E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Xhaferri: Restaurimi i objekteve muzeore, prioriteti ynë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, ka inspektuar dje zonat muzeore të qytetit të Beratit. Qëllimi i kësaj vizite të tij të parë ka qenë njohja me gjendjen, problematikën dhe ecurinë e zbatimit të projekteve të para restauruese për "qytetin e UNESCO"-s. Pas takimit të shpejtë, që ai zhvilloi me kryetarin e bashkisë Fadil Nasufi dhe prefektin e Beratit, Kostandin Lefta, ministri Xhaferri shkoi për të parë nga afër punimet restauruese të banesave karakteristike të lagjes "Mangalem". Ministri Xhaferri ka theksuar se ruajtja dhe restaurimi i objekteve muzeore të qytetit të Beratit është një prioritet i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me UNESCO-n dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, që do të shoqërohet me financimin e rreth 15 projekteve. "Zbatimi i këtij studimi ka nisur gjatë këtij viti, me 5 projektet e para, për të cilat janë investuar rreth 6.5 milionë lekë të reja dhe do të përfundojë në mbyllje të vitit 2010. Fondet e akorduara do të përdoren për riparimin dhe ndriçimin e mureve të kalasë së lashtë, për riparimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve me kalldrëm, për restaurimin e 95 banesave të lagjes "Mangalem", nga 150 të tilla që ka gjithsej kjo lagje, por edhe për restaurimin e disa dhjetëra banesave karakteristike të dy lagjeve të tjera muzeore, "Goricë" e "Kala", si dhe për restaurimin e disa prej objekteve të kultit Monument Kulture", ka premtuar ministri Xhaferri. Ndërsa gjatë vitit 2010 ai ka shtuar se do të financohet projekti për ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore, i cili do të financohet nga Komisioni Europian dhe bashkia e qytetit. "Të gjitha këto do të ndikojnë dukshëm jo vetëm në ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë historike e kulturore të qytetit të një mbi një dritareve, por edhe do të përmirësojnë e shndërrojnë në parametra evropianë të gjithë infrastrukturën turistike të këtij qyteti të rrallë", ka thënë Xhaferri, duke shtuar se akoma nuk është bërë sa duhet që Berati dhe vlerat e tij historike e kulturore të bëhen më të vizitueshme nga turistët vendas e të huaj.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›