Siguria në punë, Shqipëria dhe Kosova vendosin marrëdhënie bashkëpunimi
Inspektorja e Përgjithshme, Vikrita Çuto, priti dje në një takim Kryeinspektorin e Agjencionit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës të Kosovës (AEIP), Skënder Gashi, ku i siguruan njeri-tjetrit bashkëpunim sa me efikas si dhe shkëmbim eksperiencash në favor të forcimit të rolit të inspektoratit në të dy vendet. Çuto e njohu homologun nga Kosova mbi funksionimin e ISHP-së si dhe mbi misionin e inspektoratit, i cili konsiston në zbatimin e legjislacionit të punës lidhur me kushtet e punës dhe mbrojtjen e punëtorëve në ushtrimin e profesionit të tyre, kohëzgjatjen e punës, paga, sigurimi në punë, punësimi i fëmijëve si dhe çështje të tjera lidhur ngushtë me to. Gjithashtu edhe Kryeinspektori i AEIP-së, Skënder Gashi, ka përshkruar historikun e AEIP, i cili është themeluar prej Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në pajtim me Konventën Nr. 81 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës ILO. Në fund të dy homologët siguruan njeri-tjetrin për shkëmbim eksperiencash dhe një bashkëpunim sa më efikas në rritje të standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe ILO.
Studimi
“Besimi tek feja, ndihmon në trajtimin e sëmundjes së kancerit”
Njerëzit që janë shumë besimtarë dhe kanë një nivel të lartë të kultit të religjionit tek vetja e tyre, janë të predispozuar që ta luftojnë sëmundjen e kancerit më shumë se të tjerët. Një fakt i tillë pohohet nga disa studiues nga Roma, të cilët pas një studimi të kryer kanë arritur në përfundimin se 60% e pacienteve nga kanceri, rezultojnë të kenë më shumë përparësi se të tjerët në trajtimin e sëmundjes. Dhe kjo, vetëm falë besimit që ata ushqejnë tek feja, si një mjet që i bën të ndihen më mirë shpirtërisht, gjë e cila sipas studiuesve është një nga faktorët kyç për të luftuar sëmundjen e kancerit. “Gjendja shpirtërore ka provuar të jetë një faktor kryesor për të ndihmuar ata persona që vuajnë nga sëmundja e kancerit”,- tha lidhur me një fakt të tillë, Paul Marchetti, profesor i onkologjisë mjekësore në Sant Andreu, një nga autorët e studimit.
5 Dhjetor 2009