E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u rrezikua decentralizimi në Maqedoni

20-08-2013 / Nga Prof.dr. Xhevdet Nasufi

Zgjedhjet e fundit vendore në Maqedoni patën disa veçori dhe mesazhe të rëndësishme, të cilat nga kjo distancë kohore qartësojnë shqetsueshmërinë për nivelin e zhvillimeve demokratike, për marrëdhëniet shqiptaro-maqedone, për etnocentrizmin ekstrem në rritje maqedonas

Nëse analizojmë procesin e zgjedhjeve të fundit vendore në Maqedoni, mund të nxirren disa përfundime që  janë indikative, por edhe porosilënëse për çdonjërin që i adresohen. Referimet ndaj tyre duhet të impenjojnë politikëbërësit, intelektualët, që të reflektohet me ndërgjegjshmëri dhe përgjegjshmëri. Së pari, semantika e propagandës elektorale konsiston në përpjekjen për afirmimin e idesë, projektit dhe programit zgjedhor të çdo subjekti pjesëmarrës me performansë individuale apo kolektive. Së dyti, është impenjimi dhe përpjekja për mbështetje të ideve dhe projekteve të lartëtheksuara nëpërmjet vetëbindjes, apo formave të tjera të ndikimit që do të kulmonte me dhënie e votave në procesin e votimit.                                                                                                                                                                                           Sidoqoftë, zgjedhjet e fundit vendore në Maqedoni patën disa veçori dhe mesazhe të rëndësishme, të cilat nga kjo distancë kohore qartësojnë shqetsueshmërinë për nivelin e  zhvillimeve demokratike, për marrëdhëniet shqiptaro-maqedone, për etnocentrizmin ekstrem në rritje maqedonas. E tërë kjo, produkt fundor e ka izolimin e skajshëm të shtetit(Maqedonisë) dhe popullit(maqedonasit) në rajon e më gjerë. Kjo edhe ka motivuar që në  rrafsh politiko-strategjik  eksponentë të albanofobisë në Maqedoni, të vlerësojnë se ekstremizmi institucional maqedonas në rritje ndaj shqiptarëve është rreziku kryesor për  ekzistencën e shtetit dhe vet maqedonasve, e jo Bullgaria dhe bullgaret, apo Greqia dhe grekët, siç propagohet zëshëm. Analizat fillestare të këtyre zgjedhjeve vendore, qartësojnë kualitetin e munguar gjer tani: Shqiptarët zhvilluan debat jo të zëshëm, pa sharje dhe fyerje të ndërsjella, pa zhurmë dhe konfliktualitet që pa mëdyshje i veçojnë të njëjtat si të kapshme dhe pozitive në kontekstin e kritereve dhe standardeve demokratike, komparuar me zgjedhjet dhe fushatat e gjertanishme. Vija e ndryshimit, gjithsesi nuk mund shtrihet në rrafshin kombëtar pasi që çrregullirat që u notuan në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri në të njëjtën kohë faturan një çmim tjetër shumë më mbresëlënës dhe të akceptueshëm. Në fushatën zgjedhore në Maqedoni ndër ne shqiptaret u qartësua fakti se  munguan idetë dhe  programet, projektet e planifikimet që do e rritshin besueshmërinë në vlerësimin e mësipërm dhe në pritjen për mirëqenie sociale, kulturore, arsimore, ambientale, e ashtu ngjashëm edhe të qytetarit shqiptar. Fatkeqësisht, me format dhe përmbajtje të këtilla propaganduese gjatë fushatës, politikëbërja shqiptare nuk mund të eksponohet efektshëm në Maqedoni.
Pse u manifestua ky ndryshimi ndër shqiptarët?/Së pari, për këtë duhet t’i referohemi skenës politike ndër shqiptarët, e cila dukshëm po zbehet në rrafshin e efiçencës së ushtrimit të politikës ekzekutive dhe opozitës inerte. Bile, shqiptarët në qeverisjen e disa vjetëve të fundit aq shumë e kanë humbur fuqinë e vendosjes dhe vendimarrjes, sa që përcaktimi i elementit shtet-formues për çka siç duket u zhvillua edhe lufta e fundit, seriozisht po i humb shtyllat përcaktuese. Po zbehet vijimisht komunikimi i ndërsjellë kritik, pozitiv, agresiv mes mazhorancës dhe opozitës shqiptare, si shtyllat mbi të cilat ngritet demokracia parlamentare, andaj edhe fushata në tërësi me të drejtë është kuptuar si retorikë, fjalomani dhe llafim bosh. Së dyti, mungesa e opozitës së mirëfilltë dhe e fuqishme në çdo segment, po e akomodon pushtetin aktual shqiptar, pavarësisht barometrit të suksesit apo mossuksesit në ushtrimin e qeverisjes. Së treti, premtimet në fushatën për pushtetin vendor, për zhvillim ekonomik dinamik komunal, nuk kanë mbështetje reale, andaj edhe nuk mund të jenë tërheqëse dhe të besueshme,(pa fonde dhe kuadër ligjor) duke e shndërruar atë në llafim politik pa mbulesë. Së katërti, mungesa e propagandës nacionaliste pozitive te shqiptaret në rrethana të reinkarnimit te albanofobisë primitive maqedonase, nuk ishte e pritshme. Nëse i referohemi konformizmit historik të shqiptarëve, ajo sikur kishte ngjashmëri me mirësjelljen karshi ekstremizmit sllav të dikurshëm. Në skenën politike shqipëtare në Maqedoni nuk pati përpjekje për një propagandë agresive, pozitiviste dhe balancusese, edhe pse liderët e dy shteteve shqiptare, Berisha dhe  Thaçi, paraprakisht e bënë këtë pikërisht në Shkup, në manifestimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke  promovuar në mënyrë elastike vlerën e kohezionit  brendaetnik si mjetin e fundit të ekzistencës kolektive etnike. Përkundrazi, llafimi i këtushëm propagandistik shqiptarë u akomodua në harmoninë virtuale ndëretnike dhe bashkëjetesën e pabarabartë, ku siç duket politikbëresit shqiptar në Maqedoni ndihen më të sigurtë dhe më të akomoduar politikisht. Mjerisht, e tërë kjo ilustron skenën politike të shqiptarëve: Opozita ngadalë për arsye të pashpjegueshme po i mbyll derën anëtarësisë dhe popullit për aksion(?!), kurse pushteti i tejkënaqur me gjendjen  ekzistuese ndihet edhe më i akomoduar në pushtet(?!), tërësisht e kthyer nga vetvetja dhe për vetveten. Në këtë letargji, ajo lehtësisht nuk çanë kokën as për gjerësinë ndikuese të veten as për interesat madhore etnike, duke u vetëkënaq me fitoren e  zgjedhjeve që po ndodh çuditërisht radhazi. Në vende me demokraci të sistemuar, është e paimagjinueshme fitore në zgjedhje radhazi siç po ndodh në Maqedoni(në të dy blloqet etnike), të fitojë subjekti në pushtet të cilit i adresohet niveli i uljes në vazhdim i zhvillimit ekonomik, mirëqenies dhe zhvillimeve politike ndëretnike. Është shqetësues fenomeni(?!) i zhvillimeve politike në rënie, kurse rejtingu i partive politike në pushtet në rritje. Mjerisht, në këto rrethana të çuditshme, shqiptarët lehtësisht  propagojnë integrimin euro-atlantik si frymëmarrje të radhës, veçmas politikanët, pa gjykuar dhe analizuar integrimet institucionale brenda etnisë, vendit, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, arsimor, gjuhësor, kulturor e tjerë. Fundja, integrimet euro-atlantike janë të paimagjinueshme jashtë integrimeve të lartëtheksuara. Për dallim nga shqiptarët, blloku politik maqedonas në këto zgjedhje befasoi jo këndshëm për ashpërsi gjer në vrazhdësi në komunikimin mes vendit, kurse në raport me shqiptarët reinkarnoi politikën primitive të nacionalizmit të ashpër ortodoks, që lehtësisht u anashkalua nga shqiptarët dhe politkëbërësit e tyre.
Konkretisht miq të dashur, së pari VMRO-DPMNE paraprakisht ndërtoi terrin informativ maqedonas (uzurpoi dhe mbylli pothuajse tërësisht shtypin dhe mediat opozitare), me qëllim që së pari të qërojë hesapet me oponencën politike, Lidhjen Social-demokratike të Maqedonisë dhe kooperantët e saj. Metoda e provuar në Serbinë millosheviqiane u tregua e suksesshme duke  ngadhënjyer në zgjedhje vendore dhe duke fituar pos pushtetit ekzekutiv edhe pushtetin vendor. Së dyti, në Strugë dhe Kërçovë ndërtimi i listave të përbashkëta zgjedhore të oponentëve politik maqedonas të armiqësuar pothuajse gjakërisht, rikonfirmuan politiken sllave të albanofobisë në Maqedoni, ide qe u afishua si rrezik mbi të gjithë rreziqet, poqëse shqiptarët manaxhojnë Strugën dhe Kërçovën. Në këtë koncept sa anakronik aq edhe të rrezikshëm dhe dezintegrues, u ndërtua një unitet gjithëmaqedonas mes dy poleve kundërshtare maqedonase, që indikoi solidaritet të pazakontë. E tërë kjo do të anashkalohej, sikur në tubimet në Strugë dhe Kërçovë të mos propagohej dhe promovohej nga vet lideri etnocentrik me konceptin ndarës: NE(maqedonasit) dhe ATA(shqiptarët). Mostoleranca ndëretnike e manifestuar në Strugë dhe Kërçovë  nga Gruevski si individi më i fuqishëm në vend, bashkimi i pazakontë në koalicion i të majtëve dhe të djathtëve, indikojnë seriozisht. Për fushatë të këtillë jo parimore nuk mund të jetë justifikim fitorja e një perfektit. Anulimi i ndeshjes Shkendija-Teteks në Shkup në këtë interval kohorë ishte një sinjal simplifikativ. Andaj këtu edhe duhet ta ketë fundin politika anakronike. Filozofia e padrejtësisë nuk ngadhënjen asnjëherë para të së drejtës, ashtu si nuk mundet të ketë drejtësi  mes të pabarabartëve.
Ministria e Pushtetit vendor dhe shqiptarët/Shqiptarët në qeverinë 1998-2002 ndërtuan Ministrin e pushtetit vendor në Maqedoni në bashkëveprim të ngushtë me Komisionin Evropian, me objektiv avancimin e pozitës së shqiptarëve. Në një shoqëri me pushtet qendror të monopolizuar dhe etnocentrike dhe pushtet vendor të margjinalizuar skajsmërisht, ky projekt u prit me kritikë të ashpër nga doktrina dhe opinioni maqedonas i atëhershëm, se gjoja po federalizohet, konfederalizohet apo ndahet Maqedonia. Nuk u lançua pa qëllim ideja e këtill, e ne veçanti nga opozita e atëhershme LSDM. Për dallim nga kjo, ekzekutivi funksiononte homogjenisht në shumë projekte favorizuese për shqiptarët, siç ishte edhe decentralizimi. Nga kjo distancë kohore pika e referimit është bukur e qartësuar dhe lehtësisht e akceptueshme. Projektet e këtilla pjesërisht u realizuan, pjesërisht u afatësuan, por edhe u kushtëzuan nga ngjarjet dhe zhvillimet e 2001-shit,  në veçanti nga qeverisja e gjerë dhe pas luftës, kur në të u inkuadrua opozita e atëhershme  shqiptare dhe maqedonase, e cila procesin e qeverisjes dhe të vendosjes në disa segmente pos që e vështirësoi, paralelisht e pamundësoi si rrjedhim i përbërjes tejmase të segmentarizuar. Rikomponimin e ri qeveritar për kah misioni dhe për kah përmbajtja humbi projektet fillestare. Kjo u reflektua edhe në miratimin e Ligjit për pushtetin vendor, e posaçërisht në (mos)decentralizimin e pushtetit qendror tejet të centralizuar, në përmbajtje dhe në  gjeografi. Pikërisht në këtë kohë të koalicionimit të gjerë, Ministria e pushtetit vendor u zëvendësua me ministër nga opozita dhe  ky fakt vështirësoi zbatimin e idesë që shqiptarët të shfrytëzonin më kualitativisht resurset vetanake politike dhe zhvillimore. Sidoqoftë, Marrëveshja e Ohrit si dokument paqe dhe ndryshimi, legjitimoi idenë madhore për decentralizimin të projektuar nga vet Qeveria 1998-2002. Mjerisht, ky legjitimim dhe institucionalizim nuk ka akoma epilogun e pritur, në mungesë të konsnesusit ndëretnik si dikur. Megjithatë, nëse më së shumti u reflektua ndryshimi pozitiv në rrafshin e decentralizimit si shtyllë e MO-së, është komponenta territoriale. Në këtë kontekst ishte edhe marrëveshja që edhe Strugën (ndarja e Veveçanit si komunë në vete) dhe Kërçovën(bashkimi i komunës së Osllomesë dhe Zajazit) të manaxhoheshin nga shqiptarë. Për këtë u arrit marrëveshje politike, vullneti politik shqiptaro-maqedonas. Është pabesi dhe hile politike e rëndë  mospërmbushja e saj duke sulmuar dhe pretenduar Strugën dhe Kërçovën me shumicë shqiptarë të  menaxhohet nga maqedonas. Përpjekja e bërë është prishje e marrëveshjes politike, ama edhe kërcim për decentralizimin dhe komponentën demokratiko-etnike të tij.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›