Topalli apel banorëve të largohen nga banesat
Topalli, e shoqëruar nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, inspektoi sot në mesditë situatën në lagjen Baçallëk të qytetit. “Siç e shikoni nuk ka më lum Drin, Buna dhe liqen. Ujërat e tyre janë bashkuar dhe situata paraqitet problematike për banorët e lagjes Baçallëk, ata të Bregut të liqenit të Shkodrës dhe lagjes Ajasëm pranë kalasë”, u shpreh znj. Topalli gjatë këtij inspektimi. Ajo u bëri apel banorëve që të largohen, duke garantuar se qeveria ka krijuar të gjitha kushtet e akomodimit të tyre. Rritje të nivelit të ujit gjatë ditës së sotme janë hasur dhe te moloja e urës së Bunës. Kryeparlamentarja Topalli bëri të ditur se shenjat e para të përkeqësimit të situatës janë hasur dhe në rrugën nacionale për shkak të tejfryrjes së Drinit dhe Bunës. Edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka u ka bërë bëri thirrje banorëve që të largohen, pasi qeveria ka garantuar gjithçka për ta. Kryebashkiaku bëri të ditur se fryrja e lumenjve rrezikon dhe stacionin e pompave të ujit në Dobraç dhe aktualisht vëmendja e pushtetit lokal dhe qëndror është përqëndruar në këtë drejtim. Gjatë ditës së sotme zonat problematike të periferisë së qytetit të Shkodrës janë inspektuar edhe nga ministra të tjerë si Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ai i shëndetësisë Petrit Vasili, të cilët u kanë bërë thirrje banorëve të të evakuohen.