Banka Botërore: Liria Ekonomike, Shqipëria e fundit në rajon
Shaban Sulçe
Ashtu siç ndodhi edhe me nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri, institucionet ndërkombëtare vazhdojnë ta nxjerrin “blof” qeverinë shqiptare. Kjo e fundit në mënyrë të vazhdueshme i ka atribuuar vetes suksesin për rritjen e lirisë ekonomike në vend. Madje kryeministri Berisha ka deklaruar se si rezultat i këtij suksesi, në Shqipëri, gjatë vitit 2007 ishin rritur në nivel 87% investimet e huaja në krahasim me një vit më parë. Por e vërteta është ndryshe. Raporti i Bankës Botërore për vitin 2008 e klasifikon Shqipërinë ndër vendet e fundit në botë përsa i përket lirisë ekonomike. Për më tepër, Shqipëria është e fundit në rajon dhe shumë larg vendeve fqinje, si Mali i Zi apo Maqedonia përsa i përket aspektit të lirisë ekonomike. Në klasifikimin e vendeve për “lirinë ekonomike dhe lehtësirat për të zhvilluar biznes”, Shqipëria renditet në vendin e 136-të, duke lënë pas vende të tilla si Iraku, Uzbekistan, Surinam, Sudan dhe vende të tjera afrikane. Ajo është shumë larg renditjes në krahasim me vendet fqinje si Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat renditen respektivisht në vendin e 75-të dhe në vendin e 81-të.
Gjithashtu analiza e Bankës Botërore jep një rezultat negativ kur e klasifikon Shqipërinë në vendin e 165-të përsa i përket një prej parametrave kryesorë të studimit, siç është “Mbrojtja e investimeve”.
PS
Publikimi i raportit të Bankës Botërore, ku Shqipëria renditej ndër vendet e fundit përsa i përket lirisë ekonomike, ka sjellë dje reagimin e menjëhershëm nga ana e Partisë Socialiste. Nënsekretari për Programin e PS-së, Ervin Bushati, tha se një rezultat i tillë vjen për shkak të dështimit të qeverisë “Berisha” në sektorin ekonomik. “Banka Botërore e rendit Shqipërinë në vendin e 136-të nga 178 vende të studiuara për vitin 2008. Zhvillimi i biznesit dhe ekonomisë në vendin tonë janë tërësisht jashtë parametrave rajonalë, kur Maqedonia është në vendin e 75-të dhe Mali i Zi në atë të 82-tin. Me sa vërehet nga lista e paraqitur, realiteti shqiptar është larg deklaratave të vazhdueshme emocionale të qeverisë. Qeveria ka dështuar në misionin e saj në ndihmë të biznesit dhe ekonomisë shqiptare. Korrupsioni dhe mungesa e theksuar e shtetit ligjor janë faktorët kryesorë për renditjen e Shqipërisë krahas vendeve si Mozambiku, Irani, Siria apo Uzbekistani. Tabela shoqëruese e studimit të Bankës Botërore ilustron mbi një situatë biznesi që është në përkeqësim, tepër larg pretendimeve mediatike të qeverisë dhe të pushtetarëve të saj të ekzaltuar”, - u shpreh Bushati.
LSI
Po dje ka reaguar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i KDK-së së LSI-së, Edmond Haxhinasto, duke iu referuar konkluzioneve të paraqitura nga FMN-ja, shprehu shqetësimin për keqmenaxhimin ekonomik që po i bëhet vendit nga qeveria e dështuar e Sali Berishës. Haxhinasto përsëriti kërkesën e LSI-së për realizimin urgjent të skemës së subvencionimit të shtresave të prekura nga rritja e çmimeve. “Dhe së fundi, kjo qeveri po dështon nga dita në ditë në realizimin e një klime të përshtatshme të biznesit. Ky shqetësim është paraqitur nga FMN-ja, nga BB-ja dhe ka qenë një kritikë e theksuar në mënyrë të veçantë edhe nga BE-ja në raportin e saj të progresit për vitin 2007. Pa ndryshuar këtë klimë biznesi, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e atyre të brendshme, me qëllim final rritjen e prodhimit vendas dhe uljen e kostos së produkteve, do të përballemi me riskun e hyrjes në një rreth vicioz të rritjes së çmimeve dhe rritjes së inflacionit, gjë që do të vërë në rrezik rritjen ekonomike dhe stabilitetin e brishtë makroekonomik të vendit, që do të ndikojë në uljen e mëtejshme të nivelit të jetesës së qytetarëve”, - deklaroi Haxhinasto.
15 Maj 2008