Studimet e pjesshme, bllokohen aplikimet për fakultet të dytë te Juridiku
Jonida Tashi
Bllokohen aplikimet për të vijuar studimet e pjesshme si fakultet i dytë pranë Fakultetit Juridik në kryeqytet. Shkak për këtë situatë është bërë urdhri i nxjerrë nga Ministria e Arsimit, sipas të cilit, kandidatët që duan të vazhdojnë fakultetin e dytë, me sistemin e pjesshëm të studimeve duhet të paraqesin edhe Dëftesën e Pjekurisë, si dokument aplikimi. Ndërkohë që sipas udhëzimit të nxjerrë po nga Ministria e Arsimit, për aplikim, kandidatët duhet të paraqesin fotokopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të.
Dëftesa
Për kandidatët për fakultetet të dytë, konkretisht në udhëzimin e MASH-it thuhet: “Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, (ose fotokopje të saj të noterizuar), të vlerësuar e barasvlershme me të”. Të bazuar në këtë udhëzim, qindra të interesuar për të aplikuar për fakultet të dytë në Juridik, i janë drejtuar sekretarisë së fakultetit për të bërë regjistrimin, por që janë kthyer pas nga këto të fundit, pikërisht për mungesë të Dëftesës së Pjekurisë. Për rrjedhojë, të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme qoftë si fakultet i parë ose i dytë, duhet të depozitojnë në sekretaritë e fakulteteve edhe Dëftesën e Pjekurisë, në mënyrë që aplikimi i tyre të pranohet. Sipas udhëzimit të MASH-it, në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit;
Aplikimi
Aktualisht të gjitha fakultetet e vendit që ofrojnë studime me kohë të pjesshme kanë nisur procesin e pranimit të dosjeve të aplikimit, që në datën 2 dhjetor. Sipas afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit, aplikimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, do të zhvillohet deri në datën 8 dhjetor 2009, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë. Pas mbylljes së procesit të aplikimit, pranë njësive kryesore përgjegjëse universiteteve publike, për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, dhe për programe e dyta studimi, do të ngrihen komisione “Ad-hoc”, me anëtarë të personelit akademik, për përzgjedhjen e kandidatëve fitues për këto programe, në përputhje me kuotat e përcaktuara nga qeveria. Sipas afateve të vendosura nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, universitetet do të kenë vetëm gjashtë ditë kohë në dispozicion për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve fitues për studimet me kohë të pjesshme. Universitetet do të shpallin dhe do të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12.00 të datës 14 dhjetor 2009, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës.
Dokumentet e aplikimit
Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, do të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:
Fotokopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të;
Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje duhet të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit, ose e pasaportës;
Dy fotografi;
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë; Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme;
Në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit;
Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, (ose fotokopje të saj të noterizuar), të vlerësuar e barasvlershme me të.
5 Dhjetor 2009