E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Krimet e Rënda” rikthejnë në qeli Luftar Reçin

Tiranë - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është bërë dje vleftësimi i masës së arrestit për shtetasin Luftar Reçi, i akuzuar për vrasjen dhe masakrimin e shtetasit Maksim Lala, krim i kryer në bashkëpunim me nipin e tij, Taulant Elezi. Reçi akuzohet për ekzekutimin e Maksim Lalës pas një konflikti dhe për shkak të aktiviteteve të dyshimta. Shkalla e Parë për Krime të Rënda, pas rihetimit të dosjes që prej dy vitesh nuk kishte pasur zhvillime të reja, vlerësoi masën “arrest me burg” për 38-vjeçarin pak muaj më parë për veprat penale të “vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Sipas hetimeve të kryera, Luftar Reçi dhe Taulant Elezi (nipi i tij, i cili u arrestua vitin e kaluar për vrasjen e taksistit Veli Mema), akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në aksin rrugor të autostradës Milot-Burrel, në afërsi të Ulzës, kanë vrarë me armë zjarri, në pjesën e pasme të kokës, Maksim Lalën, 35 vjeç. Madje jo vetëm kaq, por, pas ekzekutimit, ata akuzohen se kanë përçudnuar kufomën, duke e djegur trupin në vendin e quajtur “Ura e kallamishtes” në Burrel, ku është braktisur në një greminë. Po punohet për të zbardhur aktivitetin kriminal të këtij të akuzuari, i cili dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen e vëllait të tij një vit më parë, administratorit të bingos “Ylli”, Agim Reçi.

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›