Siguria dhe rrezikshmëria e mjeteve të skanimit në aeroporte
Anketimet e publikut tregojnë se shumica e amerikanëve kërkojnë skanimin e të gjithë trupit, si mënyrë për t'u mbrojtur nga sulmet terroriste në linjat e avionëve komercialë. Përfitimi nga skanerët po debatohet në një numër vendesh. Disa grupe kanë ngritur çështjen e privatësisë. Por shumë njerëz besojnë se makinat mund të paraqesin edhe rrezik për shëndetin, pasi aparatet e skanimit lëshojnë sasi të vogla rrezatimi, që me kalimin e kohës, sipas shkencëtarëve, mund të shtojnë rrezikun për kancer. Nëse personi që akuzohet për tentativën e sulmit me bombë Ditën e Krishtlindjeve në avionin me destinacion Shtetet e Bashkuara do të kishte kaluar nëpër aparatin e skanimit të të gjithë trupit, eksplozivi që ai kishte në trup mund ta ishte dalluar dhe tentativa për sulm do të ishte zbuluar shumë më herët. Shtetet e Bashkuara, veç Britanisë, Holandës, Francës dhe Italisë, kanë bërë të njohura planet për instalimin e skanuesve të trupit nëpër aeroporte. Por sipas ekspertëve, rreziku është i vogël. Rrezatimi nga e ashtuquajtura teknologji “backscatter” është 2 mijë herë më e vogël se nga një radioskopi dhe 200 herë më e vogël se analiza radiologjike e quajtur “Cat-Scan”.
Disa ekspertë thonë se këto makina të kushtueshme do të jenë të vështira për shumë vende afrikane dhe të varfra për t'u blerë dhe instaluar.
Maqedoni
Milloshoski kërkon zgjidhjen e problemit me Greqinë
Maqedonia do të propozojë hapa për përmirësimin e raporteve me Athinën dhe për zgjidhjen e mospajtimeve për emër me Greqinë, tha ministri i jashtëm Antonio Milloshoski. Ai paralajmëroi se do të propozojë që Maqedonia dhe Greqia t’i hapin ambasadat dhe të nënshkruajnë marrëveshje për parandalimin e taksave të dyfishta, si shenjë e mbështetjes së Maqedonisë për problemet financiare të Athinës. “Ne i kemi këto nisma dhe ne dëshirojmë ta stimulojmë Greqinë”, tha dje ministri Milloshoski në një konferencë për shtyp në Lubjanë të Sllovenisë, ku gjendet për vizitë.
Francë
Komisioni parlamentar, kundër perçeve në publik
Një komision parlamentar në Francë ka rekomanduar që gratë myslimane nuk duhen lejuar të veshin perçe në ambientet publike si në shkolla, spitale apo transportin publik. Ai ka rekomanduar që gjithkush që shfaq shenja të asaj që cilësohet si “praktika fetare radikale”, u duhet refuzuar karta e banimit dhe e drejta e qytetarisë në Francë. Raporti thekson se t’u kërkosh grave të mbulojnë fytyrën, bie ndesh me parimet republikane franceze të shekularizmit dhe barazisë. Ministria e brendshme bëri të ditur se vetëm 1,900 gra në Francë veshin veshjen e plotë të mbulimit të kokës dhe trupit.
Bagdad
18 të vrarë dhe 80 të plagosur nga sulmi vetëvrasës
Autoritetet irakiane thonë se të paktën 18 veta u vranë dhe 80 të tjerë u plagosën nga një sulm vetëvrasës kundër një laboratori të policisë në Bagdadin qendror. Policia thotë se bomba shpërtheu, duke shkaktuar dëme të mëdha në zyrën kriminalistike të qeverisë në lagjen Karrada të Bagdadit. Zyrtarët thanë se shumë prej viktimave ka të ngjarë të jenë oficerë policie. Shpërthimi ndodhi një ditë pasi autorë sulmesh vetëvrasëse goditën 3 hotele të Bagdadit, ku qëndrojnë të huajt. Të paktën 36 veta u vranë dhe 71 të tjerë u plagosën.
27 Janar 2010