Gripi i derrit, shkon në 200 numri i personave të prekur
Emanuela Sako
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se numri i të prekurve nga virusi i gripit të derrit ka shkuar në 200 raste të konfirmuara. Kohët e fundit situata pandemike e përhapjes së virusit të gripit të derrit po rritet me ritme të shpejta. Numri i të prekurve po rritet çdo ditë e më tepër, ndërsa nuk përjashtohen rastet e shfaqjes së rëndë shëndetësore tek disa pacientë. Pacientët shprehen se janë në panik nga rasti i fundit i 57-vjeçarit nga Sukthi i Durrësit që humbi jetën. Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se duhet treguar më tepër kujdes ndaj rasteve që shfaqin simptomat e virusit të gripit të zakonshëm dhe gripit të derrit.
Vaksina
Ministria e Shëndetësisë bën apel për marrjen e vaksinës kundër gripit sezonal, hëpërhë si e vetmja mundësi për shmangien e virusit të gripit të derrit. Ministria ka bërë të ditur numrin e dozave të vaksinës që do të sigurohen për vaksinimin e popullatës. Pritet ardhja e 250 mijë dozash të vaksinës kundër virusit dhe do të vijnë brenda datës 10 të muajit dhjetor. Të parët që do të vaksinohen janë kategoritë më emergjente. Sipas përcaktimit të Ministrisë së Shëndetësisë, faza e vaksinimit do të fillojë me mjekët dhe infermierët dhe më pas do të vazhdojë me gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit, invalidët etj. Ministria ka këshilluar që qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj udhëzimeve të dhëna më parë, si dhe kërkoi që pacientët të kryejnë vizita të shpeshta mjekësore edhe për virozat e thjeshta. Sipas specialistëve, shtimi i rasteve ka ardhur si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe ftohjes së motit. Ndryshimet klimaterike kanë bërë që të shtohet numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm dhe kombinimi i dy viruseve e bën më të vështirë situatën dhe evidentimin e virusit.
Gripi sezonal
Rreth 16 mijë persona në të gjithë vendin janë prekur nga gripi i zakonshëm, vetëm gjatë një jave. Mjekët bëjnë të ditur se janë shtuar së tepërmi rastet me virusin gripal sezonal, i cili duket se po shtohet me ritme të shpejta. Mjekët bëjnë apel për kryerjen e vaksinimit të të gjithë personave dhe njëkohësisht të mos neglizhojnë situatën. Sipas tyre, gripi sezonal po shfaqet i rrezikshëm, pasi mjaft persona kanë rezultuar në gjendje të rëndë. Gripi i zakonshëm, prek rreth 200 mijë persona në ditë. Ndërkohë që vetëm në Pediatrinë e Tiranës, numri i fëmijëve me simptomat e gripit të zakonshme ka shkuar në 300 raste në ditë. Statistikat tregojnë se edhe rastet e prekura nga virusi i gripit të derrit kanë ardhur në rritje, duke u regjistruar rreth 60 persona çdo ditë. Simptomat e gripit të zakonshëm janë temperaturë, kollë, të vjella, bark, këputje, dhimbje koke, dhimbje fyti etj. Nga shfaqja e të njëjtave simptoma është evidentuar edhe gripi i derrit. Por këto simptoma janë të njëjta edhe me virusin AH1N1, prandaj mjekët shprehen se është e domosdoshme vizita tek mjeku infeksionist. Kështu, qytetarët duhet të shkojnë tek mjeku infeksionist për të dyja rastet pa krijuar hamulli për kryerjen e vizitës
Gripi i derrit, Shqipëria shënoi viktimën e parë të virusit
Shqipëria shënoi dy ditë më parë, viktimën e parë nga gripi i derrit. Gjatë pasdites së djeshme, Ministria e Shëndetësisë bëri publik rastin e parë në vend që humbi jetën për shkak të virusit AH1N1. Bëhet fjalë për rastin e një 57- vjeçari nga Sukthi i Durrësit, rasti i të cilit ishte i konfirmuar nga autoritetet shëndetësore si mbartës i virusit AH1N1. 57- vjeçari humbi jetën gjatë pasdites së djeshme në Spitalin Infektiv të Tiranës për shkak të komplikacioneve që pati nga virusi i gripit të derrit. Sipas Drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, viktima vuante nga tumori në prostatë. “Diagnoza e infeksionit me A H1N1 u konfirmua pas analizave virologjike të realizuara në laboratorin e virologjisë në ISHP. Pacienti i ardhur me urgjencë nga shërbimi i terapisë intensive nga Spitali i Durrësit dhe i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare “Shefqet Ndroqi”, vuante prej shumë kohesh nga tumori malinj i prostatës si dhe kishte kaluar edhe Infarkt Miokardi të një forme të agravuar”, - sqaroi Pipero.
Por, sipas specialistëve të gjithë personat e prekur nga virusi i gripit të derrit dhe që vuajnë nga sëmundje të tjera, janë më të predispozuar për të kaluar në gjendje të rëndë shëndetësore.
5 Dhjetor 2009