E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet banda e grabitësve, 2 në pranga



ELBASAN - Pas një pune të gjatë hetimore Drejtoria e Policisë së Elbasanit goditet banda e hajdutëve të qytetit. Dy prej anëtarëve të saj u arrestuan, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim. Sipas policisë, ata akuzohen se prej 3 muajsh kishin kryer më shumë se 15 vjedhje, duke shkaktuar një dëm prej 70 deri në 100 mijë euro. Burimet zyrtare të policisë dhe Prokurorisë thanë se në pranga u vu Gerti Sadiku, 31 vjeç, Gentian Palo, 35 vjeç dhe në kërkim janë Leonard Dedja, 31 vjeç dhe Kreshnik Daci, 20 vjeç. Sipas policisë, këta persona janë autorët të disa grabitjeve, si: pika lotosh, bare e objekte të tjera. Në gjurmët e bandës së hajdutëve u ra pas vjedhjes së fundi të realizuar prej tyre. Pikërisht katër ditë më parë, kur ata kishin hyrë në një dyqan servisi kompjuterësh, kamerat e sigurisë kanë fiksuar pamjet e tyre. Ndonëse kanë mbajtur maska për të fshehur fytyrën, me anë të punës gjurmuese është arritur të identifikohen këta persona si autorë të 15 grabitjeve. Policia e Elbasanit po punon intensivisht për kapjen e dy personave të tjerë, të shpallur tashmë në kërkim dhe për këtë gjë janë ngritur grupe kontrolli në pjesë të ndryshme të qytetit. Arrestimi i dy të parëve është bërë në momentin kur po transportonin objektet e vjedhura, si televizorë, kompjuterë, printera. Forcat e policisë që i ruanin përgjatë lëvizjeve kanë bërë ndalimin e menjëhershëm. Bashkë me ta ndodhej dhe një person tjetër, i cili ka mundur të largohet. Gjatë kontrolleve të ushtruara janë sekuestruar pajisje të ndryshme, të cilat dyshohen të jenë grabitur në disa objekte private që dyshohen të jenë kryer nga kjo bandë, e cila ishte shndërruar në tmerrin e bizneseve private në mbarë qytetin e Elbasanit. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›