Siguria bërthamore, Obama mbledh në Uashington krerët botërorë
Blerina Olldashi
Presidenti i SHBA-ve Barak Obama ka mbledhur në Uashington krerët botërorë, me qëllim hartimin e një strategjie globale lidhur me armët bërthamore. Në samitin që do të zgjasë dy ditë, do të diskutohet me mënyrat e largimit të armiqve nga duart e terroristëve. Para samitit, Obama u shpreh se terroristët që zotërojnë material bërthamor janë kërcënimi i vetëm më i madh ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Ai u shpreh për gazetarët se organizatat terroriste, si Al-Kaida, po përpiqen të sigurojnë armë bërthamore dhe nëse ia arrijnë kësaj me sukses, do të ndryshohej balanca e sigurisë globale për vite me radhë. Në kuadër të këtij takimi të rëndësishëm janë marrë masa të forta sigurie. Vetëm disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes ruso-amerikane për armët bërthamore, administrata e Presidentit Obama shpreson të forcojë angazhimin global për të mbrojtur arsenalet bërthamore dhe për të mos lejuar grupet terroriste e vendet e papërgjegjshme të zotërojnë material radioaktiv: “Armët bërthamore nuk janë shqetësim vetëm për Shtetet e Bashkuara e Rusinë. Ato kërcënojnë sigurinë e përbashkët globale. Një armë bërthamore në duart e terroristëve është kërcënim për këdo, kudo qoftë, nga Moska në Nju Jork, qytete të Europës e Azisë së Jugut”. Kërcënimet aktuale bërthamore ndryshojnë nga periudha e Luftës së Ftohtë, thotë Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton: “Kërcënimi i një lufte bërthamore, i sulmit bërthamor që na kërcënonte gjatë Luftës së Ftohtë është pakësuar. Kërcënimi i terrorizmit bërthamor është rritur. Duam të përqendrojmë vëmendjen e botës në atë pikë ku mendojmë se nevojitet, në përpjekjet e vazhdueshme të Al Kaidës dhe të tjerëve për të zotëruar material bërthamor që do të shkaktonte kaos dhe humbje jetësh”. Irani, Siria dhe Koreja e Veriut nuk do të marrin pjesë në takim. Pheniani thotë se arsenali i tij bërthamor është i justifikueshëm, si rezultat i asaj që e cilëson si “strategji për dominim global nga Amerika”. “Për sa kohë që të vazhdojnë kërcënimet bërthamore nga Shtetet e Bashkuara, Republika Demokratike Popullore e Koresë do të rrisë dhe modernizojë arsenalin e saj bërthamor si parandalues i nevojshëm për të ardhmen. Koreja e Veriut është plotësisht e aftë ta realizojë këtë”. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk pranoi të merrte pjesë në takim dhe ka dërguar zëvendës kryeministrin në vend të tij. Mendohet se Izraeli ka arsenal bërthamor, por nuk ka nënshkruar Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe nuk është objekt inspektimesh ndërkombëtare. Izraeli e kundërshton me forcë programin bërthamor të Iranit, gjë që Teherani e ka akuzuar si qëndrim hipokrit. Presidenti Obama ka kufizuar kushtet në bazë të të cilave Shtetet e Bashkuara mund të shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, por ka lënë hapur mundësinë e një reagimi bërthamor kundër Koresë së Veriut apo Iranit. Kryetari i Parlamentit të këtij vendi u shpreh se këto fakte tregojnë qartë se SHBA-të po mbajnë një qëndrim arrogant dhe dominues ashtu si në të kaluarën, por ndryshimi është se këtë herë qëllimet po arrihen me anë të mashtrimeve.
Rusi
Një ditë zi për presidentin polak
Rusia ka mbajtur dje, një ditë zi për presidentin e vdekur polak, Leh Kazinski dhe dhjetëra zyrtarët e lartë që ishin me të në momentin e aksidentit ajror. Presidenti rus, Dimitri Medvedev vendosi për shpalljen e ditës së zisë në vend. Flamujt u ngritën në gjysmë shtize dhe televizionet anuluan të gjitha programet argëtuese. Rusët janë prekur shumë nga kjo tragjedi e jashtëzakonshme, tufa të panumërta lulesh janë vendosur jashtë ambasadës polake në kryeqytetin e vendit. Presidenti i Polonisë dhe delegacioni i tij ishte nisur për të shënuar përvjetorin e 70 të masakrës, kur ndodhi aksidenti.
Tajlandë
Tensionohet situata mes protestuesve dhe forcave të sigurisë
Në kohën që Tajlanda është e shënuar nga kriza, Komisioni Elektoral ka kërkuar që partia Demokratike e kryeministrit, Abhisit Vejajiva, të shpërndahet për shkak të parregullsive financiare. Kjo gjë ka vënë më shumë në presion kryeministrin, që ka luftuar për të ardhmen politike që prej sulmit ditën e shtunë ndaj protestuesve të opozitës që la të vdekur më shumë se 20 vetë. Abhisit këmbëngul se qeveria e tij do të vazhdojë t’i injorojë thirrjet si prej shefit të ushtrisë, ashtu edhe të opozitës për shpërndarjen e parlamentit.
Hungari
Fitore e thellë e konservatorëve
Konservatorët kanë fituar me shumicë votash zgjedhjet në Hungari dhe vijnë në pushtet pas tetë vjetësh. Rreth 53 për qind e votuesve i dhanë votën e tyre Aleancës së Demokratëve të Ri (FIDESZ). Socialistët deri tani në pushtet fituan vetëm 19 për qind të votave, vetëm dy për qind më shumë se e djathta ekstremiste Jobbik. Për herë të parë në parlament u fut edhe e Partia e majtë Ekologjiste, duke fituar më shumë se shtatë për qind të votave. Aleanca FIDESZ me 386 mandatet e saj, do të ketë në parlament jo vetëm shumicën absolute për krijimin e qeverisë, por edhe dy të tretat e mandateve.
13 Prill 2010