E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, mungojnë të pandehurit, shtyhet seanca

Tiranë - Nën masa të rrepta sigurie u soll dje, në ambientet e gjykatës, i penduari Adriatik Coli. Por seanca dështoi sërish për shkak të mungesës së disa prej të pandehurve “rebelë” të një seance më parë, të cilët jo vetëm që u larguan në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit, por kanë kërkuar nga kjo gjykatë të përjashtojë nga trupi gjykues kryesuesin, gjyqtarin Gurali Brahimllari. Mungesa e këtyre të pandehurve dhe avokatëve të tyre ka bërë që sërish të mos zhvillohej seanca e djeshme, madje duhet theksuar se ky proces ende nuk ka çelur shqyrtimin gjyqësor, edhe pse ka disa muaj që ka nisur. Togat e zeza vendosën shtyrjen e seancës, ndërkohë që po nën masa të rrepta sigurie është përcjellë për në vendin ku qëndron i strehuar Adriatik Coli. Të pandehurit e kësaj bande, të cilët gjykohen bashkë, ndonëse janë ndarë si grupe, akuzohen për vepra të ndryshme penale - vrasje, atentate, rrëmbime - të gjitha të kryera në kuadër të organizatës kriminale. Dikur bashkë dhe me krerë Lulzim Berishën e Klodian Saliun, tashmë të ndarë dhe armiq me njëri-tjetrin, njëri grup i drejtuar nga Berisha dhe tjetri nga Indrit Dokle.

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›