E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: “E dimë pse Berisha po e sulmon Akademinë”

Me Akademinë e Shkencave po përsëritet skema e vitit 1993. Si e komenton zgjedhjen e kryetarit të ri, Teki Biçoku
Jonida Tashi

Kryeministri Sali Berisha po përsërit të njëjtën skemë, atë të vitit 1993, për Akademinë e Shkencave. Këtyre ndryshimeve, akademikët duket se u janë druajtur që në momentin kur Berisha erdhi në pushtet. Kështu ka pohuar dje, ekskluzivisht për gazetën “Albania”, akademiku dhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli i pyetur në lidhje me zhvillimet më të fundit që po ndodhin në Akademinë e Shkencave. Agolli nuk nguron të komentojë dekretin më të fundit të Presidentit Bamir Topi dhe të japë vlerësimin e tij për figurën e Rexhep Meidanit. Në intervistë, Agolli ka shpjeguar gjithçka pse është kundër dekretimit të Teki Biçokut dhe pro Rexhep Meidanit. Duke e cilësuar këtë veprim të Presidentit si shkelje të rëndë, Agolli është i bindur se tashmë Akademia është kthyer në një hallkë të qeverisë. “Që kur erdhi Berisha në pushtet, akademikët e parandjenë se ai nuk do ta linte Akademinë të qetë”, - u shpreh Agolli.
Si ju duket figura e Teki Biçokut në krye të Akademisë?
Biçoku është i një sektori që unë nuk e njoh. Me sa kam dijeni, ai është një njeri i përgatitur, por ky caktim nuk është i rregullt dhe demokratik.
Pse nuk është i rregullt?
Nuk është i rregullt pikërisht në këtë moment, kur ne po përpiqemi të veprojmë sipas rregullave demokratike dhe kur zgjedhjet nuk bëhen sipas rregullave. Ka mundësi të tjera për të vendosur kryetarin e Akademisë në mënyrë të rregullt dhe jo të caktuar nga qeveria dhe ka figura të tjera.
A ishit ju në dijeni më parë se Teki Biçoku do të vendosej në krye të Akademisë?
Jo, nuk kam qenë në dijeni. Por dua të them se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vitin 1993 në Akademi, që u caktua nga qeveria kryetari i Akademisë. Kryeministër ishte Sali Berisha në atë kohë. Kjo gjë ndodhi përsëri sot. Që kur erdhi Berisha në pushtet, akademikët e parandjenë që ai nuk do ta linte Akademinë të qetë.
Si ju duket ky dekretim?
Ky dekretim është një veprim arbitrar, një shkelje e rëndë dhe provokuese.
Pse provokuese?
Sepse qeveria me këtë veprim tregoi se ka forcë të bëjë ç’të dojë.
Sipas jush, kush duhej të ishte në krye të Akademisë?
Akademia e Shkencave i bëri zgjedhjet në mënyrë të rregullt dhe zgjodhi Rexhep Meidanin për kryetar të saj. Edhe ai është një akademik. Unë mendoj se për një post të tillë duhej rishikuar figura e Rexhep Meidanit.
Nëse do t’jua propozonin juve një post të tillë, si do të vepronit?
S’do ta pranoja kurrë, sepse nuk dua të jem në këto lloj postesh.
Pse?
Sepse do të kisha aq ndërgjegje sa për të mos pranuar poste me një mënyrë të tillë zgjedhjeje dhe nuk dua të më caktojnë të tjerët.
Po nëse do t’ju zgjidhnin akademikët?
As në këtë rast nuk do të pranoja. Thjesht do t’i falënderoja për një propozim të tillë.
Tani që u caktua kryetari i Akademisë, mendoni se ajo do të fillojë të funksionojë?
Nuk bëhet më Akademi tani, përsa akademikët nuk kanë të drejtë të zgjedhin dhe as të zgjidhen. Tani Akademia është një hallkë qeveritare, si të gjitha institucionet e tjera.
Akademikët: “Nuk na pyetën për kryetarin e ri”

Shndërrimi i Akademisë së vjetër të Shkencave në një të re tashmë është bërë realitet. Dekretimi i akademikut Teki Biçoku, si kryetari e ri i përkohshëm i Akademisë, i ka hapur rrugë shkarkimeve dhe emërimeve të reja në këtë institucion. Orët e fundit të Akademisë së vjetër të Shkencave po shkojnë në finish. Dekretimi i kryetarit të ri të përkohshëm të Akademisë së Shkencave nga Presidenti i vendit, Bamir Topi, duket se ka ngjallur mjaft polemika në radhët e akademikëve, të cilët nën zë kanë pohuar se nuk janë pyetur për emërimin e gjeofizikanit Teki Biçoku. Përballë këtij fakti, situatën më të vështirë për t’u prononcuar e bën edhe fakti tjetër se ai prej vitesh ka qenë dhe është një koleg i tyre. I kontaktuar nga gazeta “Albania”, sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave edhe për pak ditë, Eduard Sulstarova, ka pohuar: “Ai është një atribut i qeverisë dhe i presidentit. Ne nuk jemi pyetur për këtë punë. Gjithsesi, ai është një njeri që ka dhënë kontributin e tij në Akademi”. Akademiku Sulstarova nuk ka mundur t’i përgjigjet më tej insistimit të gazetares për mënyrën se si është zgjedhur dhe pritur nga akademikët gjeofizikani Biçoku. Së fundi ai ka pranuar dhe bërë njëkohësisht publik faktin se tashmë edhe detyra e tij po shkon drejt fundit.

Akademia e re

Pas dekretimit të Teki Biçokut si kryetar i Përkohshëm i Akademisë së Shkencave dhe që do të drejtojë Akademinë gjatë reformimit të saj, bota akademike është ende në ankth se cilët do të jenë emrat që do të mbajnë postin e zëvendëskryetarit dhe sekretarit Shkencor të Akademisë. Pas përcaktimit të kryetarit të ri, pritet që së shpejti Kryesia e Përkohshme e Akademisë të zgjedhë zëvendëskryetarin dhe sekretarin shkencor. Teki Biçoku u dekretua në datën 22 shkurt si kryetar i Kryesisë së Përkohshme të Akademisë së Shkencave. Kryesia e Përkohshme e Akademisë, në bazë të ligjit të miratuar, do të përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari dhe sekretari Shkencor. Kryetari emërohet nga Presidenti i Republikës mbi bazën e propozimit të Komitetit të Reformimit të Akademisë së Shkencave, ndërsa zëvendëskryetari dhe sekretari Shkencor i Akademisë emërohen nga Këshilli i Ministrave mbi bazën e propozimit të KRASH-it. Bazuar në ligjin e ri “Për Akademinë”, kandidatët duhet të jenë nga radhët e anëtarëve të rregullt të Asamblesë ekzistuese.

Zgjedhja e Kryesisë

Zëvendëskryetari, sekretari Shkencor dhe drejtuesit e seksioneve përzgjidhen drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga Asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt dhe të asociuar, sipas procedurave të përcaktuara në Statutin e Akademisë. Kohëzgjatja e mandatit të kryetarit dhe të zëvendëskryetarit është katër vjet, ndërsa e sekretarit Shkencor dhe e drejtuesve të seksioneve është pesë vjet. Në çdo rast, mandati i kryetarit, zëvendëskryetarit, sekretarit Shkencor dhe drejtuesve të seksioneve mbaron me përfundimin e statusit të anëtarit të rregullt ose të asociuar, në përputhje me Nenin 6/1 të këtij ligji. Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari Shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të zgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi.

Konflikti

Konflikti midis Akademisë së Shkencave dhe qeverisë nisi më 14 nëntor të vitit të kaluar, kur Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri “Për Akademinë”. Ky projektligj u botua fillimisht në gazetën “Albania” si dhe uebsajtin e Këshillit të Minstrave dhe i ka kaluar më pas Kuvendit me kërkesën për ta miratuar me procedurë të përshpejtuar.
Shkrirja e instituteve kërkimore të Akademisë në muajin e fundit të vitit 2007 ishte kambana e parë që paralajmëroi se kjo Akademi do të shndërrohej. Reformimi i Akademisë së Shkencave ngjalli një debat të madh midis akademikëve dhe qeverisë pak kohë më parë, kur qeveria solli në Kuvend ndryshimet në ligjin e parë që ishte miratuar, por që ishte bllokuar për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Fillimisht, debati u përqendrua në kriterin që vendosej në draft, i cili përcaktonte moshën 70 vjeç si kufirin kur përfundonte anëtarësia në Akademi. Pas kundërshtimit të akademikëve dhe të opozitës, kjo moshë u caktua 75 vjeç dhe u përcaktuan 10 vende për anëtarët e përhershëm të Akademisë së Shkencave. Ditën kur në parlament u miratua ligji, debati u përqendrua edhe në zgjedhjen e Rexhep Meidanit në krye të Akademisë, i cili nuk u aprovua nga maxhoranca me pretendimin se ai nuk ishte zgjedhur me votat e duhura.

26 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›