Dhuna në familje, Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e Personave të Dhunuar do të hapet në fillim të 2010-s
Për herë të parë në vendin tonë do të ketë një qendër kombëtare, ku do të trajtohen viktimat e dhunës në familje. Kjo do të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm, kohë në të cilën do të vihet në funksionim strehëza e parë kombëtare, për pritjen e viktimave të dhunës në familje, e cila do të pasohet nga strehëza të tjera që do të ngrihen në të gjithë vendin nga pushteti vendor. Lajmi bëhet i ditur nga drejtoresha e Politikave dhe Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Ana Xheka. Kjo e fundit deklaron se në muajt e parë të vitit 2010, do të ngrihet Qendra e parë Kombëtarë për Rehabilitimin e Personave të Dhunuar. Për këtë arsye, strukturat drejtuese në Ministrinë e Punës, i drejtojnë një apel dhe pushtetit vendor, i cili duhet të jetë një nga aktorët kryesorë për mbështetjen sociale që duhet t’u jap viktimave të dhunës në familje. “Strehëzat kombëtare të rehabilitimit të viktimave të dhunës në familje i ngarkohen me përgjegjësi ligjore pushtetit vendor dhe është një moment në të cilin duhet të reflektojmë të gjithë për ta marrë në konsideratë këtë nevojë për arritjen e standardeve të barazisë gjinore dhe minimizimin e dhunës në familje, pasi qendrat janë një element shumë i rëndësishëm. Në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të vihet në funksionin për herë të parë Qendra Kombëtare e Rehabilitimit”,- deklaron Ana Xheka. Më tej drejtoresha e Politikave dhe Shanseve të Barabarta ka vijuar me publikimin e shifrave zyrtare të dhunës në familje, ku gjatë nëntë muajve të vitit 2009 janë raportuar mbi 900 raste të dhunës. Ndërkohë që shumica e tyre kanë bërë denoncime pranë Policisë së Shtetit dhe kanë fituar të drejtën e mbrojtjes. “Ne kemi 990 raste dhune në familje të raportuara në dyert e Policisë së Shtetit, nga 880 raste që ka pasur komplet viti i kaluar. Njëkohësisht, nga 990 raste që janë denoncuar pranë organeve të Policisë, në 640 raste Policia e Shtetit ka ngritur kërkesë padi dhe janë trajtuar 640 raste me urdhër mbrojtjeje nga gjykatat respektive të rretheve”,- tha Xheka. Me rastin e 16 ditëve të fushatës kundër dhunës në familje të shpallur nga OKB-ja, ditën e djeshme, Ministria e Punës, organizoi Konferencën Kombëtare “Ne mund ta ndalojmë dhunën”, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të vendit, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministra, deputete, përfaqësues të pushtetit vendor, të shoqërisë civile, të medias, etj. Deri në datën 10 dhjetor do të vazhdojë fushata sensibilizuese ndaj dhunës në familje, e cila rastet më të shumta i shënon tek femrat dhe vetëm 18 raste janë dhunë e ushtruar ndaj meshkujve.
5 Dhjetor 2009