel Air”, në rakordim të plotë me Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil, përpara se të merrnim njoftimin për pezullimin e operimeve ka marrë lejet përkatëse për marrjen e të drejtave të fluturimeve të kompanisë sonë, duke lënë të kuptohet qartë një aferë korruptive, në dëm të interesave të “Albatros Airways””, - thuhej asokohe në letrën për ministrin Lulzim Basha. Gjithashtu, “Albatros” ka deklaruar se ka të dokumentuar me letra, audio, internet, e mail etj. ato që i cilëson si “forma të presionit kriminal që i janë bërë kompanisë”.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›