KLSH: Këshilli Mbikëqyrës, ”hodhi në erë” financat e KESH-it
Habjon Hasani
Nëse drejtorët kryesorë të Korporatës Elektroenergjetike kanë organizuar tendera pafund dhe abuzime shumëmiliardëshe, këtë e kanë bërë nën aprovimin e plotë të Këshillit Mbikëqyrës të kësaj korporate. Është raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ai që ka zbuluar se krejt në kundërshtim me ligjin, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk e kanë vënë kurrë ”ujin në zjarr” ndonëse financat dhe gjendja e përgjithshme e Korporatës përjetonte momentet e saj më të vështira. Në kontrollin e aktivitetit të KESH-it për vitin 2006 (viti me humbjet më të mëdha) është zbuluar se edhe pse Këshilli Mbikëqyrës është mbledhur gjithsej 15 herë dhe ka marrë mbi 48 vendime, në asnjërën prej mbledhjeve nuk është diskutuar lidhur me përmirësimin e situatës ndërsa të gjitha vendimet nuk kanë patur si objektiv asnjë masë rregulluese për financat e korporatës. Nga raporti përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mësohet se kryesisht vendimet kanë qenë të fokusuara në çështjet e ”blerjes së energjisë” duke neglizhuar në mënyrë absurde diskutimet dhe politikat për përmirësimin e gjendjes së korporatës dhe rishikimin e mundësive për mëkëmbjen e saj.
Mbledhjet
”Këshilli Mbikëqyrës i KESH sh.a ka zhvilluar një numër të madh mbledhjesh, ku janë marrë vendime të fushave të ndryshme, ndër më të rëndësishme paraqiten ato të fushës së investimeve dhe blerjeve të energjisë”, - shkruhet në raport. Më tej, raporti thekson dhe faktin më të rëndë ku bëhet e ditur se në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk rezulton që Këshilli Mbikëqyrës të ketë marrë ndonjë vendim konkret për marrjen e masave për daljen nga situata e rëndë financiare e korporatës. ”Megjithatë, duhet të theksojmë se nga shqyrtimi i procesverbaleve të mbledhjeve del se megjithë problemet e humbjeve në rrjet dhe treguesit e realizimit të investimeve janë marrë disa herë në analizë, në asnjë rast Këshilli Mbikëqyrës nuk ka marrë vendime ku të programoheshin detyra konkrete për përmirësimin dhe realizimin e treguesve të programuar”, - shkruhet e zezë mbi të bardhë në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Viti 2006
Ky konkluzion i KLSH-së ka dalë në përfundim të kontrolleve për vitin 2006. Sikurse është vërtetuar edhe në “Albania”, ky vit ka shenjuar për korporatën një vit të mbushur me prokurime antiligjore dhe humbje të mëdha. Po në këtë vit, KESH-i e kishte të pamundur të shmangte kufizimet me energji, të cilat kapnin shifra rekord.
Duket se drejtuesit e KESH-it e kanë kryer të gjithë këtë aktivitet të ”pashqetësuar” nga strukturat e auditit. Ky fakt vërtetohet dhe në konkluzionet e raportit të KLSH-së, ku ekspertët kanë vërejtur se audituesit e Ministrisë së Financave kanë kërkuar penalizime të lehta edhe pse shkeljet kanë qenë të përmasave të konsiderueshme. Kaq arbitrare është mbrojtja që Auditi u ka bërë këtyre drejtuesve, saqë hartuesit e KLSH-së kanë vendosur të tërheqin vëmendjen duke bërë një paragraf special vetëm për këtë problem. ”Në përfundim duhet të theksojmë se me gjithë punën e Departamentit të Auditimit konstatohen përpjekje për identifikimin dhe trajtimin e risqeve më të larta në veprimtarinë ekonomiko-financiare të KESH sh.a, por rezultatet në parandalimin dhe eliminimin e faktorëve që ndikojnë në veprimin e këtyre risqeve janë në nivele të ulëta. Kjo ka ardhur edhe për faktin se nuk ka përputhje ndërmjet shkallës së zbulimeve nga auditimet dhe dhënies së rekomandimeve, masave disiplinore, administrative e penale sipas përgjegjësive”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.
15 Shkurt 2008