E Hënë, 2 Nëntor 2026

Stuart, Metës: Qeveria “Berisha” bëri zgjedhjet më demokratike



I njëjti qëndrim vlerësues i SHBA-së për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, por kësaj radhe i shprehur nga një tjetër zyrtar i lartë amerikan. Bëhet fjalë për zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve, z. Stuart Jones, i cili u takua dje në Nju Jork me zëvendëskryeministrin dhe ministrin tonë të Jashtëm, Ilir Meta. Përmes tij, SHBA premton një bashkëpunim edhe më të afërt me qeverinë “Berisha 2” si dhe siguron mbështetjen për procesin integrues të Shqipërisë në BE. Gjatë takimit, z. Jones, e uroi z. Meta për detyrën e rëndësishme dhe shprehu vlerësimin për zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat e zhvilluara deri më sot. Po ashtu, diplomati amerikan vlerësoi edhe gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën në funksion të reformës zgjedhore dhe përmbushjen e vërejtjeve dhe sugjerimeve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Z.J ones e falënderoi z. Meta për rolin dhe angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, si dhe rritjen e kontributit të saj si vend edhe anëtar i NATO-s, në dobi të paqes e sigurisë në botë. Po ashtu, u shpreh se mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me të dhe me qeverinë e re të drejtuar nga Kryeministri Berisha, si dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të SHBA-ve në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Gjatë takimit me zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve, z. Stuart Jones, u bisedua për çështje të bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe SHBA-së dhe zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Një vend të veçantë në bashkëbisedim zuri edhe diskutimi për situatën në rajon dhe perspektivën e saj. Z. Meta bëri një paraqitje të zhvillimeve lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe krijimin e koalicionit qeverisës. Më tej, z. Meta dhe z. Jones biseduan për bashkëpunimin e deritanishëm dhe perspektivën e mëtejshme të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për zhvillimet më të fundit në rajon. Z. Meta e siguroi bashkëbiseduesin e tij për angazhimin e qeverisë shqiptare për të luajtur një rol sa më konstruktiv e të moderuar në shërbim të paqes, stabilitetit e aspiratave të përbashkëta për integrimin evropian të vendeve të rajonit. Njëkohësisht, ai theksoi vendosmërinë për të vazhduar luftën kundër trafiqeve ilegale, korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe ripërsëriti angazhimin e vendit për pjesëmarrje aktive në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit. Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në rajon dhe u interesua të dinte më hollësisht situatën në Kosovë e Maqedoni. Lidhur me Kosovën, bashkëbiseduesit ndanë mendimin për rëndësinë e përfshirjes së saj në nismat rajonale si garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri i Jashtëm Ilir Meta u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Republikës së Qipros, z. Markos Kyprianou dhe atë të Rumanisë, z. Cristian Diaconescu. Biseda u përqendrua në çështjen e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE dhe procesin e liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në marrëdhëniet dypalëshe. Të dy ministrat, pasi e uruan z. Meta për detyrën, njëherësh i konfirmuan mbështetjen e plotë që Qiproja dhe Rumania japin për shqyrtimin sa më parë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, si dhe mbylljen pa vonesë të procesit të heqjes së vizave “Shengen” për qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›