E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, zgjidhet pas 10 vitesh fati i Kirurgjikut



ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Me një fond prej 2.4 milionë euro kanë nisur pak ditë më parë, punimet për ndër-timin e spitalit të ri Kirurgjik-Obstetrik-Gjinekologjik, pjesë e qendrës spitalore "Xhaferr Kongoli" të qytetit të Elbasanit. Investimi, i cili është ndër më të mëdhenjtë në këtë qytet, u jep zgjidhje qytetarëve që prej më shumë se 10 vitesh sorollateshin nga një cep i Elbasanit në tjetrin. Ndërsa kirurgjia ndodhet në qendër të qytetit, shërbimet e tjera në periferi. Ndërtimi i kompleksit të ri pritet që jo vetëm të shkurtojë mundin, por dhe të sjellë shërbim modern mjekësor. Drejtori i Qendrës Spitalore, Pjerin Xhuvani, pohon se punimet do të përfundojnë sipas projektit, brenda vitit 2011. "Projekti i këtij spitali, i cili përfshin 4200 metra katrorë ndërtim, do të jetë mjaft bashkëkohor, funksional dhe parashikon lidhjen me korridore me të gjitha godinat e spitaleve të tjera të Qendrës Spitalore", sqaroi Xhuvani. Ai shton se ndërtimi i këtij spitali të ri, zgjidh në terma afatgjata nevojat e popullatës, si dhe u jep mjekëve mundësinë që të ofrojnë shërbimin mjekësor me standarde të larta. Spitali rajonal i qytetit të Elbasanit i shërben prefekturës së tretë në vend për nga numri i popullsisë. Nga viti 2000, spitali Kirurgjik i Elbasanit u spostua në atë Obstetrik-Gjinekologjik, pasi godina u amortizua thuajse krejtësisht. Në këto vite shërbimi i kirurgjisë dhe maternitetit kanë punuar në hapësira jo të përshtatshme. Aktualisht spitali Obstetrik-Gjinekologjik, si edhe ai Kirurgjik ndodhen në një godinë, ku numri i shtretërve në të parin është 80, ndërsa 100 në të dytin. Godina e vjetër e Kirurgjisë, sipas Xhuvanit, mund të shfrytëzohet më vonë si poliklinikë, për t'i mbledhur të gjitha shërbimet brenda një kompleksi shëndetësor. Drejtori i spitaleve ka sqaruar edhe mosmarrëveshjen e përhershme të Universitet-Qendër Spitalore mbi spitalin infektiv, i cili ndodhet në të njëjtën godinë me Fakultetin e Infermierisë. "Unë mendoj se nuk është në dëmin e studentëve fakti që shërbimi ynë është në të njëjtën godinë, pasi ata janë duke mbaruar në fushën mjekësore, ku do të kalojnë gjithë jetën e tyre. Megjithatë, dua t'u them se nga ana jonë, universiteti do të ketë më shumë hapësira. Ne jemi një qytet universitar dhe këtë duhet ta vlerësojmë shumë. Kemi në projekt që Spitalin Infektiv ta spostojmë në katin e pestë të Pediatrikut, i cili kërkon një rikonstruksion dhe godinën do t'ia lemë universitetit. Unë nuk do të krijoj asnjëherë pengesa për zhvillimin e tij".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›