E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim për katër mësues me diplomë false, dy nuk kishin as arsim të mesëm

Policia e Beratit nis hetimet për disa arsimtarë në gjimnazet e Skraparit. Diplomat false janë lëshuar nga Universiteti i Gjirokastrës dhe i Elbasanit
SKRAPAR - Katër mësues nga rrethi i Skraparit do të jenë nën hetim, pasi akuzohen se kanë falsifikuar diplomat e arsimit të lartë. Lajmin e bën të ditur për gazetën Zyra e Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit, ku ka nisur hetimi për katër arsimtarët e gjimnazeve të këtij rrethi. Burime zyrtare pranë kësaj zyre bëjnë me dije se ka qenë një informacion i siguruar në mënyrë operative që ka bërë të mundur nisjen e hetimeve nga inspektorët e krimit ekonomik për mësuesit e rremë. Denoncimi ka ardhur pranë kësaj zyre nga banorë të Skraparit, të cilët kanë akuzuar mësuesit se jepnin mësim në saje të diplomave të falsifikuara. Menjëherë, ekspertët kanë nisur hetimet e rastit për secilin mësues. Sipas informacioneve, dy mësues në shkollën e mesme të qytetit të Çorovodës dhe dy mësues në shkollën e mesme të komunës Qendër dhe të një komune tjetër të këtij rrethi, kishin falsifikuar diplomat e arsimit të lartë. Mësuesit me iniciale M. N., Sh. Q., L. M. dhe V. L., banorë të Çorovodës, mbi 40 vjeç, që jepnin respektivisht lëndën e Historisë, Gjeografisë dhe të Biologjisë, mësohet se ushtronin profesionin me dokumentin e diplomës të falsifikuar. Ata e kanë bërë një veprim të tillë disa vite më parë dhe e kanë ushtruar profesionin pa u vënë re nga drejtoria rajonale arsimore. Mësuesit e shkollave të mesme, që punojnë që pas vitit 1997 në arsim, mësohet se e kishin siguruar vendin e punës në saje të dokumenteve false, të cilat mbajnë vulat dhe firmat sikur të kenë dalë nga Universiteti i Elbasanit dhe i Gjirokastrës. Sipas hetimeve të para, mësohet se dy nga këta mësues nuk kanë pasur të rregullt as dëftesën e shkollës së mesme. Ekspertët e krimit ekonomik mësohet se kanë bërë menjëherë bllokimin e dokumenteve, diplomave të katër mësuesve, ndërsa kanë nisur hetimet rreth dyshimeve për falsifikimin e tyre. Të katër mësuesit tashmë mësohet se janë nën hetim në gjëndje të lirë për veprën penale të “falsifikimit dhe përdorimit të dokumentave të falscifikuara ”, akuzë kjo e bazuar në nenin 187 të kodit penale. Sipas burime pranë Zyrës së Antikrimit Ekonomik, mësuesit janë ndaluar të japin mësim në shkolla deri në përfundimin e hetimeve. Ky nuk është rasti i parë që në shkolla të ndryshme të qarkut të Beratit të japin mësim mësues me diploma të falsifikuara. Por, edhe pse shumë raste janë vërtetuar, asnjë prej falsifikatorëve nuk është ndëshkuar sipas ligjit. Madje, dy vjet më parë, në Drejtorinë Arsimore të Qarkut të Beratit janë zbuluar shumë arsimtarë që kishin manipuluar me diplomat e shkollës së lartë, por vetëm 30 prej tyre u ndëshkuan vetëm me largim nga detyra. Në shumë rrethe të vendit ka mësues që nuk kanë mbaruar arsimin përkatës ose kanë falsifikuar diplomat dhe trajnimet, gjë që ka sjellë një ulje të nivelit të mësimdhënies nëpër shkollat e vendit.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›