Reagimi pas letrës së gjyqtares
Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagon një ditë pas letrës së hapur të gjyqtares pa imunitet Marsela Balili. Sipas njoftimit zyrtar, KLD-ja bën me dije për opinionin publik se vendimi i marrë prej tij në mbledhjen e datës 2 dhjetor 2009, për dhënien e autorizimit për fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtares së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Marsela Balili, është bërë në respektim maksimal të ligjit organik për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. “Sipas Nenit 29 të këtij ligji, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi që autorizon procedimin penal ndaj një gjyqtari mbi kërkesën e prokurorisë dhe vendimmarrja realizohet nga ky këshill pa një procedurë paraprake të dëgjimit të gjyqtarit, e lidhur kjo me vetë natyrën diskrete të kërkesës për autorizim të procedimit penal dhe urgjencën e shqyrtimit të saj”, - thuhet në njoftim. Më tej shpjegohet se pavarësisht nga mosparashikimi i shprehur në ligj për procedurën e njohjes paraprakisht nga gjyqtari, si dhe praktika e deritanishme e Këshillit, ku asnjëherë më parë gjyqtarët nuk janë venë në dijeni për kërkesën e organit të akuzës, gjyqtarja Marsela Balili është njoftuar për t’u paraqitur në Këshill në orën 11:00 të datës 02.12.2009, përpara shqyrtimit të kërkesës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ndaj këtij komunikimi, gjyqtarja Balili është përgjigjur shprehimisht se ‘në këtë orë dhe datë kam gjyq’. Në kushtet e dhënies së autorizimit për procedim penal, pezullimi nga detyra i gjyqtares është pasojë direkte e ligjit dhe i është komunikuar menjëherë kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me shkresën nr. 2420 e datës 02.12.2009, me qëllim ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga gjyqtarja. Ndërsa për heqjen nga dosjet e bujshme, KLD-ja e shpjegon se me qëllimin e vetëm për të mos shkaktuar asnjë shtyrje apo vonesë në kohë të proceseve gjyqësore ku gjyqtarja Balili ka qenë në trup gjykues, menjëherë pas pezullimit të saj nga detyra, janë marrë masa për të deleguar gjyqtarë në dy çështje gjyqësore, përkatësisht: Në çështjen me të pandehur Emiliano Shullazi, Ervin Ferhati; çështje në të cilën janë deleguar gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Petrit Çomo dhe Bujar Krasniqi. Në çështjen me të pandehur Arben Boriçi, Ilir Stergu etj.; çështje në të cilën është deleguar gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Albert Meça. Ky vendim i marrë me unanimitet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka të bëjë specifikisht me aktet e një materiali procedimor të lidhur me emrin e gjyqtares Marsela Balili, i cili referon në veprën penale të parashikuar nga Neni 319/a i K. Penal ‘Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të Drejtësisë’. Ky material procedimor, në atribut të organit të ndjekjes penale dhe konkretisht të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, është kërkuar të hetohet dhe është vlerësuar nga KLD-ja të lejohet të hetohet. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vëren se në një shtet demokratik, politika penale e Gjyqësorit nuk përjashton as vetë gjyqtarët dhe në koherencë me të, politika e proceseve vendimmarrëse duhet të mundësojë parimin kushtetues se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.e
5 Dhjetor 2009